verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Vetërregullimi në mediet në Maqedoni – Mission Possible!

on 15 - 03 - 2017       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Фото: CC BY-SA HonestReporting.com, 2011
Foto: CC BY-SA HonestReporting.com, 2011

 

Vetërregullimi është sistem rregullash që i përcaktojnë mediet që ta mbrojnë biznesin e tyre dhe të krijojnë besim më të madh tek publiku. Thelbi i biznesit mediatik qëndron tek informatat, gjegjësisht përcjellja e të vërtetës nëpërmjet informimit të vërtetë, objektiv dhe të plotë të publikut dhe e gjithë kjo e bërë me respektim të rregullave etike. Në këtë mënyrë, me vetërregullim mbrohen edhe të drejtat univerzale të njeriut – liria e shprehjes dhe e drejta e informimit (medie të lira dhe profesionale)

 

Shkruan: Теоfil Bllazhevski*

 

Liria e shprehjes ku përfshihet edhe liria e medieve si pushtet i katërt në shoqëritë demokratike, janë një nga të drejtat universale të njeriut dhe si të tilla janë të pranuara dhe të mbrojtura me dokumente adekuate të organizatave më të larta ndërkombëtare (shiko këtu në paqen 7). Sot nuk ekziston shoqëri e cila mund të quhet demokratike nëse përballet me ankesa për medie jo të lira, ose frikë nga shprehja publike e mendimeve dhe qëndrimeve. Kështu, tema për mënyrat dhe mjetet për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe lirive univerzale është një temë e një rëndësie të veçantë për debat publik në të gjitha shoqëritë bashkëkohore.

Maqedonia nuk është përjashtim në lidhje me këtë çështje. Organizatat dhe institucionet relevante në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar, tashmë disa vite liferojnë raporte jashtëzakonisht shqetësuese për gjendjen e lirisë së shprehjes në këtë vend, dhe posaçërisht e theksojnë situatën e keqe në të cilën gjenden mediet në lidhje me funksionin e tyre themelor- ta informojnë publikun lirshëm dhe pa shtypje për të gjitha çështjet relevante në shoqëri. Kjo sjell deri te debate të vazhdueshme për këto çështje.

Qëndrimet në këto debate janë të polarizuara. Përderisa shteti dhe përfaqësuesit e tij më të lartë pretendojnë se nuk ekziston problem dhe se problemet janë minimale, e kundërta thuhet nga një numër i madh i mediesh, organizatash profesionale, sektori joqeveritar i cili merret me sferën mediatike dhe lirinë e shprehjes, si dhe një numër i madh gazetarësh. Kuptohet se duke u nisur nga faktet, e vërteta është se gjendja është, thënë sa më butë, pesimiste, ndërsa rrugëdalja është tek gjetja e mjeteve me të cilat të drejtat univerzale do të realizohen në praktikë. Në fakt, këto janë mekanizma që do të mundësojnë një funksionim praktik të të drejtave dhe lirive të përmendura, të cilat, për më tepër, janë të përfshira edhe në nenin e 16 të Kushtetutës tonë, si dhe në Ligjin për mediet.

Si pasojë e kritikave të shumta, shteti u përpoq ta rregullojë këtë sferë. Kështu në vitet e fundit janë miratuar disa norma ligjore, të cilat duhej ta mbushin zbrazëtirën në të cilën dy dekada nuk ekzistojnë ligj themelor mbi mediet, të cilat nga ana tjetër në shikim të parë funksiononin në mënyrë më kontradiktore, më të lirë dhe me më pak shtypje. Kështu shteti i miratoi së pari, Ligjin për mbrojtjen e të drejtës për qasje deri tek informatat e karakterit publik, ndërsa përgjatë tri viteve edhe tre ligje – Ligjin për mediet audio-vizuale dhe shërbimet mediatike, Ligjin mbi mediet dhe Ligjin për përgjegjësinë e qytetarëve për shpifje dhe fyerje. Shteti në të njëjtën kohë formoi edhe trupa rregullatorë për një pjesë të materies të rregulluar me këto ligje.

Edhepse kanë dobësi dhe lëshime ku më shumë e ku më pak, shteti, si një demokraci relativisht e re që nuk e kupton deri në fund thelbin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve, shfaqi tendenca të hapura për të kontrolluar nëpërmjet rregullativës ligjore. Kështu, më një numër të madh trukesh (të përfshira nëpër norma) dhe me një imponim të paskrupullt të shumicës politike, i derogonte edhe nenet e mira të ligjeve dhe punën praktike të përditshme të trupave rregullatorë.

Tendencat e këtilla kuptohet se nuk janë një „dukuri endemike”. Ato janë vërejtur edhe në demokracitë më të zhvilluara, por shumë kohë më parë dhe ato e kanë zgjidhur problemin dhe kanë gjetur mekanizma për mbrojtje. Një nga mjetet kyçe, midis tjerash, është edhe vetërregullimi i medieve – parim që ka rrjedhur nga vetë mediet dhe pronarët e tyre. Qëllimi është t’i mbrojnë interesat e tyre – lirinë e shprehjes, dhe në të njëjtën kohë, ta ruajnë besimin tek opinioni për përmbajtjet e tyre mediatike. Kështu është krijuar vetërregullimi i cili rrënjët i ka në shekullin XIX, ndërsa Këshilli i parë për shtypin është themeluar në vitin 1903 në Norvegji, dhe sot është sjellë thuajse në përsosmëri teoria në raport me praktikën, e e gjithë kjo rezulton me më pak rregullativë, më shumë besim të opinionit tek mediet. Në fakt, një moto që përmendet shpesh nga përfaqësuesit e këtij sistemi është „sa më shumë rregullim, aq më pak rregullim (shtetëror).”

 

ÇFARË ËSHTË VETËRREGULLIMI?

Thënë më thjeshtë, vetërregullimi është sistem rregullash që i vendosin mediet që ta mbrojnë biznesin e tyre dhe të fitojnë besim më të madh tek opinioni. Thelbi i biznesit mediatik qëndron tek informatat, gjegjësisht transmetimit të së vërtetës nëpërmjet një informimi të vërtetë, objektiv dhe të plotë deri tek opinioni dhe e gjithë kjo e kryer duke i respektuar rregullat etike. Në këtë mënyrë, me vetërregullim mbrohen edhe të drejtat e lartëpërmendura univerzale të njeriut – liria e shprehjes dhe e drejta e informimit (mediet e lira dhe profesionale).

Pjesëmarrës në procesin e vetërregullimit janë mediet dhe opinioni. Mediet, gjegjësisht pronarët e medieve (me redaktorët dhe gazetarët) formojnë një trup profesional, roli i të cilit është të jetë urë lidhëse midis medieve dhe opinionit kur bëhet fjale për mbrojtjen e standardeve profesionale e sidomos atyre etike në gazetari.

Mjeti themelor i trupave vetërregullues, nga ana tjetër, janë kodet etike. Profesori Sefer Tahiri, komunikolog dhe anëtar i trupit të parë për vetërregullim në Maqedoni të formuar prej medieve dhe organizatave profesionale joqeveritare, thotë se në botë ekzistojnë më shumë se 400 kode etike. Por, principet kryesore të këtyre kodeve janë të identifikueshme dhe ato qëndrojnë  tek nëntë parimet e Federatës Ndërkombëtare të gazetarëve. Mbi këto parime është miratuar edhe Kodi etik i gazetarëve të Maqedonisë qysh në vitin 2001. Ai është funksional, dhe përkrah tij, ekziston edhe Doracak për etikën në gazetari, i publikuar nga SHGM, qëllimi themelor i të cilit është promovimi i rregullave etike dhe vetërregullimi në kuadër të SHGM,  por ka edhe një pjesë ku jepen rekomandime dhe udhëzime për interpretimin e neneve të Kodit.

Ky kodeks përbëhet prej parimeve dhe 17 neneve dhe në thelb i mbulon të gjitha normat profesionale dhe etike të cilave duhet tu përmbahen gazetarët. Por, siç theksojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, atje ku ekzistojnë më shumë se një organizatë profesionale gazetarësh dhe mediesh, duhet të bëhen përpjekje për një kod unik të pranuar nga të gjithë (shiko këtu, faq.8). E tillë është edhe gjendja në Maqedoni për momentin. Trupi i parë vetërregullues i formuar nga mediet, Këshilli për etikën e medieve në Maqedoni (KEMM), punon kryesisht sipas principeve të Federatës Ndërkombëtare të gazetarëve dhe sipas Kodit të gazetarëve të Maqedonisë të miratuar nga SHGM, por aktualisht po përgatitet një kod i ri, i cili do të paraqesë pajtim midis të gjitha organizatave profesionale.

Од промоцијата на СЕММ во Битола на 23.04.2015. Фото: СЕММ
Nga promovimi i KЕММ në Manastir më datë 23.04.2015. Foto: KЕММ

 

SI FUNKSIONON VETËRREGULLIMI?

Vetërregullimi funksionon dhe pothuajse gjithkund implementohet në mënyrë të ngjashme, ndërsa procedura qëndron në parimin e ndërmjetësimit ndërmjet opinionit (qytetarëve) dhe medieve. Të dy vepruesit në këtë proces, supozohet se e kanë filluar me besim se nëpërmjet tij do të arrihen efektet e dëshiruara – mediet të arrijnë profesionalizëm më të madh dhe standarde etike, si dhe besueshmëri tek shfrytëzuesit, ndërsa qytetarët të arrijnë plotësimin e ndonjë të drejte të tyre të cilën e konsiderojnë si të rrezikuar në ndonjë moment nga ndonjë medie konkrete ose grup mediesh.

Ndërmjetësues në këtë proces është ndonjë organizatë profesionale, e cila më së shpeshti emërtohet si këshilli i shtypit, këshilli i medieve ose këshilli i etikës. Në Maqedoni trupi i parë i tillë është formuar në fillim të vitit të kaluar dhe emri zyrtar është Këshilli i etikës së medieve në Maqedoni. (sa për shpjegim – një lloj i vetërregullimit midis gazetarëve ka një historik të gjatë në suaza të SHGM-së, ku ekziston Këshilli i nderit, por ai ka kompetenca shumë më të ngushta dhe kryesisht merret me shkrimet e gazetarëve që janë anëtarë të SHGM-së).

Këshilli i etikës është i formuar pas një iniciative disavjeçare të një pjese të medieve dhe të SHGM-së dhe deri tani ka mbështetjen e më shumë se njëzetë medieve rajonale dhe nacionale, midis të cilave edhe Shërbimi publik mediatik – RTM, ndërsa përbërja e medieve është nga të gjitha degët – elektronike, të shtypura dhe të reja (internet medie).

Këshilli i etikës përbëhet nga tre trupa: këshilli drejtues (KD), zyra ekzekutive (ZE) dhe komisioni për ankesa  (KA).

Procedura sipas të cilës punon KEMM është si vijon:

  • Qytetari, personi juridik apo institucioni dërgojnë parashtresë deri te KEMM;
  • Zyra ekzekutive e ridërgon parashtresën deri tek komisioni për ankesa;
  • Komisioni për ankesa mban mbledhje dhe nëse vlerëson se parashtresa është formalisht dhe në thelb në rregull, jep urdhëresë deri te ZK që ta fillojë procesin e ndërmjetësimit;
  • ZK i drejtohet redaksisë së medies, e njofton me parashtresën e pranuar dhe kërkon mendim nga ato se a është dakord plotësisht ose pjesërisht me zbulimet nga parashtresa, ose, e refuzon atë;
  • Nëse media prononcohet plotësisht ose pjesërisht, atëherë vijon shpjegim me shkrim me një kërkim falje eventuale deri te parashtruesi i ankesës. Këtu përfundon procedura nëse parashtruesi dakordohet me shpjegimin ose kërkimin e faljes, ndërsa KA e konstaton atë dhe lënda konsiderohet si e përfunduar suksesshëm me ndërmjetësim;
  • Nëse media e refuzon parashtresën, KA në seancë diskuton për lëndën e parashtresës dhe miraton vendim. Vendimi mund të jetë refuzim ose pranim i parashtresës;

Vendimet e KA-s (gjegjësisht të Këshillit), që janë të mbështetura me arsyetime serioze, publikohen në ueb-faqen e KEMM dhe ridërgohen tek palët e interesuara. Media e cila është anëtare e KEMM obligohet që ta publikojë konstatimin në vend të dukshëm në medien e vetë. Kjo tani për tani është problemi më i madh me të cilin përballet Këshilli, sepse bëhet fjalë për një parashtresë të pranuar, gjegjësisht konstatim negativ për medien.

Nuk ekzistojnë kurrfarë sanksionesh për mediet, përveç natyrës morale të konstatimit se një medie e caktuar nuk i ka respektuar standardet etike dhe profesionale në një drejtim të caktuar dhe me këtë e ka cenuar profesionalizmin në punës e saj.

Фото: СЕММ
Foto: KЕММ

 

A ËSHTË I MBIVLERËSUAR DHE A MJAFTON VETËRREGULLIMI?

Këto debate që u hapën edhe tek ne pasi u formua KEMM, ekzistojnë dhe ende janë aktuale në botë. Kjo gjë veçanërisht pas publikimit të skandalit të përgjimeve nga mediet në pronësi të Rupert Murdokut në Britaninë e Madhe para disa vitesh, që shkaktoi një tronditje të Komisionit për nakesa të shtypit të atëhershëm, sepse për shkak se financat më të mëdha kanë ardhur nga këto medie, komisioni nuk reagoi në kohë dhe nuk arriti të merret me pasojat. Megjithatë, vjet u riformua si një trup i ri, me rekomandim që të instalohen mekanizma mbrojtës që të mos përsëriten gabimet.

Përvojat nga shumica e demokracive të vjetra, prapë se prapë janë pozitive. Dalëngadalë bëhen pozitive edhe përvojat nga rajoni. Para pak kohe, në mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, në Beograd u mbajt konferenca rajonale e trupave për vetërregullim nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, si dhe u bë një nismë për një trup të tillë edhe nga Shqipëria. Në këtë konferencë u soll konstatim që të formohet një rrjet rajonal i trupave për vetërregullim, të cilët në një koordinim më të ngushtë dhe shkëmbim përvojash do të arrinin më shumë rezultate në mjediset e veta dhe ne rajon si tërësi.

Përvoja e deritanishme e KEMM, është gjithashtu shumë ose së paku në përgjithësi pozitive. Për një periudhë të shkurtër Këshilli zgjodhi rreth 30 lëndë në bazë të parashtresave të dorëzuara (disa të tjera u refuzuan për shkak të vjetërsisë së parashtrimit që duhet të kryhet në afat prej 30 ditësh nga dita e publikimit të materialit kontestues gazetaresk). Nga ato të zgjidhurat, disa ishin me ndërmjetësim (numri përafërsisht afrohet tek një e treta), gjë që vetëm e vërteton edhe interesin publik për ekzistimin e këtij trupi dhe interesin e medieve për të njëjtin.

Sipas përvojave ndërkombëtare, të cilat i prezantoi para do kohe edhe profesori i përmendur Tahiri nëpër debate në Manastir dhe Ohër, ka së paku pesë arsye se pse nevojitet vetërregullimi:

    1. Ruhet liria redaktuese
    2. Minimizohet intervenimi i shtetit
    3. Inkurajohet cilësia e medieve
    4. Dëshmohet përgjegjshmëria e medieve
    5. U jepet mundësi lexuesve (dëgjuesve, shikuesve, publikut te medieve në internet) të kenë qasje tek mediet.

Por ekzistojnë edhe së paku dy arsye serioze që janë të lidhura me përvojat tona dhe që tregojnë se pse na nevojitet ekzistimi dhe puna e KEMM.

E para është ndërmjetësimi. Ndërmjetësimi, u theksua qysh në konferencën e parë për shtyp të Komisionit të ankesave, pritet që të kontribuojë për një numër të zvogëluar të lëndëve gjyqësore për fyerje dhe shpifje. Gjegjësisht, këtë e vërtetoi përvoja e fundit ku komisioni vendoste në lidhje me një lëndë në të cilën ishin të përfshirë dy profesoresha universitare dhe një televizion nacional. Më ndërmjetësimin e KEMM, media kërkoi ndjesë dhe e pranuan që kanë bërë një gabim të paqëllimshëm, ndërsa deponuesit e parashtresës publikisht deklaruan se nëse mediumi e bën këtë, ato do të heqin dorë nga qëllimi për padi.

Arsyeja e dytë serioze është se vendimet e KEMM, de fakto mund të përdoren edhe si mendim shkencor në rast të ndonjë kontesti eventual gjyqësor për fyerje dhe shpifje. Gjegjësisht, siç u theksua edhe nga Filip Gjurçinovski, anëtar i KA të KEMM, para pak kohe në një tribunë në Manastir, se në Ligjin aktual për fyerje dhe shpifje është instaluar një nen 5 me interpretime të shprehjeve dhe termeve në ligj. Në paragrafin 3 të këtij neni, parashihet se: „Si rregulla profesionale në profesionin e gazetarisë konsiderohen rregullat e grumbullimit, analizës dhe publikimit të informatave të verifikuara nga organizata profesionale e gazetarëve.”.

Meqë Këshilli është organizatë e formuar nga mediet, në të cilat punojnë gazetarë dhe meqë puna themelore e Këshillit është interpretimi i rregullave profesionale, nëpërmjet Kodit, Parimeve, si dhe përvojave nga Aktgjykimet e Gjykatës për të drejtat e njeriut në Strazbur, është plotësisht e qartë se vlerësimi, mendimi ose vendimi i KEMM-it, gjegjësisht i Komisionit të ankesave, do të jetë mendim relevant ose pjesë e një procedure gjyqësore për një shpifje ose fyerje.

Arsyet e shënuara janë vetëm një pjesë e shumicës së arsyeve që e vërtetojnë nevojën e ekzistimit të vetërregullimit në Maqedoni. Kuptohet se sfidat janë të mëdha, dhe njëra nga më seriozet është financimi i këtij trupi. Tani për tani punon me sukses, midis të tjerave edhe për shkak të mbështetjes nga Holanda dhe nga UNESKO (UNESCO), të cilat e kuptuan dhe mbështetën këtë ide. Sipas rregullit, këto këshilla financohen nga ana e anëtarëve, por edhe nga shteti pa asnjë kushtëzim në lidhje me punën. Ekzistojnë mundësi që kjo të arrihet edhe tek ne. Tani për tani, nuk ka dilema se një rregullim i vërtetë në Maqedoni po shndërrohet nga një mision i pamundur në mission possible.

 

*(Autori është gazetar dhe anëtar i Komisionit për ankesa të KEMM)


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja