verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Georgi Liçovski, të jesh fotoreporter në Maqedoni…

on 14 - 11 - 2015       

Georgi Liçovski është një nga fotoreporterët më të njohur në Maqedoni kurse puna e tij shtrihet edhe jashtë kufijve të shtetit. Dikur ka punuar për gazetën “Nova Makedonija” kurse tani është i angazhuar në “Republika”. Që në vitin 1991, përgjatë gjithë ngjarjeve të rëndësishme si konflikti Ballkanik, lufta e Kosovës, trazirat në Shqipëri dhe lufta e Maqedonisë, ai ka qenë dhe vazhdon të jetë bashkëpuntor i EPA (Europen Pressphoto Agency). Që atëherë, ai filloi të mbulojë edhe ngjarje të rëndësisë së madhe në botë si samitet e BE-së, aktivitetet e papatit dhe ndeshje të mëdha të futbollit.

Georgi-Licovski-200x250Fotografitë e tij shpesh janë publikuar edhe në mediat më prestigjioze botërore. Në këtë intervistë, ai do të flasë për sfidat dhe benefitet e profesionit të tij, për fotografitë dhe për  mosrespektimin e të drejtave të autorit në vendin tonë.

  1. Cili është roli ose rëndësia e fotogazetarisë në sferën e lajmit në përgjithësi në botë?

Fotoreporterët janë pjesë e pandashme e gazetarisë në botë por edhe te ne. Tani më nuk ekziston tekst gazetaresk që publikohet pa qenë i ilustruar me fotografinë adekuate. Fotografia e bën tekstin të besueshëm dhe është fakt i pamohueshëm se diçka ka ndodhur. Kjo gjë flet për rëndësinë e fotografisë si në të kaluarën ashtu edhe sot dhe për në të ardhmen.

  1. Cila është gjendja e fotogazetarisë në Maqedoni? Sa fotoreporterë ka në vendin tonë dhe si e vlerësoni ju punën e tyre profesionale?

Gjendja me fotoreporterët në Maqedoni nuk është në nivel të kënaqshëm. Fotoreporterët paguhen shumë pak, është i dobët furnizimi me mjete teknike kurse mospasja e përgatitjes teorike është ndoshta dobësia më e madhe e shumicës prej nesh. Në sistemin edukativ në Maqedoni nuk ekziston profil për fotografinë kurse të mos flasim për specializim për fotografi gazetareske as ka pasur dhe as do të ketë, duke marrë parasysh si është gjendja në këtë moment. Edhe përskaj asaj, në vend ekzistojnë mbi tridhjetë fotoreporterë që merren me fotogazetari. Para afër pesëmbëdhjetë vitesh, niveli i fotoreporterëve te ne ishte në nivel të lakmueshëm në krahasim me vendet tona fqinje. Por për fat të keq kjo gjë nuk ndodh vitet e fundit. Mendoj se niveli i profesionalizmit dhe cilësisë po bie si te gazetarët ashtu edhe te fotoreporterët.

  1. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqoheni ju si fotoreporterë në kushtet aktuale në vendin tonë?

Nëse tregohem i sinqertë, nuk do të thosha se po ballafaqohemi me sfida të mëdha profesionale dhe kjo për arsye të thjeshtë sepse; nuk kemi çfarë të fotografojmë. Nëse i përjashtojmë rastet e “çfarëdoshme” (me këtë nënkuptoj fotografi të përditshmërisë të shikuara nga syri i objektivit) në sferën e politikës dhe sportit, ne realisht nuk mund të mburremi se kemi diçka të veçantë për të fotografuar, për shkak të letargjisë së përgjithshme të shoqërisë.

  1. A besoni që njerëzit e kuptojnë vlerën e asaj që bëni ju?

Njerëzit në Maqedoni nuk e kuptojnë fuqinë dhe vlerën e fotografisë si në shoqëritë e zhvilluara perëndimore. Fatkeqësisht, fotografia sot shumë herë përdoret për të mbuluar një vrimë në gazetë dhe jo si zhanër gazetaresk, që është shumë herë më i rëndësishëm se edhe vetë teksti.

  1. Si do ta përshkruani ju fuqinë e fotografisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për fotogazetarinë? Si janë raportet me ngrirjen e një momenti të vetëm (një pikë e caktuar fokusi) dhe objektivitetit (realitetit)?

Fotografia është një mënyrë shumë e fuqishme e shprehjes. Nuk thuhet rastësisht se në shumë raste, një fotografi është më e fuqishme se njëmijë fjalë. Siç thash, fotografia dëshmon për një ngjarje të ndodhur. Është e vërtetë se ajo është një pjesë nga e qinda e sekondës por nëse kapet momenti i duhur, ajo mund të tregojë emocion që nuk përshkruhet me fjalë. Me fotografinë është e mundur të bëhen manipulime që nuk e tregojnë realitetin, por për këtë shkak në gazetari, në mediat serioze ajo i nënshtrohet verifikimit dhe analizimit që të mund t’i iket çfarëdo shtrembërimi të realitetit.

  1. Cilat janë dallimet më të mëdha të jesh fotoreporter në vend dhe jashtë vendit?

Nuk është e pëlqyeshme të bëhen dallime të këtilla midis fotoreporterëve në vend dhe në vendet e zhvilluara perëndimore për faktin se ata janë të paguar të paktën dhjetë herë më shumë, më të mbrojtur dhe më mirë të pajisur teknikisht. Sa i takon cilësisë së fotoreporterëve në Maqedoni, me përgjegjësi them se ne kemi njerëz të cilët mund të krahasohen për nga cilësia me cilindo nga kolegët në botë.

  1. Gjatë gjithë kësaj kohe që keni punuar si fotoreporter, jeni ballafaquar me ndonjë presion ose censurë nga subjekte të caktuara ose edhe vetëcensurë për ndonjë arsye?

Gjatë karrierës timë jam ballafaquar me censurë në disa gazeta, por mendoj se ajo është diçka që ndodh gjithkund në botë, ndoshta jo në masë si te ne por përsëri ekziston në gazetari. Gjithkush që thotë të kundërtën nuk ka të drejtë. Sa i takon vetëcensurës mund të them që gjatë viteve të fundit të punës time kam filluar që të vetëcensurohem për disa gjëra, sepse pas 25 vite karrierë kam kuptuar që me një fotografi mund edhe të shkatërrosh jetën e dikujt, mund të cenosh rëndë privatësinë e dikujt, mund të ndryshosh të ardhmen e një njeriu, etj. Për atë mendoj se të gjithë ne që merremi me këtë punë duhet të mendojmë për peshën dhe përgjegjësinë që e mbajmë kur fotografojmë njerëz dhe situata të ndryshme.

  1. Nëse do të duhet të zgjidhni tre fotografi për ngjarje të rëndësishme në Maqedoni, të cilat kanë pasur ndikim të madh në opinion brenda dhe jashtë vendit, cilat do të ishin ata?

Asnjëherë nuk kam menduar për atë se cilat fotografi janë më të rëndësishme për mua. Por përderisa po më pyesni mund të them që sigurisht jam krenarë për fotografinë kur ushtarët maqedonas ngritën për herë të parë në histori flamurin e Maqedonisë në vitin e largët 1991.

1991 - Ngritja e flamurit të Maqedonisë për herë të parë (Foto - Georgi Liçovski)

1991 – Ngritja e flamurit të Maqedonisë për herë të parë (Foto – Georgi Liçovski)

Gjithashtu për mua ka shumë rëndësi fotografia që tregon golin e parë të përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, në ndeshjen me Slloveninë në vitin 1993.

1993 - Goli i parë i përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjen me Slloveninë (Foto - Geogi Liçovski)

1993 – Goli i parë i përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjen me Slloveninë (Foto – Georgi Liçovski)

Do të veçoja edhe fotografinë nga finalja e ligës së parë të botës në futboll në Afrikën e Jugut, në Johanesburg, kur kisha fatin të jem ndër të rrallët që e fotografuan golin e Iniestë-s me të cilin Spanja u bë kampione. Ajo fotografi u publikua në gazetat më të mëdha botërore.

Fotografia që u publikua në mediat më të njohura botërore si "Times", " The Guadian", "Los Angeles Times" etj. (Foto - Georgi Liçovski)

Fotografia që u publikua në mediat më të njohura botërore si “Times”, ” The Guadian”, “Los Angeles Times” etj. (Foto – Georgi Liçovski)

Duke punuar për EPA (European Press Photo Agency) kam pasur rastin ta shëtis botën dhe punën time ta publikojnë mediat më të mëdha në botë. Shumë fotografi të tjera të miat kanë më shumë vlera profesionale se sa këto që përmenda por ja që për mua më të rëndësishme janë këto tria.

  1. A ka raste, që fotografitë tuaja t’i shihni në media të ndryshme (konkretisht portale) pa u marrë miratimi juaj dhe pa u cituar emri juaj nga ana e medias? Si jeni ndjerë në ata momente dhe a mendoni se kjo duhet të ndryshohet?

Fotografitë e mia i shoh në portale të ndryshme në Maqedoni, të marra ose më saktë të vjedhura dhe kjo gjë më shqetëson vërtetë se në Maqedoni aspak nuk respektohen të drejtat e autorit. Kjo është diçka me të cilën përballemi të gjithë dhe do të jetë kështu derisa nuk fillojmë që t’i respektojmë ligjet të cilat edhe te ne ekzistojnë por nuk përfillen.

  1. Çfarë duhet të bëhet, sipas jush, për respektimin e të drejtave të autorit të fotografive?

Që të respektohen të drejtat e autorit është shumë e lehtë dhe është punë që nuk kërkon shumë kohë. Njerëzit që vjedhin pa ndjerë përgjegjësi, duhet të dënohen dhe gjyqet tona të vendosin për drejtësi në favor të respektimit të të drejtave të autorit. Atëherë e gjithë kjo do të ndalohet shumë shpejt. Unë akoma nuk kam paditur asnjë medie por në marrëveshje me kolegët e mi do të fillojmë të merremi me këtë problem dhe të tentojmë ta zgjidhim atë. Unë fuqishëm besoj se mund të zgjidhet në mënyrë të shpejtë dhe efikase. E nevojshme është vetëm që të sundojë drejtësia.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja