verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Latifi: Politika të dëgjojë mediat, e jo anasjelltas!

on 20 - 03 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Është fytyrë publike vite me radhë. E drejtpërdrejtë, me humor specifik dhe qëndrime që lexohen dhe komentohen në rrjetet sociale. Është imazh i femrës shqiptare në media… Ajo ka filluar me punë në radio, për të kaluar më vonë në televizion, ndërkohë që ka harmonizuar angazhimin e saj me artin në Teatrin Shqiptar. Së fundmi, Anita Latifi u bë pjesë e ekipit të Televizionit 21, një nga disa mediat e reja në gjuhën shqipe në vend. Emisioni të cilin drejton, Click Plus, ofron debat me këndvështrime të ndryshme, gjë që në Maqedoni nuk është edhe gjithaq e zakonshme. Latifi thotë se zgjedh me kujdes temat e debatit, të cilat gjithmonë harmonizohen me zhvillimet aktuale, ndërkohë që edhe vetë po adaptohet shumë mirë me detyrën e re të moderatores televizive.

1.Filluat me mediat, por viteve të fundit nuk merreshit me gazetari. Na bëni një përshkrim të shkurtër – çfarë bënte dhe ku ishte Anita Latifi viteve të fundit, si realizoheshit profesionalisht?

Latifi: Pos në 6 vitet e fundit, në të cilat jam pjesë e Teatrit Shqiptar Shkup, gjithçka që kam bërë në jetë është lidhur me mediat. Radio Struga ishte ajo që më futi në këtë botë, që mendova se u/e mbyll/a në vitin 2009 me largimin tim nga TVM, por siç duket kisha gabuar. TV21 më ktheu në një terren që nuk e kisha provuar në mediat që kam punuar deri tani, ku kryesisht jam marrë me emisione të sferës së kulturës, sociales, projekteve për sensibilizim të opinionit dhe një periudhë më të shkurtë me prezantim lajmesh. Profesioni tjetër që aktualisht vazhdoj ta ushtroj është menaxhimi i projekteve të Teatrit Shqiptar, që fillimisht më joshi për shkak të lidhshmërisë së botës artistike me atë mediale dhe nevojës së ndërsjellë të këtyre dyjave për njëra-tjetrën.

2. Në cilin nga këto profesione e gjeni më mirë veten dhe pse?

Latifi: Nuk di nëse mund të them se te njëri apo te tjetri e gjej veten më mirë. Njeriu është qenie adaptive dhe besoj se jam akomoduar në të dyja. Që të dyja ofrojnë sfida të vazhdueshme dhe kërkojnë shumë energji, që përshtatet me natyrën time. Ndodh që derisa jam në takim me ndonjë regjisor dhe flasim për magjinë e artit, nga ana tjetër të marr telefonata për ndonjë “magji” në skenën politike. Nuk di a më krijon stres apo balancë, kjo përditshmëri.

3. Si po përshtateni me detyrën e re në emisionit debatues “Click Plus”? A ndjeni se keni mbi supe një mision specifik?

Latifi: Detyrimisht është një mision specifik, në veçanti për shkak të kohës në të cilën mu ofrua kjo detyrë, duke marr parasysh që periudha, të cilën po e kalon Maqedonia aktualisht, është një nga më kaotiket që nga pavarësimi i saj.

Muajt e parë të debatit kanë qenë një proces i përgjithshëm adaptimi – unë adaptohesha me detyrën e re  (jo të lehtë) e debatuesit, e shikuesit adaptoheshin me këtë format të ri debatues në Maqedoni. “Je shumë e butë.” – është komenti që e dëgjoj nga të gjithë, e në veçanti nga ata që më njohin dhe e dinë që nuk jam fare e butë jashtë ekranit. E pranoj që “butësia” ime aktuale është fazë e akomodimit tim në këtë detyrë të re, por në asnjë moment qasja ime nuk do të jetë aq “e ashpër” me qëllim që debati politik të shndërrohet në një shou. Click Plus nuk ka tendencë të prodhoj debat të zhurmshëm, por të ballafaqojë faktorët e aktualitetit tonë politik dhe shoqëror me qëllim të informimit të mirëfilltë të opinionit. Zhurma le të dëgjohet pas Click-ut.

4. Cilat janë sfidat e drejtimit të një emisioni që mund të ketë ndikim në shoqëri?

Latifi: Sfida më e madhe është përzgjedhja e temës dhe debatuesve adekuat. Zhvillimet në Maqedoni duken aq intensive dhe ndryshojnë nga çasti në çast, ndonëse të gjitha të lidhura rreth disa boshteve që vazhdojnë të jenë në fokus të opinionit. Fatmirësisht, në kolltuqet në Click Plus janë të mirëseardhur dhe të gatshëm të ulen të gjitha figurat relevante të aktualitetit tonë, gjë që më jep më shumë mundësi për përzgjedhje, por, sidoqoftë, është sfidë të bësh përzgjedhjen, që do të reflektojë në mënyrën më objektive zhvillimet ditore dhe interesin publik.  Më vjen keq që për shkak të krizës në vend politika ka uzurpuar çdo debat, madje edhe bisedat brenda në ambient familjar dhe, si reflektim i kësaj, edhe Click Plus në edicionet e fundit është marrë kryekëput me politikën. Shpresojmë që ambienti do të dekontaminohet dhe do të kemi hapësirë për të dalë në sfera dhe tema të tjera që vlejnë të debatohen.

5. A ju ka ndodhur të përballeni me situata të palakmueshme në aspektin profesional – teknik gjatë emisionit? Si e keni tejkaluar këtë?

Latifi: Click Plus është në muajin e vet të pestë dhe, falë stafit të ri, entuziast dhe të përgatitur – në aspektin teknik ende nuk kam hasur në ndonjë problem, madje lirisht mund të them se ndjehem e përkëdhelur, sepse ekipi është i trajnuar dhe i përzgjedhur që të bën të ndjehesh e tillë. Debatet janë në transmetim të drejtpërdrejtë dhe kjo shton edhe adrenalinën, por edhe përgjegjësinë për të qenë vigjilent për të papriturat eventuale.

6. Në ç’nivel mendoni se është gazetaria në vend? Cilat nga karakteristikat e mediave në vend mendoni se duhet të ndryshohen?

Latifi: Më duket jo e drejtë të komentoj për mediat nga pozita që kam tani, por nuk mund të lë pa përmendur realitetin e ri televiziv te ne; faktin që shikuesve u është shtuar numerikisht oferta televizive dhe kjo reflekton edhe në cilësinë e saj. Unë personalisht u besoj dhe i çmoj mediat që përcjellin informacionin, atyre që detektojnë problemet në shoqëri, e jo atyre që kapen pas interesave të caktuara, propagandës dhe sensacionit.

Më pengon që në disa portale shpesh nuk është e kristalizuar se a bëhet fjalë për lajm, për propagandë, për sensacion apo për satirë. Shpesh has në tituj, tekstin e të cilëve nuk mund ta gjej brenda artikullit më poshtë, has në ripostim të ngjarjeve dhe deklaratave të vjetra pa theks se bëhet fjalë për diçka që ka ndodhur apo është thënë kohë më parë. Më irriton infiltrimi i  “informacioneve” të parëndësishme për personazhet e faqeve rozë, përballë mungesës së hapësirës për artikuj për ngritjen e vetëdijes për art dhe kulturë; vendin e  informacioneve për botime të reja e zënë “farefisi i filan këngëtarit”, vendin e informacionit të  suksesit të një piktori shqiptar e uzurpojnë “të pasmet e filanes”; në vend të kritikës për një shfaqje teatri, neve na servohet “teatri mes dy këngëtareve kunata dhe ankthi vallë a do të pajtohen ato ose jo”.

7. Po mediat shqiptare në veçanti?

Latifi: Do të shfrytëzoj një citat të Enver Robelit nga artikulli “Varrosja e gazetarisë në trevat shqiptare“ publikuar ditë më parë: “Lajme të rrejshme, shpifje, krime, mosnjohje e rregullave elementare të gazetarisë, shkelje të etikës – kjo është gazetaria sot.“ Ndoshta është përshkrim shumë i ashpër dhe s’do mend që nuk u referohet të gjitha mediave, por vërtetë duhet ndezur alarmi brenda vet atyre që kanë zgjedhur profesionin e gazetarisë që të parandalojnë dëmtimin e mëtejmë të tij. Sado që janë më serioze dhe më të besueshme mediat tradicionale, mediat online janë shpërndarësi kryesor i informacionit për shkak të aksesit më të lehtë. Te një pjesë e këtyre mediave, fatkeqësisht, shfaqen një mori problemesh etike, përfshi edhe shkeljen e rëndë të standardit të gjuhës shqipe, plagjiaturën, përhapjen e informacioneve sensitive etj.

8. Sipas jush, cili do të ishte raporti ideal ndërmjet politikës ditore dhe politikës së medias?

Latifi: Shumë prej debateve në këtë temë përfshijnë dilemën “Kush, kujt duhet t’ia ketë frikën: politika mediave apo mediat politikës?!” Në këtë mëdyshje mediat dalin në avantazh. Ato  janë ndërmjetësuesi mes politikës dhe qytetarëve dhe, njëherësh, kreatorë të opinionit publik, që i bën subjekte të barabarta në krijimin e proceseve. Me raportim objektiv, të pavarur dhe korrekt, mund të kontribuojnë në definimin dhe kontrollin e veprimeve politike të domosdoshme për menaxhim cilësor të proceseve shoqërore. Raporti ideal: politika të dëgjojë mediat, e jo anasjelltas. Mediat e lira janë parakusht dhe matës i demokracisë së shoqërisë.

9. Si e shikoni pozitën e femrës shqiptare në jetën publike në Maqedoni?

Latifi: Mbasi vazhdojmë të pyetemi se cila është pozita e femrës në jetën publike tregon se jemi larg të dëshiruarës. Femra shqiptare vazhdon të përbirohet në jetën publike, sepse shoqëria nuk i ka hapur dyert për t’i trajtuar si të barabartë figurat publike meshkuj dhe ato femra. Ky proces kërkon bashkëveprim, edhe brenda gjinisë, edhe mes gjinive. Femrat duhet të zhvillojnë betejë për veten dhe femrat e tjera, e edhe meshkujt, për barabarësi. Femra shqiptare në jetën publike mban pozicionin e saj falë guximit individual, e jo guximit kolektiv për të korrigjuar gjendjen.

10. Mendoni që, në vitet e fundit, ka ndryshime sa i takon pozitës së femrave shqiptare në media? Sa kanë qenë të nevojshme këto ndryshime ndër vite?

Latifi: Femrat nuk kanë munguar në media, por viteve të fundit vërehet që femra shqiptare është e pozicionuar më mirë në to. Mediat luajnë rol të rëndësishëm për zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut,  që ngërthen edhe nevojën për emancipim të femrës në shoqërinë bashkëkohore. Andaj, femrat në media kanë mision të rëndësishëm, ndoshta të dyfishtë,  në ndryshimin e pozicionimit të femrës në shoqëri.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja