verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

E drejta për korrigjim të informatës së publikuar në medie

on 19 - 11 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Фото: pixabay
Foto: pixabay

E drejta për korrigjim të informatës së publikuar është rregulluar me Ligjin për medie, ku përshkruhen në mënyrë të detajuar obligimet e medieve në qoftë se kërkohet prej tyre të bëjnë korrigjim të informatës që tashmë është publikuar.

Shkruan: Аleksandar Georgiev

Në përputhje me Kodin e gazetarëve, gazetari duhet të insistojë që të mundësohet publikimi i korrigjimit, demanti dhe përgjigja në rastet kur është konstatuar pasaktësia e informatës.

Kush ka të drejtë të kërkojë korrigjim?

Çdokush ka të drejtë që nga botuesi i medies, gjegjësisht nga kryeredaktori i medies të kërkojë, pa kompensim, që të publikojë korrigjim të informatës së publikuar ku theksohen faktet e pasakta, me të cilat janë shkelur të drejtat apo interesat e tij. Të drejtë për korrigjim kanë edhe personat juridikë dhe organizatat apo organet e tjera, në qoftë se me informatën janë shkelur të drejtat ose interesat e tyre.

Kërkesa për publikimin e korrigjimit i dërgohet kryeredaktorit të botuesit të medies në formë të shkruar, në afat prej 30 ditësh nga dita e publikimit të informatës me të cilën ka të bëjë korrigjimi. Kërkesa duhet të jetë e arsyetuar dhe e nënshkruar nga parashtruesi i korrigjimit dhe duhet t’i përmbajë të gjitha të dhënat e nevojshme për parashtruesin e korrigjimit, si dhe adresën e tij. Në korrigjimin e informatës së publikuar, përveç korrigjimit të pohimeve të gabuara ose të pasakta në informatën e publikuar, mund të ofrohen fakte dhe rrethana me të cilat parashtruesi i korrigjimit i përgënjeshtron ose i plotëson në masë të konsiderueshme pretendimet që janë bërë në informatën e publikuar.

Kur nuk mund të kërkohet korrigjim?

Në rastet kur bëhet fjalë për kritikë shkencore ose artistike, nuk jepet e drejta për korrigjim, përveç nëse me të bëhet korrigjim i të dhënave të pasakta. Nuk mund të kërkohet korrigjim në qoftë se botuesi i medies, deri në ditën e parashtrimit të kërkesës për korrigjim, tashmë vet ka publikuar korrigjim të kësaj informate.

Parashtruesi i kërkesës për publikim të korrigjimit duhet në mënyrë të qartë ta theksojë informatën, gjegjësisht të dhënën e informatës me të cilën ka të bëjë kërkesa për korrigjim dhe datën e publikimit të saj.

Publikimi i korrigjimit

Korrigjimi publikohet, pa ndryshime dhe plotësime, në vendin e njëjtë ose në vend adekuat në përmbajtjen e medies dhe në mënyrë të njëjtë ose adekuate me atë në të cilën është publikuar informata. Korrigjimi nuk guxon të jetë shumë më i gjatë në raport me informatën, gjegjësisht me pjesën e informatës të cilës i referohet. Korrigjimi mund të publikohet në formë të ndryshuar vetëm në qoftë se me këtë pajtohet parashtruesi i kërkesës për korrigjim. Korrigjimi duhet të publikohet në mënyrë që nga vetë titulli të mund të shihet se bëhet fjalë për korrigjim. Korrigjimi pa pëlqmin e parashtruesit të kërkesës nuk guxon të publikohet ndërmjet reagimeve dhe letrave të lexuesve, gjegjësisht shikuesve ose dëgjuesve.

Në programet e trasnmetuesve elektronikë, korrigjimi publikohet duke e lexuar atë në programin dhe terminin e njëjtë në të cilin është publikuar informata me të cilën ka të bëjë korrigjimi ose në lloj të njëjtë të programit me nivel të njëjtë të shikueshmërisë ose të dëgjueshmërisë.

Mënyra dhe kushtet për publikimin e korrigjimit

Korrigjimi duhet të publikohet në afat prej dy ditësh nga dorëzimi i kërkesës, në numrin e parë të ardhshëm nëse bëhet fjalë për botime periodike ose në medie tjetër, nëse bëhet fjalë për publikim joperiodik. Në periudhë të procesit zgjedhor, korrigjimi duhet të publikohet në botimin e parë të ardhshëm, gjegjësisht në programin e parë të ardhshëm të llojit të njëjtë sapo të pranohet korrigjimi.

Në botimin e njëjtë, gjegjësisht në programin e llojit të njëjtë, nuk mund së bashku me korrigjimin të publikohet edhe koment në lidhje me korrigjimin ose përgjigje në lidhje me të.

Kryeredaktori është i obliguar ta publikojë korrigjimin, përveç atëherë kur:

  • korrigjimi nuk ka të bëjë me informatën të cilës i referohet personi i interesuar;
  • korrigjimi nuk përmban të dhëna në lidhje me pohimet që janë bërë në informatë;
  • korrigjimi është në kundërshtim me interesat e palëve të treta që janë të mbrojtura me ligj;
  • kërkesa për publikimin e korrigjimit nuk është nënshkruar nga parashtruesi i kërkesës ose na personi i autorizuar i organit shtetëror ose subjektit juridik;
  • korrigjimi është shumë i madh në raport me informatën të cilës i referohet, gjegjësisht me pjesën e informatës të cilës i referohet, përveç nëse korrigjimi ka të bëjë me shpifje ose me informatë me përmbajtje ofenduese;
  • korrigjimi është shkruar në gjuhë që nuk është identike me gjuhën në të cilën është publikuar informata që kontestohet;
  • në rast se bëhet fjalë për kritikë shkencore ose artistike, përceç nëse me të bëhet korrigjimi i të dhënave të pasakta, pohimeve ofenduese dhe tendencioze;
  • tashmë është kërkuar korrigjim i përmbajtjes së njëjtë të informatës ose në qoftë se është duke u zhvilluar kontest para gjykatës kompetente për shkak të mospublikimit të korrigjimit;
  • botuesi i medies tashmë vet ka publikuar korrigjim të informatës së publikuar;
  • kërkesa është parashtruar pas kalimit të afatit dhe
  • korrigjimi përmban ofendim ose shpifje.

Kryeredaktori është i obliguar ta njoftojël me shkrim kërkuesin e korrigjimit për shkakun e mospublikimit të korrigjimit.

E drejta për kopje të publikimit

Botuesi i medies është i obliguar që personit të interesuar, i cili vetë duhet t’i mbulojë shpenzimet për këtë, t’i sigurojë kopje të informatës së publikaur edhe atë më së voni në afat prej tre ditësh nga dita e pranimit të kërkesës me shkrim nga personi i interesuar. Kopja i dërgohet personit të interesuar vetëm për përdorim personal. Nuk lejohet shumëzimi e as publikimi i kopjes pa pëlqimin e botuesit të medies përveç në kuadër të procedurës gjyqësore.

Ruajtja e publikimit

Në qoftë se personi i interesuar në afat prej tetë ditësh nga dita e publikimit të informatës bën njoftim me shkrim se do të kërkojë publikim të korrigjimit, kryeredaktori i botuesit të medies është i obliguar ta ruajë publikimin e informatës të cilës i referohet kërkesa për korrigjim, derisa të publikohet korrigjimi i kërkuar, gjegjësisht deri ta së përfundojë procedura gjyqësore që zhvillohet në lidhje me informatat e publikuara që kontestohen, gjegjësisht deri sa të përfundojnë afatet e parapara ligjore për realizimin e të drejtës për korrigjim ose mbrojtje gjyqësore.

Kërkesa për korrigjim nga botuesi i medies që më nuk ekziston

Publikim i korrigjimit mund të kërkohet edhe kur informata është publikuar nga një botues i medies, i cili, në ndërkohë, e ka ndërprerë veprimtarinë e tij. Parashtruesi i kërkesës për korrigjim ka të drejtë që nga botuesi i asaj medie ose nga pasardhësi i tij juridik të kërkojë që, me shpenzime të veta, t’i sigurojë publikim të korrigjimit në medie tjetër, e cila sipas nivelit të shikueshmërisë, dëgjueshmërisë, gjegjësisht tirazhit është i ngjashëm me të.

E drejta për padi

Nëse kryeredaktori i botuesit të medies nuk e publikon korrigjimin në mënyrë dhe afat të paraparë me ligj, personi i interesuar ka të drejtë të ngrejë padi kundër kryeredaktorit para gjykatës kompetente në afat prej 30 ditësh nga kalimi i afatit për publikimin e korrigjimit, gjegjësisht nga dita kur korrigjimi nuk është publikuar ose është publikuar në mënyrë që nuk është në pajtim me ligjin.

Kontestet gjyqësore në lidhje me publikimin e korrigjimit zgjidhen me procedurë urgjente.

Kryeredaktori është i obliguar gjatë publikimit të korrigjimit të pas përfundimit të procedurës gjyqësore të theksojë se publikimi bëhet në bazë të vendimit të plotfuqishëm gjyqësore dhe me këtë rast është i obliguar ta citojë aktgjykimin e shqiptuar.

Në qoftë se pas parashtrimit të padisë për publikim të korrigjimit ndërrohet kryeredaktori i botuesit të medies, paditësi mund deri në fund të shqyrtimit kryesor ta ndryshojë kërkesën për padi dhe në vend të të paditurit paraprak, ta padisë kryeredaktorin e ri. Për ndryshimin e këtillë të kërkesës për padi nuk nevojitet pëlqim i të paditurit paraprak, e as nga kryeredaktori i ri.

Në qoftë se media nuk e publikon korrigjimin, nuk e publikon korrigjim në mënyrë dhe nën kushte të përcaktuara me ligj dhe personit të interesuar nuk i siguron kopje të informatës së publikuar, është paraparë të shqiptohet gjobë prej 500 deri në 1.000 еuro në kundërvlerë në denarë edhe për personin përgjegjës të personit juridik dhe për tregtarin-individ për shkeljen e bërë.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja