verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kill the messenger

on 29 - 10 - 2015       

piter_vanhaute

“Mediat jo vetëm që kanë të drejtë, por kanë edhe obligim të raportojnë për çështje me interes publik, siç janë indikacionet për krim dhe korrupsion të funksionarëve më të lartë qeveritarë”. Me këtë fjali, eksperti i angazhuar nga Bashkimi Evropian për lehtësimin e dialogut në Maqedoni, Peter Vanhoutte, i dha shuplakë të fortë diplomatike partive në pushtet, që tentuan ta fusin nga dera e pasme ligjin për censurimin e materialeve të përgjuara. Përgjigje e kristaltë për “frontmenët” e kësaj iniciative, Talat Xhaferi dhe Kërste Mukovski, që për llogarinë e partive të tyre BDI dhe VMRO DPMNE, tentuan të shkelin lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, me propozim ligjin e dorëzuar në Kuvend.

Ironik është vetë mendimi që në Kuvend, institucioni që konsiderohet “tempull i demokracisë”, të tentohet t’i jepet thikë pas shpine vlerave më të mëdha evropiane. Kuvendi i Maqedonisë duket ka pushuar të jetë tempull demokracie që nga ai 24 dhjetor i 2012-tës, kur deputetët e opozitës dhe gazetarët u tërhoqën zvarrë jashtë sallës plenare. Prandaj, plotësisht i drejtë duket vlerësimi i Vanhouttes për institucionin tonë ligjvënës.

“Problem i rëndësishëm është edhe mosfunksionimin e Kuvendit. Ju keni Parlament, por nuk shoh se po bën gjërat që duhet t’i bëjë”, theksoi Vanhoutte në takimin e fundit me gazetarë.

Është veçanërisht e çuditshme sjellja e BDI-së, parti që tashmë 13 vite fiton zgjedhjet me proklamime pro-evropiane dhe pro-perëndimore. Parti që gjatë gjithë këtyre viteve, gëzonte përkrahje të madhe evropiane dhe sidomos amerikane, ndoshta jo dhe aq për vlerat e tyre demokratike, por si përfaqësuese e popullit shqiptar në Maqedoni. Partia e Ali Ahmetit arriti që të harxhojë gjithë këtë mbështetje, me disa veprime të njëpasnjëshme viteve të fundit, në kundërshtim të plotë me vlerat perëndimore.

BDI-ja, por edhe VMRO DPMNE-ja do ta kuptojnë ende më qartë se liria e medias është dominoja e parë, që po e shkelën, dominoja e fundit doemos do t’i godasë nga prapa. Bllokimi i xhirollogarive bankare, renditja në lista të zeza dhe hapja e proceseve gjyqësore jashtë vendit, janë dominotë që kërcënohen mbi kokën e pushtetit të Maqedonisë. Jo më kot, Vanhoutte përmendi edhe shembullin Bjellorus, që shumë shpejtë mund të bëhet realiteti maqedonas.

Nga ana tjetër, është pikëpyetje nëse  disa gazetarë dhe media,  e meritojnë lirinë për të cilën angazhohet komuniteti ndërkombëtar. Ata vazhdojnë që, në vend të shtypësve të kësaj lirie, t’i vënë në shënjestër lajmëtarët për mungesën e saj.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja