verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediat dhe zgjedhjet (1)

on 1 - 03 - 2013       
Овој напис го има и на: Maqedonisht, Anglisht

As mediumet nuk janë ato që ishin: A guxojnë ministrat të japin deklarata partiake në kohë të punës?

Медиумите и изборите (1)

”As konservativët nuk janë ata që ishin: parlamenti britanik i miratoi martesat gej” – titull në një portal në internet

Përcjellja e vëmendshme dhe kritike e proceseve politike gjatë zgjedhjeve dhe (keq)përdorimi i fuqisë politike është njëri nga obligimet kryesore etike dhe profesionale të gazetarëve.

Gazetarët që raportojnë për proceset politike në Republikën e Maqedonisë ballafaqohen me disa sfida etike në kontekst të pazakonshëm politik dhe medial. Konteksti aktual politik është i parapërcaktuar nga kriza politike që u shkaktua nga ngjarjet që ndodhën më 24.12.2012, gjë që e vë në dyshim legjitimitetin dhe rregullsinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Njëra nga sfidat kryesore të gazetarëve në kushte të lirisë së rrezikuar të të shprehurit është: Si të realizohet imperativi etik për ndjekje kritike të proceseve politike (veçanërisht zgjedhjeve) kur një pjesë e madhe e mediumeve kritike pas zgjedhjeve të vitit 2012 u shuan ose u mbyllën, ndërsa gazetarët kritikë u ballafaquan dhe akoma ballafaqohen me presione dhe kërcënime të ndryshme?

Çka ndodhi me gazetarinë kritike pas zgjedhjeve të vitit 2011?
Edhe para zgjedhjeve të vitit 2011 kishte një periudhë të gjatë të bojkotimit të punës së Kuvendit nga ana e shumicës së partive opozitare, si “përgjigje ndaj ngrirjes së xhiro-llogarive të katër mediumeve, në lidhje me hetimin penal që ndërlidhej me pronarin e televizionit A1, që konsiderohet medium më kritik ndaj qeverisë”. Në bazë të monitorimit të mediumeve nga ana e ОSBE/ОDIHR-it, “numri më i madh i mediumeve e ndoqën fushatën zgjedhore sipas politikave redaktuese partiake, me ç’rast kishte mungesë të analizës kritike, shpesh herë duke i plotësuar faktet me komente redaktuese”.

Mungesa e “analizës kritike” u plotësua me vlerësime të tjera, që atëherë sugjeronin lidhshmëri të paligjshme të numrit më të madh të mediumeve me përfaqësuesit politikë:

 “Numri më i madh i kanaleve televizive private, janë në pronësi të të afërmve të liderëve të partive politike që janë të përfaqësuar në parlament, që është në kundërshtim me Ligjin për veprimtari radiodifuzive.”
Në vend që të perceptohen si zë i interesit publik, numri më i madh i mediumeve gjatë zgjedhjeve të vitit 2011, u perceptuan si trumbeta të interesit qeveritar ose partiak.

Ajo që bie e para në sy pas zgjedhjeve parlamentare, është se, “mediumet më kritike” – А1, Vreme, Shpic dhe Koha e Re – nuk ekzistojnë tashmë një kohë të gjatë. Komiteti i Helsinkit vlerësoi se “…mbyllja e disa mediumeve që kanë pasur qëndrim kritik ndaj pushtetit, e terron hapësirën mediale në vend, e me këtë edhe demokracinë në të.” Mungesa e analizës kritike bëhet gjithnjë e më e qartë edhe me shuarjen e mediumeve kritike (“Den”, “Gragjanski”) të cilat nuk arritën të mbijetojnë ekonomikisht në një klimë ku reklamat qeveritare “ndahen si shpërblim për politikat lojale redaktuese”, ndërsa reklamuesit frikësohen nga presionet qeveritare në qoftë se publikojnë reklama në mediume që kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit. Edhe ndryshimi i pronësisë në disa mediume kontribuoi për ndryshime në politikën redaktuese, largim të gazetarëve kritikë, ose topitje të pendës së tyre kritike.

Është brengosës fakti se në numrin më të madh të mediumeve proqeveritare, analiza kritike kultivohet më së tepërmi ndaj opozitës ose ndaj kritikuesve të qeverisë, e më së paku ndaj përfaqësuesve të pushtetit. Në vend që “me vëmendje t’i ndjekin dhe me guxim t’i thirrin në përgjegjësi personat që janë në pushtet”, gazetarët proqeveritarë me vëmendje i ndjekin dhe me guxim i thirrin në përgjegjësi përfaqësuesit e opozitës që nuk janë në pushtet. Kështu, një pjesë e madhe e mediumeve aspak nuk janë të fokusuara në kërkimin e përgjegjësisë nga pushteti për ngjarjet që ndodhën më 24.12.2012, por krizën politike e tematizojnë duke u fokusuar në vendimet e opozitës.

Mungesa e qasjes kritike dhe thirrja në përgjegjësi e pushtetit
Titujt  ”VMRO-DPMNE ia shtrin dorën përsëri LSDM-së” (Kurir,  25.02.2013, 14:22) dhe ”Stavreski: Ne ua shtrimë dorën, është dëm që LSDM-ja solli vendim të keq” (MIA, 27.02.2013, 11:47) u përcollën në mënyrë jokritike nga ana e një numri të madh mediumesh, pa u përpjekur që të ngritet çështja e përgjegjësisë dhe e involvimit të “zëvendëskryeministrit” në largimin e dhunshëm të deputetëve.

Të përkujtojmë, Komiteti i Helsinkit njoftoi se “disa dëshmitarë e kanë parë, e disa e kanë përjetësuar skenën kur ministri për financa, Zoran Stavrevski, duke bërë me dorë kërkon nga sigurimi që sa më shpejtë të largohen deputetët e opozitës nga salla e kuvendit”. Në bazë të video-inçizimeve, Komiteti i Helsinkit konstatoi se “është shkelur edhe parimi i ndarjes së pushtetit, për shkak se pjesëtarët e policisë i larguan me dhunë deputetët, edhe atë me “urdhër” të ministrit për financa, Zoran Stavrevski”. Por, edhe përkundër kësaj, autoriteti i Stavrevskit dhe “imixhi” i tij si përfaqësues i atyre “që e shtrijnë dorën” nuk u vu në dyshim duke parashtruar pyetje kritike gazetareske.

Aq më tepër, MIA në mënyrë jokritike e përcolli deklaratën partiake të Stavrevskit, të cilën e bëri në një ngjarje shtetërore (promovim i pagesës pa të holla në dorë për dokumentet e reja personale), në orar të punës, kur ai e kryen funksionin e tij qeveritar, e jo partiak. Mediumet nuk e ngritën çështjen se a munden funksionarët publikë të japin deklarata partiake në promovime qeveritare ose në pres-konferenca partiake, në orar të punës. Përkundrazi, shumë mediume raportuan se propozimin e ri e ka prezantuar zëvendëskryeministri dhe ministri Zoran Stavrevski, në një pres-konferencë partiake, edhe pse në ueb-faqen partiake qëndron se propozimin e ka prezantuar “Zoran Stavreski, anëtar i KE të VMRO-DPMNE-së”. Praktikisht, edhe pse Stavrevski nuk u paraqit si ministër i financave dhe zëvendëskryeministër, por si anëtar partiak, kjo nuk paraqiti arsye që prezantimi i tij të vihet në dyshim nga ana e gazetarëve, në emër të interesit publik. Edhe pse si pagues të tatimit, qytetarët janë palë e interesuar, gazetarët nuk patën guximin të hulumtojnë se a ka marrë ministri për financa ditë të lirë nga puna, që të mund t’u përkushtohet obligimeve partiake. Përkundrazi, disa mediume e bashkuan funksionin e tij shtetëtor dhe atë partiak (“zëvendëskryeministri Stavreski, anëtar i Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së”) pa mos e problematizuar fare çështjen se a bëhet fjalë për kepërdorim të funksionit shtetëror për qëllime partiake apo jo.

Edhe zëdhënës shtetërorë, edhe zëdhënës partiakë
Mediumet nuk e vunë në dyshim as rolin e ministreshës për punë të brendshme si zëdhënëse partiake e VMRO-DPMNE-së. Në kontributin gazetaresk ”VMRO-DPMNE me procedurë të shpejtë miratoi ndryshime me të cilat i jepet shans LSDM-së që të marrë pjesë në zgjedhje” (të publikuar në ueb-faqen e Sitelit më 26.02.2013 – 12:45) në formë integrale përcillet “Deklarata nga konferenca për shtyp e VMRO-DPMNE-së, në të cilën foli ministresha Jankullovska”, edhe pse në ueb-faqen partiake qëndron informata se bëhet fjalë për “Konferencë për shtyp të zonjës Gordana Jankullovska, anëtare e KE të VMRO-DPMNE-së”. Por, në konferencën partiake nuk u prezantuan informata të reja partiake, por informata qeveritare:

“…informojmë se Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mbledhjen e sotme, me procedurë të shpejtë miratoi propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Kodit zgjedhor…”

Edhe në këtë rast vërehet mungesë e qasjes kritike, kështu që nuk u ngritën çështjet me interes publik: Pse informatat nuk janë prezantuar në ndonjë konferencë për shtyp të qeverisë? A mund t’i shfrytëzojë partia në pushtet konferencat e saja për shtyp që të informojë për vendimet e qeverisë? Aq më tepër, për shkak se zgjedhjet e kaluara parlamentare u kritikuan nga ОSBE/ODIHR-i për shkak të “rasteve të ndarjes së pamjaftueshme të strukturave shtetërore nga ato partiake, që është në kundërshtim me paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990”, për “keqpërdorimin e resurseve shtetërore për qëllime të fushatës dhe përdorimin e retorikës partiake në raste kur kandidatët vepruan në rol të personave zyrtarë”. Në fakt, gazetarët harruan ta afirmojnë paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990, sipas të cilit, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të lirive fundamentale, shtetet e kanë për obligim që ta respektojnë “ndarjen e qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike; veçanërisht se partitë politike nuk do të bashkohen me shtetin” si element esencial të drejtësisë.

Poashtu, përsëri nuk u ngritën çështjet kritike për përgjegjësinë e ministreshës për punë të brendshme për largimin policor të gazetarëve dhe të deputetëve, që rezultoi me krizë të thellë politike. Nuk u ngrit as çështja që në mënyrë të veçantë i tangon qytetarët që e mbushin buxhetin nga i cili ministresha merr rrogë: A ka marrë Gordana Jankullovska ditë të lirë që, si anëtare e KE të VMRO-DPMNE-së, në orar të punës, ta mbajë pres-konferencën partiake, apo e ka keqpërdorur funksionin e saj të ministreshës për qëllime partiake?

Obligimi etik dhe partiak për ndjekje të vëmendshme dhe kritike të proceseve politike gjatë zgjedhjeve kërkon nga gazetarët që t’i rishqyrtojnë dhe t’i analizojnë rastet në të cilat nuk ka ndarje të qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike, ndërmjet funksioneve shtetërore dhe atyre partiake. Mu rastet e këtilla janë tregues për keqpërdorimin e mundshëm të fuqisë politike.

(Vazhdon)

********************************************************************************************************************************

Kjo analizë është përgatitur nga ekipi i Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: http://macedonia.usaid.gov dhe faqen e USAID-it në Facebook: http://www.facebook.com/USAIDMacedonia


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja