verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Si të respektohet autorësia dhe si të citohen lajmet në ueb?

on 20 - 03 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Një prej çështjeve problematike më evidente në publikimin e teksteve online është respektimi i të drejtës së autorit apo pronësisë intelektuale. Këto aspekte kaherë janë diskutuar në botën e krijimtarisë artistike por edhe në publicistikë dhe gazetari, edhe përpara se të shpikej interneti dhe botimet në web. Mirëpo, si duket, në procesin e botimeve online, çështja e të drejtës autoriale po bëhet gjithnjë e më e theksuar.

“Me “të drejtë pronësie” në botën bashkëkohore, kuptojmë para së gjithash të drejtën për të aksesuar dhe për të përdorur diçka – qoftë diçka e botës materiale (si p.sh. stilolapsi, kompjuteri, biçikleta juaj etj) ose diçka jo-materiale, përfshi “pronën intelektuale” siç janë fjalët e autorit apo skriptet e koduara të programerëve.[1]

Në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, të bashkuar nën udhëheqjen e autorëve, grupeve të ndryshme krijuese, së bashku bënë thirrje për ndryshime në pozitën e tyre shoqërore në një shkallë ligjore ndërkombëtare, e cila përfundimisht çoi në themelimin e Konventës së Bernës. E nënshkruar në vitin 1886, Konventa e Bernës për Mbrojtjen e Punës Letrare dhe Artistike, ishte kulmi i përpjekjeve të shumta për të krijuar një marrëveshje multilaterale për mbrojtjen e të drejtës autoriale e cila do të zëvendësonte rrjetin e mëparshem jo të plotë të marrëveshjeve dypalëshe. Kryetari i konferencës finale, Numa Droz, e quajti këtë rast si: “afirmimi spektakolar i zgjimit të ndërgjegjes universale në favor të autorëve”. Sigurisht Berna nuk parashihte që në fillim të saj përdorimin dixhital të punës autoriale që asokohe nuk ishte shpikur, por megjithatë ajo pastaj u bë e zbatueshme për shumë aktivitete autoriale në internet.[2]

Përdorimi i drejtë është një doktrinë ligjore që lejon përdorimin e kufizuar të materialit copyright, pa marrjen e lejes nga mbajtësit e të drejtave. Kjo është një lloj e mbrojtjes ligjore, e quajtur si mbrojtje pozitive. Të drejtat ekskluzive janë vetëm për autorin e punës krijuese me ligj mbi të drejtën e autorit. Shembuj të përdorimit të drejtë në të drejtën e autorit në Shtetet e Bashkuara bëjnë pjesë: komentet, motorët e kërkimit, kritikat, paroditë, raportimi i lajmeve, hulumtimi dhe bursat. Kufizimet dhe përjashtimet mbi të drejtën e autorit për mësimdhënie dhe arkivimin e bibliotekës në SHBA janë të vendosura në një pjesë të ndryshme të statutit.[3]

Cënimi i të drejtave të autorit në Maqedoni sanksionohet me ligj. Mediat, duke inkuadruar edha ato në internet, nuk janë të çkyçura nga përgjegjsia ligjore. Portali i internetit, në rast të transmetimit të një fotografie të caktuar, vepre audio-vizuale, veprave të artit figurativ, veprës së shkruar, veprës muzikore dhe të veprave tjera autoriale, patjetër duhet shënuar autorin dhe nga ka transmetuar veprën autoriale (hiperlidhje të portalit të internetit, ose në ndonjë mënyrë tjetër).[4]

Në mediat tona, rastet më të shpeshta ku nuk respektohet e drejta e autorit janë:

  • Kopjimi i plotë i tekstit pa e cituar autorin apo mediumin nga është marrë;
  • Kopjimi i një teksti dhe modifikimi (transformimi) i të njëjtit pa treguar pikën e referimit;
  • Huazimi i deklaratave të burimeve që janë prononcuar për një medium dhe përvetësimi i tyre sikur të jenë marrë nga pala huazuese;
  • Shfrytëzimi i fotografive, audio dhe video-materialeve pa autorizim dhe pa cituar autorin e të njëjtive; e kështu me radhë.

Në praktikën botërorë të publikimeve onlajn, për shembull, kompania që kujdeset për identifikimin dhe mbrojtjen e të drejtës së autorit Creative Commons, nga njëra anë njeh dhe mbron të drejtat individuale, por këtë e bën edhe në mënyrë përfshirëse, pra vetvetiu njeh të drejtën e të tjerëve për t’u aksesuar dhe përdorur një pronë krijuese. Në licensimin e Creative Commons shkruhet:

Ju jeni të lirë:

  • të ndani me të tjerët – të kopjoni, shpërndani, shfaqni dhe performoni një punë krijuese;
  • të përpunoni – të krijoni derivate të kësaj pune

por, me kusht që të respektoni këto kushte:

  • Atribuimi: ju duhet të atribuoni një punë në mënyrën e specifikuar nga autori apo licensuesi i saj;
  • Jokomercilizimi: ju nuk duhet të përdorni këtë punë për të nxjerrë fitime;
  • Shpërndarja: nëse ju tjetërsoni, trasformoni apo krijoni një punë tjetër duke u bazuar te kjo punë, duhet t’i shpërndani rezultatet e punës nën një licensë si kjo ose të ngjashme me të (duke vendosur linkun e websajtit). Por nëse keni leje nga autori i atij materiali, atëherë ju mund ta përdorni atë pa i respektuar këto rregulla.

Gjithashtu, edhe në Kodeksin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë, thuhet:

“Bërja e plagjiateve është e palejueshme. Citatet nuk duhet të shfrytëzohen pa miratimin e burimit ose autorit”.[5]

Kjo shkelje është një karakteristikë e njohur në sajtet tona, por ka raste edhe kur burimet e huazimit të lajmeve respektohen. Edhe përkundër këtij respektimi duhet thënë se një lajm i krijuar nga e para, është më i mirë se një lajm i huazuar, çka do të thotë se nëse më shumë ueb faqe lajmesh kanë reporterët e tyre dhe angazhohen në prodhimin e lajmeve autentike, kjo zgjeron horizontin e pikëpamjeve dhe qasjeve mbi një ngjarje të caktuar. Ky është një problem më vete me të cilin përballen portalet në vendin tonë. Nëse të gjithë huazojnë, atëherë kush do të prodhojë lajme? Është një gjueti e vazhdueshme që zgjat…

Termi që më së shumti përdoret për menaxhuesit e portaleve të vogla është admin ose administrator. Puna më e zakonshme e administratorit të një portali është që sapo të jetë zgjuar nga gjumi, të ulet përpara kompjuterit dhe të vëzhgojë sajtet e mediave më të mëdha të cilat kanë arritur të prodhojnë lajme të reja. Në bazë të një përzgjedhjeje krejtësisht individuale, administratori bën një listë të lajmeve që do të jenë pjesë e faqes së tij gjatë asaj dite. E njëjta situatë përsëritet çdo ditë.

Ekziston një proverbë në gazetari që thotë: “Të gjitha lajmet janë lokale”, por që në ditët e sotme mund të riformulohej: “Një pjesë e mirë e lajmeve janë hiperlokale”[6]. Termi hiperlokal është një nga ato terma që kohëve të fundit po gjen përdorim të gjerë. Mbulimi hiperlokal përqëndrohet në ato ngjarje, të cilat pavarësisht se sa të vogla janë, ato mund të gjenden lehtësisht në web, dhe kanë publik potencial. Në vend të ‘rendjes pas informacionit’, e në fakt kopjimit të përmbajtjeve që mediet tjera veçmë i kanë, mediat më të vogla mund t’u përkushtohen informatave origjinale, të cilat janë të rëndësishme mu për rrethin e tyre, qytetin e tyre, për publik apo grup-mosha specifike, e të arrijnë shumë më tepër.

Në librin voluminoz, “Dinamikat e komunikimit masiv”, autori Joseph R. Dominick, ndër të tjera flet edhe për kodet e performancës së gazetarëve. Sipas tij, shumë vendime etike duhen marrë brenda pak orësh apo minutash, pa luksin e reflektimit të gjatë filozofik. Prandaj, profesionistët e medias nuk janë shumë të ndryshëm nga profesionistët e tjerë, si për shembull doktorët apo avokatët. Në këto profesione kodet e sjelljes apo etikës janë standardizuar që të ndihmojnë individët në vendimet e tyre. Nëse një doktor apo avokat shkel një nga parimet e këtyre kodeve, atij mund t’i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit nëpërmjet një vendimi të një paneli kolegësh që mbikqyrin këtë profesion.

Këtu mbaron ngjashmëria me masmedian. Profesionistët e medias, edhe pse angazhohen me nocionin e lirisë së fjalës, nuk kanë borde profesionale inspektimi, që japin apo rinovojne licenca. Kodet e performancës së medias dhe metodat e vetërregullimit janë më pak precise dhe më pak të rrepta krahasuar me ato të organizatave të tjera. Por shumë prej parimeve të diskutuara janë të përfshira në këto kode.[7]

Gjatë një analize të kryer nga Media Instituti i Maqedonisë, ekspertët e intervistuar nga organizata që merren me media dhe të drejta të autorit, kanë evidentuar se askush nga mediat e internetit nuk është “i pastër” që i pari të fillojë të ndërmerr masa për mbrojtjen e produkteve të veta autoriale. Madje as ata që e konsiderojnë veten të jenë “të pastër” ndaj respektimit të të drejtave të autorit të aktorëve brenda në Maqedoni, nuk respektojnë të drejtën autoriale kur huazojnë materiale nga autorë të huaj.[8] Në asnjë moment kjo nuk duhet kuptuar si një e keqe e domosdoshme, por duhet punuar në drejtim të edukimit të përdoruesve të mediave të reja që sa më shumë t’i ikin kësaj praktike të ndaluar me ligj, që dëmton punën intelektuale por edhe vetë imazhin e mediave.

 

Referenca:

[1] Charles Ess; Etika e mediave dixhitale, përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri, boton: Instituti Shqiptar i Medias, Tiranë, fq. 61.

[2] Giuseppina D’Agostino (2010): Copyright Contracts, Creators New Media, New Rules, botuar nga: Edward Elgar Publishing Massachusetts, SHBA. Fq. 88-89.

[3] Creative Commons: https://blog.creativecommons.org/2016/02/23/the-flip-side-of-copyright/. Data: 14:03.2016

[4] ANALIZA: Maqedonia në epokën digjitale – midis të drejtave dhe përgjegjësive gjatë komunikimit në internet. Boton: Media Instituti i Maqedonisë, Shkup, 2015, fq. 27. Linku: http://mim.org.mk/attachments/article/853/MIM_Analiza_alb.pdf. Data: 19.03.2016.

[5] Kodeks i Gazetarëve (2011) boton: Instituti i Maqedonisë për Mediumet në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, 14 nëntor, Shkup.

[6] Joseph R. Dominick (2010): Dinamika e komunikimit masiv. Media në periudhën digjitale, UET Press, Tiranë. Fq. 457.

[7] Joseph R. Dominick; Dinamika e komunikimit masiv. Media në periudhën digjitale, UET Press, Tiranë, 2010, fq. 595.

[8] ANALIZA: Maqedonia në epokën digjitale – midis të drejtave dhe përgjegjësive gjatë komunikimit në internet. Boton: Media Instituti i Maqedonisë, Shkup, 2015, fq. 27. Linku: http://mim.org.mk/attachments/article/853/MIM_Analiza_alb.pdf. Data: 19.03.2016.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja