verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Analizë: “Desorosoizimi” dhe mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni

on 25 - 01 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

|Analiza për “Desorosoizimin” dhe mediat në gjuhën shqipe në Maqedoni është hulumtim gazetaresk që analizon raportimin e një pjesë të mediumeve për këtë çështje, duke përfshirë edhe mendimin e ekspertëve apo gazetarëve profesionist|.

press

 


Shkruan: Adrian KERIMI

Fushata e partisë qeverisëse VMRO-DPMNE-së kundër Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni (apo kundër “Soros”-it), nuk la pa prekur edhe mediet. Thënë realisht, kjo nuk ishte një çështje e panjohur për publikun, por intensifikimi i saj së fundi, gjatë periudhës parazgjedhore, por edhe gjatë vakuumit deri në formimin e qeverisë së re, i dha dimension të veçantë çështjes së “desorosoizimit” në skenën publike dhe politike në Maqedoni.

Në dhjetëra qëndrime të zyrtarëve të VMRO-DPMNE-së thuhej se “desorosoizimi” do të fillojë nga mediet që financohen nga Sorosi, OJQ-të dhe institutet. Përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, mediet dhe gazetarët, të cilët sipas tyre financohen nga Sorosi, i quajtën “dushmanë të gazetarisë”.

Përkundër qëndrimeve dhe akuzave që vinin prej zyrtarëve të kësaj partie, shumë mediave nuk iu bë vonë të qëndrojnë neutral ndaj akuzave të shigjetuara drejt tyre. Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase heshtën, me qëllim që mos të “ngjyrosen” si të financuara nga Soros, ndërsa, si zakonisht, megafonët e partive mes mediave propaganduan këtë çështje më shumë se vetë partitë.

Sigurisht se në këtë luftë të vetëshpallur të VMRO-DPMNE-së ndaj Sorosit, u prekën edhe mediat në gjuhën shqipe. Megjithatë, të pakta ishin ato, të cilat i kushtuan vëmendje kësaj çështjeje nga aspekti i mbrojtjes së gazetarisë dhe lirisë së shprehjes.

Po të bënim një sublimim të mënyrës së informimit të tre mediave të ndryshme me influencë në opinion, të cilat i kemi përfshirë në analizë, ai do të dukej kështu:

alsatAlsat M- Për çështjen e “desorosoizimit” të Maqedonisë ka raportuar në mënyrë objektive, duke iu referuar më shumë burimeve, duke raportuar nga çdo kënd ku ka prekur çështja në fjalë. Në kronika televizive janë inkuadruar komunikologë, analistë, ekspertë, gazetarë. Po ashtu, temës i është kushtuar edhe emision debativ në “Rruga drejt…”. Në lajmet e televizionit Alsat M, hapësirë mediatike kanë siguruar edhe organizatat, të cilat kanë dalë në mbështetje të “desorosoizimit” të Maqedonisë.

 

zhurnalzhurnal.mk- Portali informativ zhurnal.mk, për çështjen në fjalë nuk ka raportuar në mënyrë gjithëpërfshirëse, por kryesisht nga prizma e ngushtë politike. Redaksia nuk ka trajtuar kënde tjera në këtë temë, ndërsa herë pas here ka informuar vetëm pas reagimeve të dërguara, kryesisht nga dy partitë që më së shumti janë përplasur për këtë çështje.

 

gazeta lajm

Gazeta Lajm- E përditshmja LAJM ka shkruar në mënyrë kronologjike, duke publikuar përmbajtje gjithashtu edhe në platformën online të saj – lajme, opinione dhe njoftime nga konferenca kushtuar çështjes së “desorosoizimit”. Nga ana tjetër, më pak vëmendje i ka kushtuar organizatave, të cilat dolën në mbështetje të partisë politike VMRO-DPMNE dhe nismës së saj për “desorosoizim” të Maqedonisë.

 

Përgjithësisht, mund të përfundojmë se mediet në gjuhën shqipe në Maqedoni kanë raportuar në mënyrë të ndryshme dhe varësisht politikave redaktuese. Mirëpo, një gjë është evidente, kjo temë ishte shumë më pak e pranishme sesa te mediat në gjuhën maqedonase. Ndoshta edhe për shkak të asaj se kur vështroni emrat dhe organizatat e lakuara në këtë “diskutim” në media, shumë pak prej tyre janë shqiptarë dhe mund të zgjojnë kërshërinë e publikut shqiptar.

 

Ekspertët dhe gazetarët: Kjo është shpërqendrim i vëmendjes

Ekspertët konsiderojnë se pushteti po tenton të shpërqendrojë publikun nga problemet reale dhe, më qëllim, përmes instrumenteve mediatike, po kthen vëmendjen drejt këtij ‘procesi’ duke deklaruar se shteti është “në rrezik” nga fondacioni Soros dhe disa OJQ e media të financuara prej tij.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani pohon se me veprime si këto të fundit, pushteti i deritanishëm po kthen vendin në totalitarizëm, e bashkë me të edhe qytetarët dhe mediumet.

Naser Selmani, Kryetar i SHGM-së
“Mendoj se kjo është një papërgjegjësi shumë e madhe e njerëzve që drejtojnë mediat. Ata mendojnë se loja e Nikolla Gruevskit është naive. Unë prandaj potencova se kjo nuk është aspak lojë naive. Gruevski në fakt po tenton ta zyrtarizojë politikbërjen e Vladimir Putinit në Maqedoni. Ka disa media që financiarisht mbështeten nga fondacioni i Sorosit, por kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme. Kjo praktikë është gjithkund në vendet e lira dhe mendoj se këto para nga fondacione të tilla shkaktojnë frikë dhe panik vetëm në vendet totalitare siç është Maqedonia” .

Raportimi i medieve në këtë periudhë ka qenë edhe element studimi dhe analizimi edhe në Institutin Maqedonas për Media. Drejtoresha e këtij instituti, Biljana Petkovska thotë se veprim të mirë kanë bërë vetëm mediat, të cilat kanë dekonspiruar propagandën politiko-partiake dhe janë treguar të përmbajtura në këtë çështje.

Biljana Petkovska, Drejtore e IMM-së
“Bëhet fjalë për helmim të publikut, duke imponuar tema dhe duke shpikur probleme në llogari të problemeve reale, qoftë në aspekt politik apo sferën mediatike. Mediet duhet që në këtë periudhë të jenë të kujdesshme dhe të mos bëhen viktimë e asaj që ua imponon propaganda politike, si tendencë që eterin ta shpërqendrojë nga problemet reale ku përqendrohen edhe qytetarët, ndërsa  problemet reale politike shmangen atje ku u gjen vend gazetaria jo objektive dhe e papërgjegjshme”.  

Komisioni për ankesa pranë Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë ka përcjellë me vëmendje mediet në këtë periudhë, përderisa VMRO-DPMNE ditë e më tepër ka zgjeruar frontin e saj, me organizata përkrahëse dhe përmbajtje mediatike jashtë standarteve etike. Gazetari Filip Gjurçinovski, anëtar i KEMM,elaboron gjerësisht qasjen e mediave, duke theksuar në mënyrë të qartë dhe kronologjike rolin e fondacioneve dhe mediave në aktivitetet e tyre. Gjurçinovski raportimin e konsideron kryesisht të njëanshëm.

Filip Gjurçinovski, Këshilli për ankesa pranë Këshillit për Etikë në Media
“Se pari, një pjesë e madhe e mediave u kyçën në propagandë partiake. Gazetarët nuk kishin kontribute bazike, kanë informuar njëanshëm dhe nuk i kanë dhënë të drejtën palës tjetër që të thotë qëndrimin. Gjithashtu nuk i kanë trajtuar të gjitha aspektet e kësaj teme. Dua të citoj nenin 20 të Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Qytetarëve u garantohet liria e bashkërendimit me qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe të drejta të tjera themelore. Qytetarët mund lirshëm të themelojnë shoqata dhe parti politike, të anëtarësohen në to dhe të përshkallëzojnë aktivitetet”.

Si njiohës i rrethanave, as Gjurçinovski nuk mohon se prapa të gjitha deklarimeve të VMRO-DPMNE-së dhe zyrtarëve të saj fshihet tendenca për të shpërqendruar opinionin nga problemet reale. Sipas tij, pas akuzave të kësaj partie duhet të vihet në funksion Prokuroria Publike, e cila menjëherë duhet të fillojë hetime dhe të qartësojë çështjet (të potencuar si konflikt interesi) mes fondacionit Soros, mediave, OJQ-ve dhe VMRO-DPMNE-së.

OJO“Konsideroj se “desorosoizimi” është vetëm një klishe partiake për eksploatim mediatik. Mbetem në qëndrimin se nuk duhet të ekzistojë panik tek mediumet kritike, vetëm nga fakti se po të ndodhë “desorosoizimi”, Prokuroria Publike duhet të vërtetojë qasjen kundër-kushtetuese dhe kundërligjore të mediumeve dhe fondacionit. Pushteti dëshiron që me të gjitha OJQ-të dhe mediat kritike të ballafaqohet duke ndaluar Ligjin për shoqata dhe fondacione dhe ta ndryshojë nenin 20 të Kushtetutës”, thotë Filip Gjurçinovski.

Analiza jonë na sjell deri në konstatime heterogjene. Duke iu referuar raportimeve të mediave, “lufta” e VMRO-DPMNE-së ndaj Fondacionit Shoqëri e Hapur, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, është paralajmërim i kësaj partie për hapat e mundshëm që do të mund t’i ndërmarrë si hakmarrje kundër medieve që janë kritike ndaj pushtetit dhe politikave të deritanishme të tij.

Sipas ekspertëve dhe komenteve të tyre, deklaratat e tilla në prapavijë posedojnë qëllimin për të shpërqendruar opinionin nga problemet reale të qytetarëve. Gjithashtu, analiza konstaton se modeli se si komunikon partia e deritanishme në pushtet me mediumet dhe OJQ-të, jep indikacione se vendi është duke u kthyer në rrugë për t’u shndërruar përfundimisht në vend totalitar – sa u përket lirive dhe të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes.

Një tjetër konstatim nga analiza: del se në rast se në praktikë nis lufta kundër këtij fondacioni dhe mediave që financohen nga Soros, vendi do të zhytet edhe më tepër në terr informativ. Krejt në fund, si përfundim prej kësaj që elaborohet në media e prej njohësve të çështjes, është se pushteti i deritanishëm vazhdon të ketë për qëllim që mediet dhe OJQ-të në vend të shndërrohen në një instrument jqoeveritar, por kryekëput të varur nga qeveria.


Kjo analizë është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja