verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Mediumet ia fshinë vonë lotët USHT-së

on 23 - 08 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Shkruan: Adrian Kerimi

Kur më gjithçka përfundoi dhe vendimi u morr që të mbyllen programet e disperzuara të USHT-së në të gjitha qytetet, mediumet u zgjuan nga gjumi dhe mosveprimi për sensibilizim të opinionit. Tani më për të mbushur ditarin informativ, vallja filloi të luhet që nga fillimi. Mirëpo kësaj here në karta të emocionit, keqardhjes, mëshirës. Ajo që binte në sy në shumë lajme ishte fakti që raportohej për mos regjistrimin e studentëve të rinj, e aspak për fatin e atyre që studimet u kishin mbetur në gjysmë në ato fakultete të disperzuara. Gjeneza e problemit buron pikërisht nga keqardhja se çfarë do të bëhet me studentët dhe jo vetëm (ata që ende nuk e kanë fituar statusin student)!

Ky nuk ishte hapi parë që gabuan mediat. Raportimi jo objektiv i një pjese të tyre filloi që nga propagandimi i idesë nga ana e pushtetit se do të hapet një universitet i ri. Gazetarët në këtë rast nuk raportuan për faktin se mu arsimi po politizohet dhe po “ekonomizohet”, por se Shkupi do të ketë një Universitet më tepër dhe se USHT-ja do të jetë në plan të dytë. Sa për informacion shtesë, vlen të theksohet fakti se ideja për themelimin e një Universiteti të ri, lindi pas dështimit të përpjekjeve për të reformuar USHT-në e ngulfatur nga kuadrot partiakë.

Kur në media u përhapën lajmet se do të hapet Universitet i ri dhe se USHT-së do t’i hiqet epiteti “Shtetëror”, bashkë me mbylljen e disa programeve, kryesisht programeve specifike të studimit, atëherë mediumet u distancuan nga “konflikti pushtet – USHT” dhe u fokusuan vetëm tek mbyllja e programeve. Nuk duhet harruar edhe qasja propagandistike, që mediume të caktuara, kryesisht portale elektronike, e bënë me idenë e mbylljes së programeve si pasojë e mosinteresimit. Tituj dhe artikuj të tyre, bëheshin me qëllim dhe përgatiteshin nga kuzhina anonime, me qëllim që pushteti të shpëtojë lëkurën e tij nga realiteti – se gjatë kohë kishte gisht në USHT, e tani ishte tërhequr për të filluar gjoja një projekt kombëtar.

Pavarësisht se atë kohë ministri i Arsimit dhe Shkencës njoftoi se “me ligj u hoq fjala “shtetëror””, USHT si duket nuk u pajtua me këtë vendim. Mediumeve nuk u tërhoqi vëmendje moszbatimi i kësaj mase, por u fokusuan në hapjen e dy fakulteteve të reja pranë USHT-së dhe mbylljen e gjashtë programeve studimore. Kësaj here, mediumet informuan më me maturi, përjashtim një pjese të portaleve, të cilët si zakonisht ose këtë hape quajtën të arritur të BDI-së, ose goditje të rëndë për USHT-në të marrë nga pushteti VMRO-BDI.

unt

Qasja jo serioze dhe jo objektive e mediumeve nuk mbaroi këtu. Kur dihej se do të mbyllen gjashtë programe studimore dhe të gjitha programet tjera të disperzuara nëpër qytetet si Shkup, Kërçovë e Kumanovë, në kontributet e gazetarëve flitej vetëm për fatin e studentëve, të cilët kanë pësuar si pasojë e mbylljes së gjashtë programeve. Në medie nuk u fol se cili do të jetë fati i studentëve të rinj nga Shkupi, Kërçova dhe qytetet tjera. Në këtë drejtim, përgjegjësia para publikut dhe opinionit ishte nën nivel, ngaqë mediat nuk u interesuan për interesin publik, për atë se humbet një vit akademik në shumë qytete, si dhe se shumë studentë, në vend të Tetovës dhe studimit në gjuhën amtare, zgjodhën universitete tjera (kryesisht ata që kanë mundësi), apo edhe përfunduan pa regjistrim në studime të larta.

Tani kur regjistrimi filloi, USHT-ja mbylli dyert për studentët në qytetet tjera, mediumet përsëri u fokusuan tek e ashtuquajtura “peshku në det e tigani në zjarr”, veçanërisht tek universiteti, i cili ishte paralajmëruar gjatë kohë, ishin formuar Komisionet amë dhe po pritej vetëm formimi i senatit, zgjedhja rektorit dhe fillimi i regjistrimit.
Mediumet në këtë rast nuk ishin fajtore për dështimin e këtij projekti, ngaqë me të drejtë dhe për interesin e publikut kërkuan hapësirën ku do të zhvillohej procesi akademik në atë universitet. Qasje tendencioze nuk kishte nga mediat, të cilat kritikën e kishin keqkuptuar dhe e transmetonin duke e manifestuar me urrejtje e sidomos gazetat e përditshme dhe portalet, të cilët i dhanë drejtim dhe konotacion tjetër, idesë së hapjes së një universiteti të ri në Shkup. Kjo ishte në rregull shkaku i interesimit më të madh që nxiti ky universiteti, por fakti që nga kuadro që tashmë ishin larguar nga USHT-ja po formohej një Universitet i ri, u iku nga agjenda shumë mediumeve, për të lënë mundësi keqkuptimi se ky universitet është e kundërta e USHT-së dhe se do të ketë më shumë kualitet. Pra, në disa raste, edhe duke mos dashur, ushtruesit e gazetarisë u bënë ushtarë propagandistik të pushtetit. Se është dashur t’i kushtohet më shumë vëmendje disperzimeve të mbyllura, këtë e pranojnë edhe vetë gazetarët dhe redaktorët, të cilët këto ditë bombarduan me tituj e tekste për këtë çështje.

Nga që deri më tani ja hoqën, opinioni tashmë është i interesuar se cili do të jetë statusi i studentëve të cilët mbetën as atje as këtu. Për dallim prej herëve tjera, kur mediat organizoheshin për të informuar rreth hapjeve të programeve dhe fakulteteve të ndryshme, tani duhet organizuar dhe sensibilizuar opinionin rreth asaj se si do t’ia dalin kjo situatë. Tash e tutje, roli i mediumeve duhet fokusuar më tepër në interesin e studentëve dhe të USHT-së, nga që për UNT (Universiteti Nënë Tereza) në etër duhet hapur një debat më vete,duke fillua me politizimin dhe rreth autonomisë së shkelur që në fillim nga ana e ministrit të arsimit dhe shkencës, shkeljet ligjore në formimin e Komisioneve amë, si dhe kandidaturat për staf akademik.

mediat

 

Me ose pa qëllim, mediumet ranë në grackën e pushtetit, duke heshtur ndaj USHT-së e cila pa arsyetim të mirëfilltë mbylli programet studimore, e nga ana tjetër u fokusuan në UNT-në, i cili tani për tani është ende fiktiv!


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).