verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Gazetaria është e vdekur, të jetojë zëri i popullit?!

on 9 - 02 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
Фото: Nicolas Alejandro, 2013
Foto: Nicolas Alejandro, 2013

Formati i ri digjital është i fiksuar për ekranet e telefonave, matet me fjalë, rrokje, ikona të vockla dhe video-sekuenca të shkurtëra infektuese (ngjitëse), e jo me paragrafe. Në këtë botë “gazetareske” verifikimi i fakteve dhe i burimeve të lajmeve bëhet rrallë, nëse praktikisht është edhe e pamundur. Konteksti, kjo kurorë e gazetarisë së mirë, më nuk është aq i rëndësishëm – kërkohet shpejtësi dhe atraktivitet.

Shkruan: Sasho Ordanoski

Bëj pjesë në pakicën e gazetarëve që konsiderojnë se profesioni ynë, gazetaria, është e gjykuar të zhduket. Së paku në atë kuptim që gazetarët i kuptojmë si njerëz që mbledhin lajme dhe, duke zbatuar standarde të caktuara profesionale, i përgatisin ato për t’i publikuar në mediet masovike. Si të tillë, së shpejti – me gjasë për më pak se dy dekada – do të jemi të panevojshëm.

Zhdukjen e profesionit të gazetarisë zakonisht e ilustroj me rolin e kuajve në civilizimin modern: vetëm deri para rreth njëqind vitesh, nuk mund të paramendohej jeta pa kuaj si pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut në bujqësi, transport, zhvillimin e luftërave ose ndërtimin e paqes; mirëpo nëse nesër zhduket edhe hamshori i fundit – përfaqësues i këtyre krijesave të bukura, elegante – asgjë e rëndësishme nuk od të ndryshojë në mënyrën e jetës sonë. Kuajtë janë të bukur, mirëpo “profesioni” i tyre është i panevojshëm në civilizimin bashkëkohor të njeriut. Së shpejti, frikësohem, se e njëjta i pret edhe gazetarët.

Me të vërtetë, interneti e ndryshoi botën ashtu siç askush nuk e supozonte, kur u zbulua para disa dekadash. E ndryshoi jo vetëm mënyrën e komunikimit dhe të mbledhjes së lajmeve dhe informatave të tjera (nëpërmjet “demokracisë së shpërndarjes”, siç thotë Om Malik), por i ndryshoi edhe shprehitë e përditshme dhe kuptimet themelore për konceptet e privatësisë, anonimitetit, për përgjegjësinë për debat publik dhe për pjesëmarrje në udhëheqjen e politikës.

Grupi i njerëzve me moshë më të vjetër që është cak i informimit gazetaresk, grup që në mënyrë të relaksuar e lexonte shtypin e ditës në mëngjes dhe me orë shikonte lajme para televizorit, ngadalë po zhduket. Publiku më i ri gjithnjë e më pak informohet nëpërmjet platformave tradicionale për informim. prë shembull, një hulumtim i paradokohshëm për sjelljen e fëmijëve në Britaninë e Madhe tregoi se prë herë të parë madje dy të tretat e fëmijëve britanikë kanë pajisje tablet dhe në ditë kalojnë më tepër kohë në internet se sa para televizorit. Ndoshta në pajisjet tablet dhe celularët edhe më tutje shohin televizion, mirëpo kërkojnë përmbajtje “on demand”, e jo program të drejtpërdrejtë. Në këtë moment, kjo gjeneratë kalon nga tre orë në ditë në internet, ndërsa dy orë para televizionit. Po, debati rreth formateve dhe përmbajtjes programore edhe më tej është i hapur, mirëpo trendet në platformat mediatike janë të pamohueshme. Për dy dekada, këta fëmijë as që do ta dijnë se televizori, ndonjëherë, ka qenë kanali kryesor prë qarkullimin e lajmeve dhe të informatave në botën e prindërve të tyre.

E kush e di se edhe çka na përgatisin në repartet prodhueese të “Apple”-it, mirëpo si do që të jetë teknologjia e ardhshme e popullarizuar, me siguri se edhe në nivel të harduerit edhe në nivel të softuerit ajo do të jetë edhe më mobile, më e përshtatur me shijen personale, me pajisje edhe më të vogla, (të futura nën lëkurë, për shembull, prapa veshëve tanë ose me thjerrëza në sy, të udhëhequra nga zëri ynë?!) dhe madje më kontaktuese, edhe në kuptim gjeografik edhe në atë kohor, 24 orë në javë nga kjo që e kemi tani.

Ky ndryshim i platformave është çelësi i ndryshimit të vlerës së profesionit të gazetarisë. Sot, “cikli i lajmeve” në platformat e reja digjitale matet me orë, e gjithnjë e më shpesh edhe në minuta. Formati i ri digjital është i fiksuar për ekranet e telefonave, matet me fjalë, rrokje, ikona të vockla dhe video-sekuenca të shkurtëra infektuese (ngjitëse), e jo me paragrafe. Në këtë botë “gazetareske” verifikimi i fakteve dhe i burimeve të lajmeve bëhet rrallë, nëse praktikisht është edhe e pamundur. Konteksti, kjo kurorë e gazetarisë së mirë, më nuk është aq i rëndësishëm – kërkohet shpejtësi dhe atraktivitet. Kryetarët e shteteve, organizatat ndërkombëtare dhe firmat globale, me disa fjalë i tweet-ojnë qëndrimet e tyre edhe për çështje më të ndërlikuara nga fushëveprimi i tyre! Gara pas lajmeve ekskluzive është më e rëndësishme se sa konkurrenca në ofrimin e raportimit të balancuar, me burime dhe fakte të verifikuara.

Mirë, “BBC”-ja dhe “CNN”-, si paltforma informative, sipas të gjitha gjasave do t’i mbijetojnë dy dekadat e ardhshme, të transformuara dhe të përshtatura në mënyra të cilat tani as që mund t’i supozojmë – mirëpo të tjerët, kryesisht, nuk do të mbijetojnë. Madje edhe këto të dyja dhe ato të ngjashme me to, do të duhet ta zvogëlojnë pjesën gazetareske në programet informative, në llogari të “gazetarisë qytetare” dhe programeve të popullarizuara të llojit “tregoni se çka ju mundon”, me kronika gjithnjë e më paradoksale, ekskluzive, shokuese dhe skandaloze.

E gjithë kjo befas e ndryshon qarkullimin e parave për reklame nëpërmmedie, duke e shkatërruar përgjithmonë modelin afarist të medieve tradicionale. Për shembull, sporti dhe zbavitja në TV tërheqin buxhete më të mëdha reklamuese, ndërsa lajmet janë shpenzimi më i madh, shikuar në aspekt krahasues, i denarit mediatik – së paku në ato raste kur nuk bëhen si përpilim falas i asaj që “rrotullohet” në internet në atë moment, që është rast i shpeshtë.

Në një konferencë të paradokohshme ndërkombëtare në Vjenë, ku i ekspozoca këto pikëpamje të mia ekscentrike për këtë temë, një djalosh inteligjent nga publiku kërceu dhe më sulmoi duke thënë se mu gazetarët janë shkaku që ai është bër blogues që përpiqet ta informojë publikun për “të vërteta” dhe tema të ndryshme, për të cilat mediet tradicionale dhe gazetarët e tyre refuzojnë të raportojnë ose këtë e bëjnë në mënyr të pandershme. “Dhe pse – insistonte ai – zhdukja e gazetarisë do të ishte lajm i keq për shoqërinë?”

Në fakt, ky lajm, vetëvetiu, nuk është as i mirë as i keq. Ajo vetëm tregon se si qëndrojnë punët. Mirëpo, do të mund të thuhej se rënia e gazetarisë dhe zhdukja e gazetarëve si faktorë kryesorë në mbledhjen dhe shpërndarjen e informatave në një shoqëri është lajm i keq për demokracinë liberale siç është sot. Nëpërmjet kreativitetit të gazetarëve përhapet thelbi i demokracisë – debati publik për çështjet që e prekin shoqërinë – dhe konstatohen faktet, potencohet konteksti më i gjerë, konsultohen burimet dhe bashkëbiseduesit relevantë, u jepet hapësirë dhe kohë qëndrimeve pakicë dhe mendimeve më pak atraktive, mirëpo relevante, të paketuara në mënyrë të besueshme dhe të përgjegjshme. Pa këtë, në shoqëritë bashkëkohore që bazohen në rrjetin e internetit dhe të cilat vuajnë nga sindromi i mungesës akute të vëmendjes në publik, demokracia gjithnjë e më shumë do të mbështetet mbi “zërin e popullit” në rrjetet sociale, ku shumicat e zëshme do të diktojnë vendime politike që do të jenë rezultat i vlerave më ekstreme, më tolerante politike.

Sa për ilustrim, ja një dëshmi e rëndësishme… Në fakt, dhjetorin e kaluar, njëri nga njerëzit kyçë për fillimin e “Pranverës egjiptase”, Wael Ghonim, në paraqitje e njohura TED e tha edhe këtë:

“Njëherë pata thënë se në qoftë se dëshironi ta çlironi shoqërinë, gjithë çka ju duhet është interneti. Gabova. ato fjalë i thash në vitin 2011, kur, nëpërmjet faqes anonime që e krijova në Facebook, ndihmova të digjet shkëndija e Revolucioni egjiptian. Pranvera arabe e tregoi potencialin e madh të rrjeteve sociale, mirëpo i zbuloi edhe mangësitë e tyre të mëdha. Vegla e njëjtë që na bashkoi që t’i rrëzojmë diktatorët, në fund na përçau në të gjitha pjesët përbërëse!”

Siç dihet, euforia qytetare egjiptase u shua shpejt pas ngjarjeve revolucionare, dhe në vend të konsensusit shoqëror, thotë Ghonim, rrjetet sociale “vetëm sa e shtuan polarizimin” duke “mundësuar të përhapen dezinformata, thashetheme, manipulime dhe gjuhë e urrejtjes”. “Ambienti u bë tepër helmues. Bota ime e internetit u bë fushëbetejë përplot me postime ofenduese/provokuese, gënjeshtra dhe gjuhë të urrejtјes.”

Në mes tjerash, edhe për shkak të kësaj, populistët, me përgjigjet e tyre të lehta edhe për çështjet më të ndërlikuara shoqërore, gjithnjë e më shumë dominojnë në debatet për çështjet shumë të rëndësishme për jetët tona. Ta parafrazoj ivan Krastevin: ndoshta revolucioni mund të tweet-ohet, mirëpo për reforma serioze në shoqëri nevojitet gazetaria e vjetër, e mirë që ësht duke u zhdukur pakthim.

Me fat, Demokraci!

Ky tekst do të publikohetz në edicionin e pranverës në vitin 2016 në revistën tremujore IWMpost të institutit për shkenca shoqërore nga Vjena (Institut für die Wissenschaften vom Menschen, www.iwm.at) në debatin e atjeshëm për ardhmërinë e gazetarisë.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja