verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

“Larja” e biografive: Shembulli me “pensionimin” e njeriut të parë të sigurisë publike

on 13 - 08 - 2013       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Shkruan Ljubomir Kostovski

„Миење“ на биографиите: Пример со „пензионирањето“ на првиот човек за јавна безбедност

Fotografia: amslerPIX

Në gazetari përgatitja e njëlloj biografie për ndonjë personalitet të njohur kryesisht është çështje e pedantërisë redaktuese në stilin “asgjë të mos na befasojë”.

Redaksitë e mëdha, duke u përgatitur për vdekjen e personaliteteve të këtilla, kur ata sëmuren ose kur hyjnë në moshë kur është e qartë se u afrohet fundi i jetës, bëjnë tekst të cilin vetëm e nxjerrin nga fioka kur në redaksi do të vijë kërkesa e parë nga familja e tij për hapësirë në rubrikën për lajme pikëllimi.

Pak më e ndërlikuar është situata kur bëhet ndonjë biografi e rastit për ndonjë njeri të gjallë, me rastin e përfundimit të ndonjë periudhe të angazhimit profesional për të cilin ai ka qenë i njohur. Në qoftë se media është e pavarur, gjithsesi se pritet që storjet e tilla të jenë përzierje e veprimeve të mira dhe të këqija të personit në fjalë, por shumë shpesh në mediat tona, veçanërisht gjatë socializmit, por edhe tani, kur një parti është një kohë të gjatë në pushtet, ndërsa media opozitare praktikisht edhe nuk ka, bëhet përpjekje që të bëhet njëfarë “përcjelljeje” profesionale e personaliteteve të tilla.

Mediat keqpërdoren për “fshirjen e gjurmëve”, me qëllim që gjurmuesit e ardhshëm,  eventualisht të pavarur, të të dhënave, të mos gjejnë ndonjë gabim në karrierat e funksionarëve të tillë të privilegjuar publikë.

Përcjellja në pension e drejtorit të Byrosë për siguri publike, Ljupço Todorovski (54), i cili e shfrytëzon stazhin e benificuar, u shënua në pothuajse të gjitha mediat e Maqedonisë, në pjesën më të madhe me të ashtuquajtura intervista të dedikuara, ku me pyetjet nxitej vetëlavdërimi i tij dhe radhitja e operacioneve të suksesshme në të cilat ka marrë pjesë ai ose që janë realizuar me urdhërin e tij.

Arsyet për një qasje të tillë, të takimeve që qartë janë të spin-uara nga mediat (të gjitha kanë ndodhur brenda një ose dy ditëve dhe të gjitha i përmbajnë pothuajse pyetjet e njëjta!), gjenden në nevojën që nëpërmjet tij të lavdërohet suksesi i qeverisë në fushën e sigurisë publike, të “mbyllen” shumë afera që ndërlidhen me punën e tij dhe e treta – të mundësohet fillim “i pastër” në profesionin e ri: të profesorit.

Që në shekullin e 19, matematikani i njohur anglez dhe njeriu i cili konsiderohet baba i kontabilitetit – Çarls Babixh, flet për tre metoda që përdoren në procesin e interpretimit të lirë të fakteve, e të cilat brifimi politik dhe gazetaria shërbyese i shfrytëzon në procesin e larjes së biografive: falsifikimi, stolisja dhe ”gatimi”.

Me falsifikim nënkuptohet shpikja e fakteve, stolisja është një lloj “masazhi kozmetik” ose zbukurim i fakteve, që ato të jenë më të pranueshme dhe në fund me “gatim” nënkuptohet lënia anash e fakteve që do ta pengonin fitimin e të vërtetës përfundimtare.

Për shembull, me rastin e shkuarjes në pension të Todorovskit u dha kjo statistikë:

“Gjatë viteve të kaluara Byroja për siguri publike, e cila udhëhiqej nga zotëri Todorovski (gjegjësisht prej fundit të gushtit të vitit 2006 e deri në fund të marsit të këtij viti) arriti rezultate të konsiderueshme në të gjitha sferat e punës së saj. Kështu, në aspekt të kriminalitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe janë zbuluar 5.177 vepra penale nga fusha e kriminalitetit ekonomik dhe për këtë gjë janë denoncuar 7.312 kryerës të këtyre veprave, dhe është shkaktuar dëm material në vlerë prej rreth 18,5 miliardë denarësh”.

Në pjesën e NT jepen numra të tjerë, e kështu është edhe me disa fusha të tjera të kriminalitetit. Por, statistika shërben vetëm nëse ajo bën krahasim të  madhësive të njohura matematikore (përndryshe është përmendje e thjeshtë e numrave), që të mund të sqarojmë pse ai numër i veprave të zbuluara penale do të ishte ose nuk do të ishte sukses, gjegjësisht çfarë kanë qenë rezultatet në periudhat e tjera kur i lartëpërmenduri nuk ka qenë në atë funksion! Përndryshe, ajo është vetëm shfrytëzim i statistikës për zbukurim të thjeshtë të fakteve.

Në këtë drejtim, të përmendim se është e njohur se në gjyq u liruan pjesa më e madhe e të arrestuarve në aksionin spektakolar “Syri i gjarpërit” (1 dhe 2), se nuk u dëshmua se a ishte ai proces nën nivelin spektakolar të arrestimit në rastin e kriminalitetit kundër anëtarëve të komisioneve invalidore, se departamenti për luftë kundër kriminalitetit të organizuar, përveç në rastin me bosin e mafisë, Sejdiu, në asnjë rast tjetër nuk kishte sukses që meriton të gjendet në faqe të parë.

Maqedonia në kohën e tij shënon një numër jashtëzakonisht të madh të vjedhjeve të organizuara në banka, posta, dërgesa postare, këmbimore dhe bastore, ndërsa numri i autorëve të kapur, e veçanërisht suksesi në rikthimin e parave, është pothuajse kurrfare!

Madje një statistikë e tillë nuk evidentohet dhe askund nuk është publikuar në mënyrë të veçantë edhe pse bëhet fjalë për vepra të rënda penale, diku të shoqëruara me vrasje, që flet për praninë e madhe të “gatimit” të fakteve, gjegjësisht të lënies së tyre anash kur nuk janë të favorshme.

Maqedonia në kohën e Todorovskit shënon numër rekord të personave të humbur, vrasje të pasqaruara (të përkujtohemi në rastin me gratë kërçovare, pastaj vajza nga Mariova, shumë fëmijë nga rajoni i Kumanovës të cilëve u humbet çdo gjurmë)…

Madje edhe në rastet kur policia, gjegjësisht Todorovski suksesin ia përshkruan vetëvetes, duhet theksuar se ai nuk mjafton, ndërsa аutorët kryesorë të veprave kriminale nuk janë kapur nga organet e drejtësisë (Stuhia malore, Мonstra), dhe për shkak të përfundimit të keq të aksioneve, kishim zbatim selektiv të drejtësisë (jo të qëllimshëm, por real), e poashtu jemi larg edhe nga emrat e vërtetë të organizatorëve, që mund të thuhet edhe për aksionin më spektakolar për ndërprerjen e tregtisë me drogë (rasti Çoçorovska), ku nuk është zbuluar rrjeti i lojtarëve kyç, strehuesit e kriminelëve në shërbimet publike dhe të ngjashme.

Kështu, diçka që në bazë është afër të qenit mossukses në një aksion (lehtë në gjyq mund të dështojë edhe akuza pas aksionit Monstra), shndërrohet në sukses të policisë, gjegjësisht në këtë rast të ndihmës-ministrit Todorovski.

Për Todorovskin mbeti afera e madhe me orën “Iblo” të cilës nuk iu gjet “gjurma” se si u gjet në dorën e këtij funksionari të lartë, si dhe afera me magjistrimin e tij ekspres dhe doktorimin e shpejtë. Përsëri ky është qëllim i qartë për pastrimin e biografisë së tij.

Nuk dihet se çka do të ligjërojë profesori i ardhshëm Todorovski, por studentët e tij le të mësojnë edhe nga leksionet e matematikanit Babixh.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Leksioni gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e leksionit gazetaresk është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.