verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Pas marrëveshjes së Përzhinos: Nuk ka “lopë të shenjta” në mediat e Maqedonisë

on 30 - 09 - 2015       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Фото: Pixabay
Fotо: Pixabay

Cilat elemente duhet të merren parasysh në fazën aktuale të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, kur bëhet fjalë për mediat

Shkruan: Sasho Оrdanoski

Nga ajo që e lexoj këto ditë në internet (këtu dhe këtu), duke e përfshirë edhe kolumnën e kolegut Branko Geroski, e kuptoj se dikushm diku, në kuadër të procesit të Përzhinos, ka inicuar, do të fillojë ose ndoshta tashmë ka përfunudar me bisedat për gjendjen me mediat në vend. Edhe pse bëra disa thirrje telefonike, shkrova e-mail-e dhe SMS që të kuptoj diçka më tepër, mirëpo nga gjysmëinformatat dhe thashethemet nuk mund të kuptohet se kush bisedon (ka biseduar) dhe me çfarë agjende. Nuk do të jetë hera e parë që të kuptojmë, pasi të jetë vonë për çfarë do qoftë “korrigjimesh”, se për diçka – jam i sigurt, me qëllimet më të mira nga ana e disa negociatorëve dhe ndërmjetësuesve – është arritur marrëveshje, e që e tangon gjithë komunitetin mediatik, e për të cilën komuniteti nuk ka pasur mundësi të shprehet në mënyrë relevante.

Prandaj, ja, e shfrytëzoj mundësinë që t’i theksoj pesë pika – edhe pse ka pasur mundësi të jenë edhe 55! – të cilat mendoj se janë të rëndësishme për t’u marrë parasysh në këtë fazë të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, ku mediat e luajnë njërin nga rolet më të rëndësishme.

E para, bisedat për RTVM-në duhet të përfundojnë me konstatim se duhet të japin dorëheqje kolektive të gjitha kuadrot udhëheqëse -menaxhuese dhe gazetareske – në atë shtëëi, që të emërohen kuadro të rjea, profesionale, që do të mund të sigurojnë informim të vërtetë, në kohë dhe të balancuar për përditshmërinë shoqërore dhe politike të Maqedonisë. Personalisht, mendoj se pas dorëheqjeve të udhëheqësve aktualë të RTVM-së, ata duhet edhe të përzihen nga puna (përjashtim!), që të mos bëjnë obstruksione për reformën në RTVM nëpër korridore, e poashtu edhe që të kenë kohë për një introspeksion të katastrofës që e gjeti RTVM-në me punën e tyre gjatë viteve të kaluara. Pas kësaj mund të hapet diskutim për ardhmërinë e RTVM-së, në çfarë mënyre dhe kush do ta riorganizojë, si do të sigurohet pavarësia e saj e ardhshme nga politika dhe nga tregu, dhe të gjitha aspektet dhe detajet e tjera për të cilat duhet të harxhohen muaj të tërë për t’i diskutuar. Domethënë, fillimisht duhet të largohet udhëheqësia aktuale, e pastaj të sigurohet program korrekt informativ deri në zgjedhje, e pas tyre (ose në ndërkohë, njësoj) diskutim për parimet themelore për funksionimin e ardhshëm të RTVM-së.

E dyta, parimi i njëjtë duhet të zbatohet edhe për Agjencinë për media – urgjentisht të largohen të gjithë anëtarët udhëheqës dhe drejtues të këtij organi “të pavarur” rregullator. Ky organ në mënyrë dramatike kontribuoi për shkatërrimin e interesit publik në mediat radiodifuzive të Maqedonisë – ashtu siç, të themi, nuk është më i vogël as krimi i Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit në lulëzimin e krimit të organizuar nga shteti në Maqedoni. Minimumi është “mbledhja e koferëve” nga ana e analfabetëve totalë mediatikë dhe moralë nga kjo Agjenci, (njëkohësisht edhe nga KSHPK-ja); qëndrimi maksimal do të mund të përfshinte edhe ngritjen e procedurave përkatëse gjyqësore për vepra të shumta të moskryerjes së obligimeve të përcaktuara me ligjet e Maqedonisë që e rregullojnë këtë fushë, për shkak se në rastin e tyre, nuk jam i sigurt se introspeksioni i tyre personal(?!) është satisfaksion i mjaftueshëm për mbrojtjen e interesit shoqëror. Pastaj, të zgjidhen njerëz të rinj në këtë Agjenci me detyrë që të fillojnë ta zbatojnë në mënyrë elementare rregullativën që është në kompetencë të tyre – hapi i parë për këtë: rishqyrtimi i respektimit të parametarve kryesorë kualitativë dhe kuantitativë për lejet e lëshuara radiodifuzive për punë për të gjitha mediet që janë në kompetencë të Agjencisë. Për shkak se lehtë do të pajtohemi se ky organ ka për detyrë, në emër të shoqërisë (e jo të pushtetit!), të udhëheqë politikë për mbrojtjen e interesit publik në mediet që janë në kompetencë të tij, është koha e fundit që kjo politikë të fillojë të zbatohet. Pyes publikisht: Pse zgjidhja politike e kësaj krize të madhe politike në Maqedoni duhet të përfundojë pa rishqyrtimin e vazhdimit me punë të TV Sitelit dhe të TV Kanal 5, për shembull? A janë pronarët dhe redaktorët e tyre ndonjë lloj i “lopëve të shenjta politike” për të cilat, edhe kur do ta shkelin interesin publik si fëlliqësirën në rrugë, nuk guxojmë të bisedojmë për përgjegjësinë e tyre në shkatërrimin e demokracisë në Maqedoni? Cili ishte diskutimi i pushtetit për Velija Ramkovskin dhe TV A1, në këtë kontekst? Mediet në pronësi private punojnë në një veprimtari e cila jo rastësisht është rregulluar në nivel të lartë, mu për atë që të mbrohet shoqëria nga sjellja shkatërruese e pronarëve dhe redaktorëve të tyre me vite të tëra.

E treta, ndërprerja e të gjitha operacioneve financiare prej shtetit kah mediet private në sferën e reklamimit dhe të sponsorimit. Këtu nuk ka shumë për t’u shtuar. Moratorium, menjëherë, deri në ditën kur, eventualisht, do të arrihet marrëveshje për mënyrat në të cilat – ndoshta – do të vazhdojë të zbatohet ajo në mënyrë transparente, ligjore dhe duke i respektuar të gjitha kriteret e përcaktuara. (Kjo punë ka kuptim, mirëpo jo në këtë mënyrë.)

E katërta, para zgjedhjeve të parakohshme, themelimi i (njëfarë) organi që do të fillojë në mënyrë serioze, me pjesëmarrjen e praktikantëve dhe teoreticientëve të dëshmuar nga kjo sferë, të bisedojë për ndryshimin e gjendjeve në sistemin mediatik në Maqedoni. Veprimi i këtillë nuk mund të realizohet pa angazhimin e përkushtuar të institucioneve shtetërore, me vullnet të qartë politik edhe pushteti (i ardhshëm) dhe opozita, dhe me ndihmën ndërkombëtare e cila do t’u ofrohet punëtorëve mediatikë në vend, ATA ta zhvillojnë diksutimin për reformat. Ato reforma duhet të zbatohen në të gjitha sferat e sistemit mediatik: në ambientin e tregut dhe në aspektet sociale të angazhimit të mediave; në rregullativën që ka të bëjë me mediet dhe punën e tyre; në raportin e shtetit ndah medieve jashtë sferës së rregulluar me ligj; në raportet pronësore; në segmentet arsimore të profeisoneve mediatike; në format e tjera të profesionalizimit dhe të bashkimit të gazetarëve dhe të punëtorëve të tjerë mediatikë; në sferën e marrëdhënieve të punës në medie; mënyrën dhe llogaridhënien në matjen e shikueshmërisë së televizioneve; politikën tatimore ndaj medieve; çështjet e kritereve për subvencionet shtetërore për mediet… Qëllimi i këtij debati të gjerë dhe të thellë do të ishte që të bëhet sa më i vështirë, pse jo edhe i pamundur, injorimi i interesit publik në kuptim të ekzistimit të medieve në një shtet normal, demokratik.

E pesta, MENJËHERË të ndërpriten presion e vrazhda, sulmet fizike dhe shkatërrimi i pronës së atyre gazetarëve dhe individëve mediatikë, të cilët (zëshëm) nuk pajtohen me politikat e pushtetit. Veprat e tilla të kryera deri tani – e vetëm nga muaji prill e deri më sot janë rreth 10-15 – t’i dorëzohen për procesim Prokurorit special publik, për shkak se numri më i madh i tyre bën pjesë në portfolion e tij për restaurimin e shtetit juridik në Maqedoni.

Mendoj se për fillim të reformës së madhe mediatike e cila është para nesh, majfton nëse negociatorët nga Përzhinoja – kushdo që të jenë dhe kudo që të jenë, me ndërmjetësim të kujt do qoftë – i kanë parasysh këto postulae themelore për dalje nga kjo gjendje e tmerrshme në të cilën gjendet interesi publik në sferën mediatike në Maqedoni, në llogari të interesave të biznesit dhe politike të familjes që është në pushtet dhe të disa bashkëpunëtorëve të pangopur dhe të kriminalizuar të saj nga mediet.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja