verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Analizë: Kush dhe çka fshihet pas emrit të “redaksisë”?

on 25 - 07 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Adrian Kerimi

Analiza është bazuar në hulumtim të të dhënave që janë publikisht të botuara në 15 portale nga vendi. Qëllimi i analizës është të identifikohet se sa mundësojnë portalet përgjegjësi konkrete për veprat që i publikojnë, si dhe të vlerësohet transparenca dhe besueshmëria e tyre në bazë të informatave të publikuara për redaksitë dhe autorët ne ueb faqet e tyre. Analiza nuk përfshin të dhëna institucionale, e as matje të detajuara kuantitative.

Opinioni çdo ditë e më shumë sulmohet me informacione, ku në të shumtën e rasteve ka baza për të dyshuar në vërtestësinë e tyre, si dhe në autenticitetin dhe autorësinë e përmbajtjes. Dyshime të forta lindin sidomos për një pjesë bukur të madhe të portaleve elektronike, të cilat viteve të fundit janë bërë pjesë e rëndësishme e industrisë mediatike dhe gazetarisë.

Në analizën tonë, jemi munduar të hulumtojmë portalet, të cilat janë ndër më të popullarizuarat te publiku sa i përket konsumimit të lajmeve nga vendi, për të dhënë një shpjegim pak më studioz të dukurisë të cilën e vërejmë përditë edhe ne edhe publiku, botimin e teksteve të cilat janë pa autorësi të theksuar qartë, zakonisht prej redaksive për të cilat ka fare pak ose aspak të dhëna në ueb faqet e tyre. Bazuar në këto veprime, analiza rrjedhimisht tregon se pjesa dërmuese e opinionit nuk e ka idenë se kush qëndron pas një portali ose pas një përmbajtjeje .

Segmentet në të cilat është bazuar analiza janë shtyllat kyçe të cilat (keq)përdoren nga redaksitë e portaleve për të treguar (mos)transparencë ose (pa)përgjegjësi ndaj publikut. Në analizë nuk janë shpalosur emra të autorëve dhe raste kur është shkelur privatësia e ndonjë pale.

Mungesa e të dhënave të redaksisë
Duke analizuar të dhënat që janë në dispozicion në ueb faqet e analizuara, mund të konstatojmë se një pjesë e madhe e portaleve nuk kanë redaksi, por edhe nëse kanë, i fshehin ato. Në pak prej tyre funksionon hierarkia profesionale, kryeredaktor – redaktor – gazetar. Përveç që nuk kanë një emër të shpallur publikisht, i cili është “i zoti i shtëpisë”, portalet zakonisht edhe fshehin të dhënat e tyre. Lexuesi ose burimi, i cili dëshiron të kontaktojë me portalin, nuk mund të komunikojë me burimpranues të sigurtë ose të qartë, pasi që posedon vetëm mundësinë kontakto  si kategori në menynë e portalit, e nuk është e qartë se kush e pranon porosinë elektronike që dërgohet përmes këtij formulari. Në të shumtën e rasteve mungojnë adresa tokësore, numri i telefonit, që janë mënyra të zakonshme dhe akoma dominuese për komunikim.

Kontakt FAKTE.NET

Nga 15 portalet e hulumtuara, rubrika Impresum nuk ekziston tek 75% e tyre. Respektivisht, në këtë rubrikë, me redaksitë mund të komunikosh dhe të dish se kush ka përgjegjësinë konkrete redaktuese vetëm te: Gazeta Lajm, Agjencia INA, si dhe Portalb.mk, si shembulli që ka shkuar më së largu në transparencë duke publikuar të gjitha të dhënat e duhura: shpalos të dhënat si kontaktet, adresat dhe emrat e anëtarëve të redaksisë. Nga ana tjetër, një pjesë tjetër e portaleve si: zhurnal.mk, nuk ofrojnë të dhëna, madje në kategorinë impresum, në vend tël të dhënave për redaktorët dhe anëtarët e redaksisë, flitet për historikun e saj. Njëjtë është rasti edhe me redaksinë e aktuale.mk, në impresumin e të cilës nuk jepet asnjë e dhënë e vetme. Të dhëna në këtë kategori në meny të ueb faqeve nuk ka as në portalet fakte.net, telegrafi.com, almakos.com, tetovasot.com, etj.

Impresum AKTUALE.MK

Ekspertët, funksionimin e portaleve e shohin në dy këndvështrime. Sipas tyre, portalet informative ndahen në ato të cilët informojnë dhe në ato të cilat propagandojnë apo manipulojnë. Profesoresha nga Instituti për Studime Komunikuese dhe Shkolla e Lartë për Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun, Zhaneta Trajkoska, konsideron se një numër i madh i portaleve shfrytëzohen nga mediat profesionale si burim informacioni, duke hedhur dyshime se po të njëjtat portale u takojnë atyre mediave. Trajkoska shton se është përgjegjësi e gazetarëve profesionistë që të edukojnë publikun se këto portale nuk janë në shërbim të interesit publik.

“Internet portalet në Maqedoni, të cilat identifikohen rrejshëm si mediume, për fat të keq, u bëjnë dëm shumë të madh atyre portaleve informative, të cilat e kryejnë me profesionalizëm punën e tyre. Këto portale nuk janë mediume, ato janë thjeshtë zëra propagandues dhe mjet për manipulim. Ne duhet t’i informojmë dhe edukojmë qytetarët se këtyre portaleve informative, të cilat nuk posedojnë IMPRESSUM, nuk kanë informacione kush është kryeredaktor, cilët janë gazetarët që punojnë në atë portal, nuk duhet t’u besohet dhe të llogariten si medium. Tekstet a panënshkruara (pa emër dhe mbiemër autori), janë sinjali i parë se prapavija e portalit nuk është të informojë, por të manipulojë”.

Autorët
Shpeshherë, përmbajtjet në portale nuk kanë autorë, por bashkë-autorë. Shumica e artikujve, përjashtim atyre që janë plagjiate (të kopjuara nga mediat tjera), nuk kanë emra autorësh. Përjashtime janë e portali telegrafi.com (platforma në Maqedoni) dhe portalb.mk që shpalosin me emër dhe mbiemër autorët e artikujve. Ndërkaq, zhurnal.mk, shpalos vetëm inicialet e autorëve.

Impressum PORTALB shembull adekuat

Profesori dhe gazetari Nazim Rashidi mungesën e të dhënave në një portal dhe produktet kushtimisht mediatike që dalin nga to i rrumbullakon në një shprehje, “hapësirë e një ose disa personave”. Rashidi thekson faktin se në mungesë të identitetit të gazetarit dhe redaksisë, botimet nuk janë publike, por private.

“Portalet të cilat nuk kanë redaksi, në fakt do të duhet të trajtoheshin si një hapësirë e një ose disa personave, të cilët mund të botojnë çfarë të duan, por jo dhe një medie serioze. Pse? Sepse çdo media ka një redaksi dhe hierarki! Ka gazetarë dhe redaktorë, të cilët para çdo botimi komunikojnë, verifikojnë dhe mbi të gjitha mbajnë përgjegjësi për atë që shkruajnë. Nga ana tjetër, nuk duhet ngatërruar mediat online që janë serioze, që përdorin teknologjinë e re, por nuk shpërbëjnë rregullat e gazetarisë. Atë që publiku duhet të dijë është se një medie serioze ka të dhëna të qarta se ku gjendet, kush shkruan, dhe ku mund të drejtohet secili nëse ka ndonjë reagim. Nëse këto elemente nuk përfshihen, atëherë kemi të bëjmë me përzgjedhje botimesh private, të cilat nuk janë gazetari”.

Praktikën e fshehjes së autorit pas emrit të portalit, mediat në fjalë e kanë aplikuar edhe falë realitetit se pas artikujve mund të qëndrojnë edhe gazetarë që nuk kanë bërë punën në terren, pa përgatitje adekuate dhe jo profesionistë.
priracnik mediumi 11 03 2016 ALB.pdf

Përgjegjësia
Për cilin do lajm të publikuar, qoftë e vërtetë e hidhur, prekje e ndjenjave, nxitje e urrejtjes, dhunës ose diskriminimit apo edhe spekulim dhe shpifje, portalet (me përjashtim të atyre që janë serioze) nuk mbajnë përgjegjësi! Për më tepër, nuk është e rallë që mu ata që nuk janë transparent ndaj publikut të reagojnë dhe të identifikojnë vetveten si viktimë, pas reagimeve që u adresohen në redaksi.

Një model i tillë i reagimit së fundi është vërejtur nga zhurnal.mk , gjatë një polemike dhe përplasjeje publike me Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Bazuar në analizë, është vërejtur se në disa raste, pas reagimeve që vijnë nga palët e apostrofuara në artikujt që nuk kanë elementet profesionale për identifikim të përgjegjësisë, redaksitë heqin shkrimet nga ueb-faqet.

Publikimet – etika dhe normat morale
Portalet shpeshherë nuk kanë kujdes në publikimet e tyre sa u përket elementeve etike dhe standarteve të zakonshme morale të shoqërisë. Thënë të drejtën, paralajmërimet ligjore (+18) i shkruajnë para titullit vetëm për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. Në foto lajme vendosen fotografi intime, ndërsa në të shumtën e rasteve në përmabjtje vërehehe cilesime dhe kualifikime.

Trajkoska i cilëson këto veprime si qëllime dashakeqe të një pjese të portaleve, gjë të cilën e argumenton me videon e publikuar nga shumë prej tyre, në të cilën shfaqej momenti kur u godit për vdekje Almiri 4 vjeçar nga Kumanova.

“Kur bëhet fjalë për materiale specifike të cilat në vete përmbajnë fotografi apo incizime nga fatkeqësi, krime, vraje etj, mediumi, respektivisht ekipi redaktues duhet ta mendojë dhe vlerësojë mirë nëse ka ose jo interes publik, publikimi i atij materiali. Konsideroj se vendimi i atij që e ka poseduar incizimin, ka qenë që pas publikimit të krijojë përçarje shtesë duke pasur parasysh shoqërinë gjaknxehtë në Maqedoni të nxisë tensione ndëretnike. Qëllimi më dashakeq është që të fitojë ndonjë klikim plus në ueb faqen e tij. Assesi nuk është rast ku mund të thuhet se ata që kanë publikuar incizimin kanë pasur në mendje interesin publik, çfarë të reje do të mësojnë qytetarët apo edhe interesin e familjes së Almirit të vogël. Në të kundërtën, ai incizim u përdor në kontekst më të gjerë në shoqëri, por, për fat të mirë, nuk u ndezi”.

Një shkelje tjetër e papërgjegjshme nga ana e portaleve është edhe publikimi i identiteteve të personave të ndryshëm në çështje të caktuara, pa aplikuar standartet për ruajtjen e privatësisë. Ka raste kur edhe publikohen fotografi të fëmijëve në moshë të mitur, e posaçërisht kur raportohet për nxënës, sherr në shkolla, aksidente trafiku ku viktimë janë fëmijët dhe raste kur VIP-at bëjnë fotografi me fëmijë.
Në këtë kontekst, është patjetër të theksohet se në këto publikime, përmbajtjet e tyre në vete përfshijnë edhe indikacione për urrejtje, madje edhe nxitje dhune. Përveç kësaj, disa herë media të tilla botojnë artikuj ku folësit e tyre përdorin fjalor jo etik, duke harruar që përgjegjësia e gazetarit përfshin edhe përgjegjësi për qëndrime të folësit, nëse ato paraqesin ose inkurajojnë vepra penale.

Privatësia
Mediat dinë, me ose pa dashje, të ndërhyjnë në privatësinë e individit. Shpeshherë kjo ndodh jo për arsye tjera, përveçse për të bindur sa më shumë opinionin se redaksia ka burime ekskluzive dhe se posedon informacion, duke publikuar informacione shumë private. E drejta e gazetarit apo mediumit mbaron aty ku fillon e drejta e palës tjetër dhe kjo nuk do më tepër diskutim. Përjashtim në këtë kuptim bëjnë funksionarët publik që paguhen me para të qytetarëve, por jo edhe për të ndërhyrë dhe shpalosur publikisht çështje nga jeta private që nuk kanë të bëjnë ose nuk ndikojnë në mënyrën se si ata e kryejnë detyrën publike. Sipas praktikës botërore (e cila është përcjellë edhe në legjislacionin e Maqedonisë), gazetarët kanë të drejtë të publikojnë të dhëna personale (pa pëlqim), në qoftë se me këtë mbrohet interesi publik.

“Është e detyrueshme që të anonimizohen të dhënat personale të personave të mitur, të mjegullohen fytyrat e tyre, të ndryshohet zëri, të publikohen iniciale në vend të emrit dhe të mbiemrit dhe të zbatohen të gjitha masat e nevojshme që të pamundësohet identifikimi i tyre”, shkuan Vllado Gjorçev në leksionin gazetaresk mbi të drejtën e gazetarëve për të informuar dhe privatësinë.

Portalet shpesh shkelin etikën profesionale
Respektimi i etikës dhe rregullave profesionale gazetareske shpesh mungon te portalet. Kjo dëshmohet me artikujt dhe përmbajtjet e shumta, të cilat publikohen përditë, e ku pothuajse në çdo prodhim ditor të artikujve të shumicës prej redaksive mund të gjendet përmbajtje ku është bërë ndonjë shkelje e parimeve, qoftë në sferën e njëanshmërisë, qoftë të bëhet fjalë për tekste tendencioze, e jo rallë edhe për shpifje. Për të këto shkelje redaksitë zakonisht nuk mbajnë përgjegjësi, kjo nga fakti që të njëjtat bëhen gjithnjë në rrethana anonimiteti.

  • Njëanshmëria
    Në shumë artikuj gazetaresk të portaleve dominon njëanshmëria. Në tekste, në shumë raste jepet vetëm qëndrimi njërës palë, ndërsa shumë rrallë thuhet se redaksia ka kërkuar qëndrim nga pala tjetër e apostrofuar. Për më tepër, më pas një numër i tyre as nuk i përcjellin edhe reagimet e palës tjetër.
  • Komenti
    Në artikuj, autorët gjërat i marrin afër zemrës dhe me emocion. Për raste të ndryshme jepen qëndrime të gazetarit sikur të ishin fakte, ndërsa publikut i imponohet qëndrim duke komentuar jashtë etikës profesionale. Në disa raste shkrimet e tilla kategorizohen në rubrikën adekuatë të opinioneve apo komenteve, por në 99% të rasteve ato publikohen si lajme.
  • Keqinterpretimi
    Deklarata të ndryshme, të cilat arrijnë t’i marrin prej mediave tjera profesionale pa lejen e tyre, portalet në të shumtën e rasteve i keqinterpretojnë, me qëllim për të nxitur lexueshmëri dhe reagime në publik. Keqinterpretimi i qëndrimit të palës, e cila bashkë me gazetarin përbën lajmin, është shkelje e rëndë profesionale, ndërsa për raste të tilla parashikohen edhe masa ligjore.
    Shpeshherë, portalet i marrin qëndrimet e tilla, i përshtatin sipas dëshirës së tyre dhe i transmetojnë. Ka edhe raste kur sajohen deklarata në emër të një personi tjetër.
  • Titujt tendencioz
    Titujt vendosen si të pamenduar mirë, ose si të menduar për të keq. Ka shumë raste ku ato ose janë të pakuptimtë, të gjatë dhe të vështirë për t’u kuptuar në lexim të parë, ose nuk korrespondojnë aspak me përmbajtjen. “Titulli duhet paralajmërojë tekstin”, thuhet shkurt, qartë dhe kategorikisht në Kodin etik.
    Ka raste kur në tituj vendosen paralajmërime të rrejshme, si dhe raste të tilla ku portalet keqpërdorin ndjenjat e lexuesve. Në këto raste, në tituj raportohet për luftë, grupe të armatosura, vrasës serik dhe në fund të tyre shtohet (FOTO ose VIDEO), por që në fakt, në fund të tekstit bashkangjitur vendosen video dhe fotografi të vjetra të cilat datojnë prej kohësh ose prej vendeve tjera.
  • Burimet dhe plagjiatura
    Në disa portale kanë ndikuar mediat por edhe paralajmërimet për kërkim përgjegjësie që këta të parët të citojnë burimet gjithnjë e më shpesh. Megjithatë, klisheja e krijuar tashmë nëpërmjet mundësisë së kopjimit vazhdon. Mbase, kjo është mbijetesa e vetme përmes së cilës mund të funksionojnë portalet që nuk kanë resurse të mjaftueshme njerëzish dhe redaksi funksionale, ku qartazi duket bërë përjashtim të atyre redaksive që kanë forma të ndrshme por transparente të këtyre strukturave dhe që funksionojnë edhe në terren. Mirëpo, akoma ekziston bindje te një pjesë e portaleve se mos citimi i burimeve paraqet thyrje të të drejtësa autoriale dhe formë plagjiature, dhe këtë akoma e llogarisin si të drejtë të tyre absolute.

Kur flitet për plagjiaturën, profesori dhe gazetar Rashidi shton se portalet përçojnë lajmet e mediave profesionale, duke mos e ditur se bëjnë plagjiat.

“Duhet bërë dallimi mes portaleve që vetëm përçojnë lajme të medieve të tjera dhe atyre profesionaleve që kanë redaksi të plota. Reagimet që vinë  kundër portaleve nuk janë për shkak të teknologjisë, por për shkak të jo profesionalizmit. Vetëm para pak kohe, gazeta e njohur britanike “Indipendent”, vendosi të dalë vetëm online. Mbase kjo është e ardhmja. Por ajo nuk e shkriu redaksinë”.

Përfundimi nga monitorimi i punës së 15 portaleve elektronike, është se nevoja ekziston që moti për monitorim ligjor të tyre dhe përgjegjësi, mirëpo këto mekanizma do të duhet të përdoren në mënyrë adekuate dhe të drejtë, që të mos shndërrohen në kunder-efekt dhe të ngulfasin lirinë e të shprehurit. Deri më tani, në Republikën e Maqedonisë nuk është marrë iniciativë më masovike dhe më e qartë në këtë drejtim, megjithatë, pasoja nga shkelja e rregullave të lartpërmendura kanë pasur disa portale, që dëshmon se mundësi për sanksionim ka, gjë që duhet të vetëdijësojë portalet që sa më shpejt të fillojnë të përmirësojnë performancat e tyre në kategoritë që analizuam dhe të punojnë në bazë të standarteve. Kjo gjë, jo vetëm se do të zvogëlojë dukshëm rrezikun nga përgjegjësia dhe sanksionet, por do të rrisë kualitietin dhe besueshmërinë në përmbajtjet, e me këtë edhe lexueshmërinë dhe performancat komerciale të mediave online.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja