verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Shërbim për verifikim të fakteve në media

Projekt i USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni
USAID Logo

BE-ja i dha fund propagandës qeveritare të financuar me para të popullit

on 25 - 06 - 2015       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht, Anglisht
8557468132_78c94bbac7_z
Johanes Han, negociatori kryesor i BE-së për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Foto: EPP, 2013

 

 

Prioritetet e Bashkimit Evropian në pjesën e mediave, e veçanërisht rekomandimet e ekipit të ekspertëve të Unionit për gjendjen e mediave në Maqedoni, në kuadër të zgjidhjes së krizës aktuale, vendosën korniza të qarta, jashtë të cilave nuk mund të dilet që edhe më tej të zbatohen akrobacionet politike jodemokratike manipulative dhe haptazi kriminale të pushtetit, kur bëhet fjalë për ndikimin e tij mbi fuqinë e shtatë në vend.

 

Shkruan: Vlladimir Petreski

 

Edhe pse duhet të shihet se si do të zhvillohet zbatimi i këtyre rekomandimeve dhe edhe pse pushteti akoma ka mënyrë që në mënyrë jodemokratike të ndikojë mbi skenën mediatike dhe të bëjë propagandë me karakter putinisit, viktimë e së cilës tashmë një kohë të gjatë janë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, hapësira për veprim e udhëheqësisë aktuale zvogëlohet në mënyrë dramatike.

Ky zvogëlim ka të bëjë veçanërisht me presionet dhe manipulimet me Radio-televizionin e Maqedonisë, keqpërdorimet e reklamimit qeveritar, nëpërmjet të cilit dhjetëra miliona euro për çdo vit shkonin në llogaritë e mediave proqeveritare, mbylljen e institucioneve me shkeljen e hapur të Ligjit për qasjen e lirë deri te informata, dhe ajo që është më e rëndësishme, t’i jepet fund padive të shumta dhe të pacipa nga kamarilla në pushtet dhe zagarët e saj gazetareskë kundër gazetarisë kritike, përderisa vetë ata, haptazi dhe të padënuar përdornin gjuhë të urrejtjes, që u mundësohej nga gjyqësia e politizuar.

Me nënshkrimin e marrëveshjes ndëraprtiake të 2 qershоrit dhe të аneksit të 19 qershorit nga ana e Nikolla Gruevskit, e me të cilën jepet pëlqim që të zbatohen në vepër të gjitha konstatimet, prioritetet dhe rekomanimet e Bashkimit Evropian, jo vetëm që pranohet ekzistimi i “indikacioneve serioze” se përgjimi është bërë nga ana e DSK-së, për nevojat e pushtetit, por pranohet edhe se të gjitha problemet me të cilat ballafaqohej profesioni i gazetarisë gjatë viteve të kaluara, janë reale, konkrete dhe se faji për to qëndron vetëm në duart e pushtetit.

 

PROBLEMET E MEDIAVE FITUAN LEGJITIMITET EDHE NGA PUSHTETI

Ai nënshkrim, përveç pranimit të pakusht të fajit personal për gjendjen e mediave, paraqet edhe kundërshtim me paraqitjen e kryetarit Gjorge Ivanov në televizionin “Telma” vetëm një ditë më parë, ku ai deklaroi se raporti i “Freedom House”-it paska qenë vetëm “perceptim”. Gruevski, duke nënshkruar se do t’i zbatojë në vepër të gjitha rekomandimet e BE-së, i dha legjitimitet raportit të “Freedom House”-it. si dhe të atyre të “Raportuesve pa kufinj” dhe të IREKS-it për qëndrueshmërinë e mediave, për shkak se këto raporte janë të pranuara si relevante në rekomandimet e ekspertëve të BE-së.

Për dallim nga argumentet e pabaza, të cilat i dëgjojmë në vend për atë se këto raporte janë të financuara nga Sorosi, se janë shkruar nga persona të afërt me opozitën dhe të ngjashme, ekspertët e BE-së, rekomandimet e tyre në lidhje me mediat menjëherë i fillojnë pikërisht duke i cituar konstatimet e këtyre raporteve që t’i përcaktojnë problemet në këtë fushë. Kjo është me të vërtetë një qasje freskuese, pa pasur nevojë për asnjë lloj arsyetimi për shkak se bëhet fjalë për hulumtime të pranuara ndërkombëtare, që zbatohen me metodologji objektive. Propaganda qeveritare këto ditë shkon deri atje sa thotë se vetë BE-ja paska qenë e manipuluar nga këto raporte. Kjo do të thotë se autorët e tyre nga vendi, së pari i kanë mashtruar këto tre organizata, e pastaj ai mashtrim ka vazhduar edhe ndaj vetë BE-së. Kuptohet, kjo është vetëm një teori e keqe dhe qesharake e konspiracionit dhe duhet të jeni larg realitetit që me të vërtet të pajtoheni me saktësinë e një konspiracioni të këtillë gjithëevropian kundër pushtetit aktual në vend në fushën e lirisë së mediave.

Nga rekomandimet e ekspertëve për fushën e mediave, më e rëndësishme është ajo ku gjykatave u thuhet se kur do të gjykojnë për lëndë nga fusha e shpifjes dhe ofendimit, këtë duhet ta bëjnë në mënyrë të balancuar dhe të mos u kushtojnë kujdes implikacioneve të mundshme politike nga rasti konkret. Prej tyre kërkohet edhe të “zzhvillojnë praktikë të pastë dhe të fuqishme për mbrojtjen e lirisë së të shprehurit në aspekt të akuzave për shpifje”, e poashtu shtohet edhe se “ndërmjetësimi dhe vetërregullimi duhet të luajnë rol të rëndësishëm në zvogëlimin e numrit të madh të rasteve nëpër gjykata”. Kjo duhet t’u japë fund proceseve politike kundër gazetarëve, ku ata gjykohen vetëm pse kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit dhe më asnjëherë të mos shohim ndonjë aktgjykim ndaj gazetarëve, për shembull, për shkak të publikimit të intervistës me personin që ka qenë në funksionin e ambasadorit vetëm disa muaj më parë, me ç’rast gjykimi bëhet vetëm për shkak se aty ka akuza kundër drejtorit aktual të DSK-së, siç ishte rasti kundër kolegëve të javores “Fokus”, të cilin kundër tyre e ngriti Sasho Mijallkovi. Poashtu, thirrja për qasje të balancuar do të thotë ballafaqim me drejtësinë për të gjithë ata që shfrytëzojnë gjuhë të urrejtjes dhe që me të vërtetë shpifin, diçka që deri tani nuk ishte e mundur për shkak të mbrojtjes politike që e gëzonin ata njerëz.

Reklamat qeveritare të blera në mënyrë jotransparente dhe pa asnjë nevojë duhet të ndërpriten menjëherë. Kjo thuhet qartë me fjalët e mëposhtme nga raporti i ekspertëve: “Blerja e përkrahjes politike nga mediat nëpërmjet përkrahjes financiare të tregut mediatik është e papranueshme.” Kjo është shumë me rëndësi për shkak se është shumë e dëmshme edhe për profesionin edhe për demokracinë në vend. Me ato para u korruptua gazetaria, ndërsa pushteti u jepte para pa masë atyre mediave që më së shumti përhapnin mosdurim, madje edhe urrejtje, e nuk kishte nevojë as të ketë tender nëse bëhej fjalë për portal ose medie të shtypur. Te televizionet kishte tenderë, mirëpo atëherë shumat dukshëm më të mëdha të parave u jepeshin televizioneve proqeveritare me arsyetimin se qenkan më të shikuara, ndërsa një ose dy televizione të tjera merrnin shuma simbolike vetëm që pushteti të arsyetohet dhe të thotë se u jep para të gjithëve.

Do të shohim se si do të zhvillohet reforma e RTM-së dhe çfarë hapash do të ndërmerren atje që shërbimi publik radiodifuziv të lirohet nga prangat e pushtetit, nga propaganda e çemndur dhe informimi tepër joobjektiv. Tregues i mirë për këtë do të jetë, gjithsesi, çdo emision i ardhshëm i lajmeve, mirëpo edhe emisionet e ardhshme debative, për shembull, dhe zgjedhja e mysafirëve për to. Nëse vazhdohet praktika që një plejadë e tërë e intelektualëve të lirë dhe gazetarëve kritikë të jenë në “listën e zezë” të RTM-së, sikurse deri tani, atëherë BE-ja do të duhet të intervenojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kërkojë ndryshime konkrete kadrovike.

 

RREZIQET AKOMA EKZISTOJNË

Pushteti gjithmonë mund ta përforcojë dhe, siç thuhet, ta “industrializojë” propagandën, gjegjësisht të fillojë ta prodhojë atë në shkallë industriale. Deri tani, numri i artikujve që mbjellin helm propagandues, burojnë nga partia në pushtet dhe publikohen në portalet që janë më të afërta me pushtetin, e pastaj merren nga të gjitha portalet, televizionet dhe gazetat proqeveritare, ishte një-dy në ditë, që pastaj numri i tyre të rritet në tre deri në pesë gjatë krizës aktuale dhe gjatë publikimit të bisedave të përgjuara. Kjo dinamikë mund të rritet edhe më tutje, të përfshijë edhe mënyra të tjera të shprehjes gazetareske, nëpërmjet video-kontributeve dhe kontributeve të animuara propaganduese të realizuara në mënyrë profesionale, siç bëhet në Rusi, pastaj të përfshijë shpifje për një numër edhe më të madh të gazetarëve kritikë, intelektualëve, aktivistëve dhe të ngjashëm, si dhe të zgjerohet edhe në më tepër media, edhe atë veçanërisht ato lokale, të cilat, së paku deri tani, ishin lënë anash nga përhapja e helmit propagandues proqeveritar.

Veçanërisht brengosëse janë kontratat e paradokohshme krejtësisht të paqarta, me të cilat, disa televizione lokale dhe rajonale në qytete të ndryshme të vendit u blenë nga njerëz të afërt me partinë në pushtet. Kontratat janë tepër të dyshimta për shkak të faktit se gjashtë televizione me pronarë të ndryshëm u shitën në një periudhë shumë të shkurtër kohore edhe atë tre firmave të cilat u regjistruan ditën e njëjtë dhe të cilat, përnjëherë, menjëherë pas shitjes, filluan të emitojnë reklama qeveritare, me ç’rast, disa prej tyre vetëm disa javë pas shitblerjes, treguan fitime të konsiderueshe, që nuk i kanë pasur asnjëherë më parë. Këto kontrata duhet, padyshim, të shqyrtohen nga organet kompetente (policia fiannciare), veçanërisht për shkak se pronarët, të gjithë për një, refuzojnë të sqarojnë prejardhjen e mjeteve me të cilat i kanë blerë televizionet.

Një moment tjetër brengosës janë politikat e pushtetit aktual në lidhje me financiimin e programeve në gjuhën maqedonase për mbrojtjen e gjuhës dhe për zhvillimin e produksionit televiziv nacional. Këtu duhet të bëhet një mbikëqyrje e fuqishme dhe të analizohen me kujdes shumat dhe projektet që financohen, si dhe cilave media u jepen këto mjete. Assesi nuk guxon të lejohet që mjetet të cilat pushteti i ndante për fushata reklamuese të vazhdojë t’i ndajë edhe më tutje, tani vetëm të maskuara me një qëllim tjetër të pretenduar dhe të sigurohet se paratë për këtë produksion do të harxhohen vetëm për të dhe për asgjë tjetër, si dhe ajo të mos ketë përmbajtje politike-propaganduese.

Marrë në përgjithësi, gjendemi në fillim të rrugës që pak nga pak të rregullohet gjendjet në fushën e mediave dhe në raport me presionet politike, mirëpo edhe në përgjithësi (ka rekomandime edhe për kushtet e punës së gazetarëve). Mbetet të shihet se si do të ecin punët, a do të negociohet sërish diçka në lidhje me mediat gjatë negociatave të mëtutjeshme, mirëpo edhe se çka do të ndodhë gjatë gjithë periudhës deri në zgjedhjet e prillit të vitit të ardhshëm, e edhe më pas. BE-ja tani edhe më për së afërmi do t’i shohë dhe do t’i analizojë gjendjet në vend, e në mesin e tyre edhe në media, dhe vështirë se do të lejohet që punët të përkeqësohen përsëri, që pastaj prap të ketë nevojë që përfaqësuesit dhe ekspertët e saj të vijnë në situatë të shuajnë zjarre, siç është ky tani.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Abonohuni për lajmet më të reja