verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Fitimi i lirisë në televizion?

on 22 - 02 - 2016       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht
Да се настапува или не, прашање е сега. Фото: скриншот
Të merret pjesë ose jo, shtrohet pyetja tani. Foto: screenshot

Për shkak se udhëheqësit propagandues televizivë të DPMNE-së (Llatasi, Bogatinova, etj.) shfrytëzohen si “mburojë e gjallë” para Gruevskit, a mund “debati” me ta ta zëvendësojë nevojë për debat me Gruevskin e frikësuar?

Shkruan: Sasho Ordanoski

Në publikun opozitar dhe demokratik të Maqedonisë është duke u zhvilluar një kontest doktrinar: a është dashur/a duhet ose nuk është dashur/nuk duhet që përfaqësuesit e opozitës maqedonase të marrin pjesë në programet e televizioneve të regjimit “Sitel” dhe “Kanal 5”, tani, kur këto televizione u zgjuan nga gjumi i thellë propagandues dimëror dhe vendosën, vetëm për nevojat e statistikave përmbajtësore parazgjedhore, të ftojnë edhe ndonjë nga ata që mendojnë ndryshe për bisedë në terminin kryesor? Qëndrimet janë të ndara, e edhe ata që janë për, edhe ata që janë kundër i marrin parasysh disa pozita parimore.

Ata që angazhohen për të shkuar te mediet e shthurura në aspekt profesional dhe moral, së pari, e kanë argumentin se çdo shpirt i shpëtuar nga ferri propagandues i regjimit ndoshta është fitore e vogël, mirëpo e rëndësishme, e të Mirës kundër të Keqes. Prandaj, opozitarët duhet të paraqiten edhe në studiot e Protugjerit dhe Dimovskit nëse duan të arrijnë edhe deri te vetëdija e njerëzve të cilëve pushteti për çdo natë u fut dyll të shkrirë në veshë nëpërmjet hinkave të “Sitel”-it, “Kanal 5”, “Alfa”-s dhe RTM-së. Kundër-argumenti për këtë tashmë është thënë: e kush në këtë shoqëri akoma nuk e di se çka është duke ndodhur?! Nëse me të vërtetë, pas gjithë asaj që e kaluam në këtë vend,s akoma ka të tillë që nuk janë të informuar, atëherë atyre as Zoti dhe Allahu së bashku, e jo më Zaevi si mysafir në “Sitel”, nuk mund t’u ndihmojnë.

Pastaj, e keni parimin e politikanëve në demokraci, të cilët, në bazë të esencës së këtij funksioni, duhet të shkojnë në debate publike, mediatike, që t’i prezantojnë dhe t’i argumentojnë qëndrimet e tyre. Nëse lejojmë që sjellja e funksionarëve të frikësuar nga udhëheqësia e DPMNE-së të jetë njësi matësve në këtë punë – për shembull “një Gruevski” është i barabartë me tre palë brekë të gjata leshi për duel televiziv, etj. – atëherë në vend që të futemi në ujërat normale të debatit publik për paratë publike dhe punët publike, ne do të futemi në moçalin e propagandës, ku duhma e shpifjeve dhe e kërcënimeve bajate të regjimit mbeten mënyra në të cilën zhvillohet politika.

“DEBAT” ME “MBUROJËN E GJALLË” TË GRUEVSKIT

Megjithatë, kjo na çon në dilemën e ardhshme: Për shkak se udhëheqësit propagandues televizivë të DPMNE-së (Llatasi, Bogatinova, etj.) shfrytëzohen si “mburojë e gjallë” para Gruevskit, a mund “debati” me ta ta zëvendësojë nevojë për debat me Gruevskin e frikësuar? Për shkak se përgjigja në këtë pyetje është JO, atëherë logjikisht parashtrohet dilema e ardhshme: pse, me vetëm pjesëmarrjen në programin e tyre, të legjitimohen në aspekt demokratik gropat e tilla mediatike septike, siç janë “Sitel”-i dhe “Kanal 5”, që ato të kenë arsyetim që propagandën e tyre 24/7 për regjimin ta “mbulojnë” me një intervistë 15-minutëshe me ndonjë përfaqësues të opozitës çdo të hënë të dytë të shkurtit, në vit të brishtë?

Në fund, vjen edhe argumenti i shikueshmërisë së televizioneve tona kryesore propaganduese: për shembull, pjesëmarrjen e Zaevit te Llatasi e kanë ndjekur rreth 230-270 mijë shikues, në televizionin, shikueshmëria e ditarit kryesor të cilit nuk tejkalon një mesatare prej 150.000 shikuesish në ditë në vitin 2016. Kush janë ata rreth njëqind mijë shikues “të rinj” të Sitelit, të cilëve iu është drejtuar Zaevi me paraqitjen e tij atje, e te të cilët nuk arrin Llatasi? Cila është “demografia” e tyre politike? A ia ka vlerë avantura të cilës iu nënshtrua Zaevi për një numër modest prej 100.000 shikuesish “të rinj”? Madje – deklaroj me modesti – se ky tekst që e LEXONI, sipas të gjitha gjasave do ta tejkalojë këtë numër të ekstra-SHIKUESHMËRISË të “Sitel”-it… Për se i gjithë ky cirk televiziv?

DELEGJITIMIMI I APARATIT PROPAGANDUES TELEVIZIV TË PUSHTETIT

Kur do të përgjigjeni në të gjitha këto dyshime legjitime, mua më duket se, duke e lënë anash sikletin e këtij procesi, pjesëmarrja e opozitës në mediet propaganduese të pushtetit paraqet mundësi të rrallë  jo për ta avancuar agjendën opozitare në vend, e as që të fitohet ndonjë sasi e konsiderueshme e votuesve të rinj që do ta mbështesnin atë agjendë, por më tepër për ta turpëruar dhe për ta deligjitimuar vetëm aparatin propagandues televiziv të pushtetit para mbështetësve të vet. Edhe pse kjo, ndoshta, vetëvetiu, është avancim i agjendës së opozitës, ajo duhet të jetë e vetëdijshme se në ato intervista televizive nuk ka asnjë përmbajtje të rëndësishme politike ose bisedë të argumentuar për politika dhe ide, por vetëm bërtitje ndërmjet mysafirit dhe nikoqirit në studion televizive.

Zaevi në intervistën te Llatasi dukej sikur Indiana Xhonsi që është futur në Shpellën e të keqes në kërkim të Gralit të shenjtë të politikës – të vërtetës! Kjo intervistë ashtu edhe përfundoi: Zaevi duke dalur, në vrap, duke qëlluar fij-fuj me kamxhik rreth e rrotull, duke e futur në strajcë në mënyrë dhelpërake bisturinë e Llatasit, ndërsa Perandoria, e hutuar dhe në kaos, duhej të arsyetohej dhe të kërkojë falje (pak në telefon, pak në program) për katastrofën propaganduese që i gjeti. Bogatinova dhe “Kanal 5” janë vetëm një version më i mjerë i asaj që ndodhi në “Sitel”, vetëm se me shikueshmëri më të vogël.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.