verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Shërbim për verifikim të fakteve në media

Projekt i USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni
USAID Logo

Mediat e legjitimuan Plenumin Studentor!

on 8 - 07 - 2016       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

Autor: Adrian Kerimi

Që nga organizimi i plenumeve të para, mbledhjeve të fshehta, nën kërcënime dhe shantazhe, e deri në momentin kur studentët nën logon e plenumit u dëgjuan më shumë se kurrë, mediat kanë pasur rezerva për këtë inicijativë. Sidoqoftë, aktivitetet e tyre i kanë përcjellur, varësisht politikës redaktuese, madje ka pasur edhe media që kanë hequr logot e tyre identifikuese, pasi që janë ditur se kanë ardhur me tendencë të ndjekin aktivitetet e tyre. Mirëpo, pavarësisht sjelljes së tillë të nje pjese të mediave, studentët formuan strukturë të mirë, e cila vendosi marrëdhënie me gazetarët, si në sferën e bashkëpunimit profesional, ashtu edhe në sferën e konservimit të informacioneve dhe distancimin nga mediumet që kishin qëllime jo profesionale.

Bojkoti, zona autonome dhe protestat ishin tre periudha në të cilat studentët u bënë të njohur, por pavarësisht kësaj, ata gjithnjë prej një pjese të opinionit u gjykuan se nuk janë legjitim dhe se nuk kanë të drejtë të kërkojnë diçka, për të cilën nuk gëzojnë mbështetjen e studentëve. Të parët që akuzuan ishin Ministria e Arsimit, më pas vetë Rektorati i USHKM-së, e krejt në fund edhe megafonat e pushtetit dhe studentët me libreza partiake. Poshtë-lartë, diskutohej shumë, mirëpo studentët kishin hartuar platformën e tyre dhe marrëdhëniet me publikun i forcuan aq shumë, sa që në periudha të caktuara u bënë pjesë e pashmangshme e ditarëve televizive.

Varësisht se si servohej aktiviteti i tyre nëpër media, publiku mund edhe të kishte dyshime në prapavijën e tyre, megjithatë organizimi studentor dëshmoi gjithçka haptazi. Edhe këtu nuk kanë ndalur mediumet. Një pjesë e tyre, përmes gjuhës së urrejtjes, shenjimeve dhe etiketimeve të studentëve, një pjesë tjetër duke bojkotuar çdo aktivitet, ndërsa një pjesë duke propaganduar kundër tyre, përkatësisht duke kapur momente që nuk lidheshin me ngjarjet aktuale dhe duke u dhënë konotacion negativ, me qëllim të prishjes së imazhit të Plenumit Studentor.

Si dëshmitarë të asaj që ka ndodhur, është e pamohueshme të themi se media të caktuara në raste të organizimeve studentore kanë raportuar kundër agjendës së tyre, gjegjësisht, kur është kumtuar për protesta ose ndonjë organizim të tyre, si dhe media të caktuara në momentet e fundit kanë raportuar sikur aktiviteti në fjalë është anuluar ose shtyhet për një afat të pacaktuar. Nuk është për t’u habitur fakti që mediat e tilla kishin tendencë edhe përçarjen e studentëve. Ka mjaftë fakte dhe dëshmi ku këto redaksi kanë intervistuar studentë, të cilët nuk kanë qenë pjesë e Plenumit Studentor, por që më pas të njëjtat qëndrime i kanë përcjellur duke raportuar se brenda Plenumit ekziston përçarje rreth ideve të tyre.

Akti i fundit me zgjedhjet studentore dhe mënyra se si u zhvilluan ato i dha edhe më shumë vlerë zërit studentor. Për fat të mirë, shumë media kësaj here ishin më te vëmendshme se kurrë. Nuk duhet anashkaluar fakti që zgjedhjet u monitoruan me shumë kujdes, madje më të lira se kurrë kësaj here kamerat kishin qasje në çdo hapësirë ku po zhvillohej procesi. Kur jemi tek zgjedhjet, del në pah edhe Parlamenti Studentor pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Kjo në fakt ishte pala tjetër e lajmit, në kronikat për zgjedhjet për kryetar të Parlamentit Studentor, por edhe në zgjedhjet për Rektor të USHKM-së. Beteja nuk u përqendrua në atë se kush do të marrë kryesimin e Parlamentit, në fakt, lufta e Plenumit Studentor koncentrohej në demaskimin e njerëzve që kishin keqpërdorur në çdo formë këtë organ studentor, madje duke mos qenë legjitim prej dy viteve për shkak të mosmbajtjes së zgjedhjeve.

Duke mos dashur të keqkuptohem si favorizues ndaj njërës ose palës tjetër, do të vendosja gishtin e korrektësisë tek Plenumi Studentor dhe gatishmërinë e tij për të qenë transparent dhe i hapur ndaj mediave. Gazetarët çdo herë kanë pasur mundësi që t’i parashtrojnë lirshëm pyetje çdo anëtari të Plenumit, ndërsa fare ndryshon “hesapi” tek struktura e Parlamentit Studentor, ku gjithçka ka shkuar në mënyrë hierarkike. Në paraqitjen e parë, kryetari i deritanishëm i Parlamentit, u pyet nga gazetarët rreth aktiviteteve të fundit, rreth programit studentor dhe agjendës së Parlamentit, por përgjigja e vetme që gazetarët morën ishte “drejtohuni me shkrim për çdo gjë që ju intereson”. Nga ana tjetër, Plenumi ka funksionuar dhe funksionon me zëdhënës dhe më tepër studentë – anëtarë të tij që janë të gatshëm në çdo kohë të prononcohen për mediat.

Kur flitet për monitorim të qasjes dhe sjelljes ndaj mediave, në sy bie edhe serioziteti i folësve para gazetarëve apo objektivit të kamerës. Në këtë kontekst, kemi dy ekstreme që u ushtruan nga këto dy palë. Nga njëra anë, anëtarët e Plenumit çdoherë paraqiten serioz dhe të artikuluar para mediave, pavarësisht se ishin të fokusuar në aktivitetet e tyre dhe punonin shumë në përhapjen e tyre, ndërsa nga ana tjetër, disa persona të identifikuar si PSUSHKM, gjatë zhvillimit të zgjedhjeve për shembull, qesheshin dhe ironizonin me gazetarët në pyetjet e tyre të drejtpërdrejta. Duke gjykuar si gazetarë, gjithnjë para kamerave ka shumë rëndësi edhe qëndrimi dhe serioziteti që bashkëbiseduesit tregojnë ndaj temës dhe ngjarjes!

Nuk do të ishte e lehtë një përmbledhje e idesë së Plenumi Studentor tashmë është legjitimuar nga mediat. Injorimi që i bënë institucionet, u kthye si bumerang përmes interesimit akoma më të madh prej mediave për Plenumin. Fyerjet që i bënë kolegët e tyre dhe media të caktuara, ishin bazë për lajm. Kërcënimet që iu adresuan Plenumit, ishin forcë shtytëse për një epokë të re në mediat, kur për herë të parë studentët po fitojnë më shumë rëndësi se ngjarjet tjera në edicionet e lajmeve dhe po ngjiten të parët në listat e agjendës redaktoriale. Pas kësaj, nuk ka nevojë për teori komunikimi që të kuptohet se Plenumi u legjitimua. Falë mënyrës së veprimit të tij, por edhe falë mediave dhe interesit publik!

 


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Abonohuni për lajmet më të reja