verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Kur gazetarët nuk pyesin, rrena shumë shpejtë bëhet e vërtetë (1)

on 21 - 03 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Njëra nga mënyrat se si bëhet kontrolli mbi pushtetin është parashtrimi i pyetjeve. Pyetjet u parashtrohen politikanëve që të qartësohen çështjet, që të merren informata më adekuate ose të zbulohet e pavërteta. Çdo pushtet dëshiron të paraqitet në dritën më të mirë, të japë informata që flasin mirë për të dhe t’i fshehë ato që flasin keq për të. Kjo është normale. Dhe e pritur. Mu për këtë arsye njerëzit kanë të drejtë të jenë të informuar dhe të japin informata.

Mediumet gjenden në pozitë unikate dhe të privilegjuar të mund të parashtrojnë pyetje, të marrin informata dhe t’i përcjellin ato. Pyetjet nuk janë vetëm pjesë e intervistave dhe emisioneve kontaktuese. Ato janë pjesë e përgatitjes së çdo artikulli ose kontributi, çdo lajmi dhe çdo konference për shtyp. Parashtrimi i pyetjeve dhe insistimi që të merren përgjigje në to, gjegjësisht regjistrimi i mungesës së përgjigjes ose dhënia e përgjigjes jo të saktë, paraqesin sine quae non (kusht pa të cilin nuk mundet) të gazetarisë.

Nuk është e thjeshtë të parashtrohet pyetje gazetareske që është e menduar mirë dhe e qëndrueshme. Parashtrimi i pyetjeve kërkon shkathtësi dhe njohuri të veçanta. Që të parashtrohet pyetje adekuate duhet:

– Të njihet tema për të cilën bëhet pyetja
– Të dihen elementet konkrete që ndërlidhen me përmbajtjen për të cilën bëhet fjalë
– Të dihen nevojat dhe interesat e qytetarëve
– Të dihen mënyrat e manipulimit të mundshëm nga ana e bashkëbiseduesve, e veçanërisht mënyrat e shmangies për të dhënë përgjigje

Në përgjithësi, gazetarët në Republikën e Maqedonisë, nuk parashtrojnë pyetje. Nuk parashtrojnë pyetje në konferenca për shtyp, nuk parashtrojnë pyetje në artikujt e tyre, nuk i problematizojnë deklaratat e funksionarëve dhe nuk i sjellin ata në kundërshtim, në momentin kur ata japin deklarata të pabaza ose kur e anashkalojnë të vërtetën.

1. Gazetarët nuk parashtrojnë pyetje në konferenca për shtyp
Konferencat për shtyp ekzistojnë që gazetarët të kenë mundësi të parashtrojnë pyetje, t’i shqyejnë bashkëbiseduesit, t’i bijnë ata në gjendje për të qarë, të mos e dijnë ku të shikojnë.
Konferencat për shtyp në Maqedoni janë thjesht vende ku ndonjë person i caktuar lexon një deklaratë, ndërsa gazetarët shkruajnë dhe pastaj e përcjellin atë në formë integrale ose të shkurtuar. Vetëm si shembull mund të ndahet deklarata jashtëzakonisht provokative dhe kontroverze e ministrit për shëndetësi, Nikolla Todorov, pas të cilës ka një pyetje të turpshme dhe absolutisht të pakuptimtë dhe heshtje. Dhe nënkuptohet, deklarata përcillet pa asnjë koment. Dhe ky nuk është përjashtim, por rregull.

Një pjesë e mediumeve thjesht e përcjellin tekstin integral të deklaratave, fjalimeve të përfaqësuesve të pushtetit. Për shembull, teksti integral i fjalimit të Nikolla Gruevskit në cilësi të kryetarit të VMRO-DPMNE-së.

Shumë e ngjashme është edhe informata: Mаqedonia së shpejti do të jetë pjesë e gazsjellësit ”Aksi jugor”. Gazetarit i mjafton informata që e ka marrë nga organi kompetent dhe nuk parashtron pyetje për atë se:

• A është kjo zgjidhja më e mirë për Maqedoninë që ka mundur të arrihet?
• Pse Maqedonia është pjesë e një aksi, e nuk është arritur që gazsjellësi të kalojë nëpër vendin tonë?
• Cilat janë kushtet e marrëveshjes?
• Cili do të jetë çmimi në fund?

Përcjellja e këtillë e fjalimeve të përfaqësuesve të pushtetit mund të konsiderohet vetëm si propagandë, e jo edhe si informim gazetaresk.

2. Аktivitetet e politikanëve duhet të komentohen

Shumë shpesh gazetarët thjesht mjaftohen me përcjelljen e aktiviteteve të nëpunësve shtetërorë, pa mos e analizuar përmbajtjen e këtyre aktiviteteve dhe pa mos i problematizuar procedurat që ndërlidhen me to. I mbetet opinioni të hulumtojë më tutje, të vëndojë në kontekst, të kërkojë arsyetim.

Për shembull, në informatën me titull “Çerdhe e re për fëmijë në Gjorçe Petrov” mungojnë pyetjet e gazetarit për atë se:
• Pse mu tani promovohet ndërtimi i çerdhes së re?
• Në qoftë se në zgjedhjet për kryetar të komunës fiton kandidati që nuk i takon partisë politike në pushtet, a do të ndërtohet kjo çerdhe ose ndërtimi i saj është i lidhur me fitoren e garniturës që është në pushtet në zgjedhjet lokale?
• Për sa fëmijë ka pasur vend në çerdhen e vjetër?
• Pse nuk u ndërtua çerdhja e re në vendin e të vjetrës?
• Sa fëmijë ka në komunë dhe si do të sigurohet përkujdesja e të gjithë fëmijëve?
• Pse deri tani nuk është realizuar një projekt i këtillë?
• Pse çerdhja nuk u ndërtua në ndonjë vend tjetër të komunës?

Ose, informata “Për një ditë ministri Spiro Ristovski do të lëshojë në përdorim tri çerdhe” për lexuesin nuk ka asnjë rëndësi pa pyetjet:
• Ku janë hapur këto çerdhe?
• Pse janë hapur mu atje, e jo në ndonjë vend tjetër?
• A ka pasur nevojë për to?
• Sa fëmijë janë përkujdesur në to?
• Pse janë hapur mu tani para zgjedhjeve, e jo para os pas tyre?

Në këtë drejtim mund të parashtrohen edhe pyetjet që kanë të bëjnë me informatën me titull: “Trajanovski: do të zgjidhet furnizimi me ujë në Shuto Orizarë”.

Vetëm në këtë mënyrë opinioni mund t’i marrë informatat e nevojshme dhe të animohet për aktivitet të mëtutjeshëm, gjegjësisht, përcjellja jokritike e deklaratave të funksionarëve shtetërorë nuk mund të konsiderohet si informim.

Për shembull, në artikullin “Filluan përgatitjet për IPA 2 për periudhën 2014-2020” është përcjellë në mënyrë të plotë prezantimi për IPA 2 në qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Mirëpo, ajo që mungon në informimin medail, janë pyetjet për atë se:

• Çka ka ndodhur me programet e deritanishme IPA?
• Sa janë shfrytëzuar ato?
• Pse shfrytëzimi i tyre është në atë nivel?
• Për cilat fusha është programi i ri, e për cilat fusha ka qenë i mëparshmi?

Vetëm në këtë mënyrë opinioni mund të reagojë ndaj veprimeve eventuale jokonsekuente të dritanishme që kanë të bëjnë me fondet IPA dhe të kërkojë përgjegjësi eventuale.

Plotësisht i njëjtë me artikullin e mëparshëm është edhe artikulli me titull “Sistem për punësim në administratë sipas meritave” ku është përcjellë intervista e ministrit Ivanovski për MIA-n.

Mungojnë pyetjet:
• Çka ndodhi me ligjet e mëparshme për administratë?
• A ka pasur deri tani rritje ose zvogëlim të kritereve për punësim?
• Në çfarë mënyre do të kombinohet kjo me përfaqësimin e drejtë dhe punësimet sipas Marrëveshjes së Ohrit?
• Çka ndodh me të punësuarit në administratë që rijnë në shtëpi dhe marrin rrogë?
• Si korespondon kjo me ndryshimet ligjore që parashohin mungesë të punës praktike gjatë dhënies së provimit për jurisprudencë?
• A do të ketë dallim ndërmjet administratës shtetërore dhe asaj publike?

Mediumet nuk parashtrojnë pyetje për atë se a ka nevojë për ndonjë aktivitet.
Për shembull, rasti me informatën me titull “Renovohen tre klasa për mësim në Konjarë të epërme dhe në Sushicë”, gazetarët nuk parashtrojnë pyetje:

• Pse ka pasur nevojë të harxhohen aq para për renovimin e klasave për mësim?
• A fitojnë fëmijët në këtë mënyrë arsim po aq kualitativ sa edhe fëmijët e tjerë?
• A nuk ka zgjidhje të tjera alternative për zgjidhjen e problemit, më tepër në kontekst të interesit më të mirë të fëmijëve (për shembull transport i organizuar e të ngjashme)?
• A e kanë kërkuar këtë zgjidhje prindërit?

Ose për shembull informata me titull “VMRO-DPMNE: Derisa LSDM-ja ishte në pushtet, 360.000 familje jetonin në objekte të ndërtuara pa leje”. Asnjë gazetar nuk e parashtron pyetjen për vetë momentin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

• A është kjo në rregull?
• Pse dhe kur bëhet ai?
• Cilat janë pasojat negative?
• Cilët janë kufinjtë?
• A është mirë të bëhet një gjë e tillë?

Pa këto pyetje opinioni fiton përshtypje se legalizimi, e me këtë edhe ndërtimi i objekteve pa leje, është diçka pozitive, praktikë që duhet të vazhdohet dhe e cila, thjesht duhet të futet në zgjidhjet ligjore.

Ose informata me titull “Paguhen 455,3 milionë denarë subvencione për blegtorët”. Gazetari e përcjell informatën pa mos parashtruar pyetje për atë se:

• A mjaftojnë subvencionet?
• Si është raporti në krahasim me situatën e vitit të kaluar?
• Sa mjete ndahen për bujqësinë, si një nga degët kryesore në krahasim me degët e tjera?
• Cilat janë përvojat me transferin e mjeteve nga vitet e kaluara?
• A zvogëlohet importi i produkteve për të cilat shteti ndan subvencione?
• Dhe gjithsesi, si është vendosur që të jepen mu këto subvencione dhe në formë të këtillë, e jo ndonjë tjetër?

 

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia

Abonohuni për lajmet më të reja