Propagandë parashikuese në vend të lajmit dhe analizës
Published in Recensione
on 21 - 11 - 2016 Author: Agron Vrangalla
[Recension: “BDI-ja sonte e fiton deputetin e parë ?!”]
Parashikimet mbi ngjarje të caktuara politike ngelin një dimension i rëndësishëm i hapësirës publike dhe opinion-bërjes. Zakonisht, këto parashikime, analiza dhe vlerësime mbi rezultate të caktuara, qofshin ato mbi zgjedhjet apo mbi ndonjë ngjarje tjetër politike, duhen bërë mbi bazën e disa metodave kërkimore krahasuese, duke poseduar shifra dhe përvoja që ndërlidhen me objektin e analizës për të cilin jeni duke dhënë një vlerësim. Nuk janë të rralla rastet kur në vendin tonë jepen vlerësime politike sipas disa përshtypjeve tejet personale të atyre që quhen analistë politik. Megjithatë duhen respektuar mendimet e tyre. Mirëpo, kur parashikimet i bën vetë gazetari, pa u bazuar në vlerësime të njohësve, në fakte ose në shifra të lidhura me çështjen, atëherë kemi të bëjmë me propagandë, e jo gazetari
Linku për te artikulli origjinal: BDI-ja sonte e fiton deputetin e parë ?!
Data dhe koha e publikimit: 11.11.2016
Data e recensionit: 15.11.2016
Recensues: Agron Vrangalla
Teksti që kemi përballë është një lloj parashikimi mbi atë se kush dhe sa deputetë do të fitojë në njësinë zgjedhore numër 7, ku përfshihen shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.
Autori ka marrë spunto nga një komunikatë e KSHZ-së, e cila tregon se ka përfunduar inspektimi publik për të gjithë votuesit e kontestuar në listën e rregullt zgjedhore. Në po të njëjtën ditë, pra në 11 nëntor, ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e listave për deputetë nga ana e partive politike. Dhe, çfarë ka bërë autori i këtij teksti? Ka shfrytëzuar këto dy ngjarje që kanë ndodhur në të njëjtën ditë dhe ka thurrur një tekst, i cili nuk ka të bëjë fare as me skadimin e afatit të inspektimit publik e as me skadimin e afatit për dorëzimin e listave për deputetë nga ana e partive politike.
Pse nuk ka të bëjë me asnjërën nga këto? Nuk ka të bëjë, sepse në tekst janë dhënë disa vlerësime komplet të pabaza, ku thuhet se BDI do të fitojë një deputet në diasporë, ndërsa VMRO-DPMNE dy deputetë. Ky vlerësim i këtij portali vjen si pasojë e disa shifrave të publikuara nga KSHZ mbi numrin e shtetasve të Maqedonisë, të cilët do të votojnë në diasporë. Gjegjësisht, sipas informacioneve zyrtare që burojnë nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, për t’u fituar një deputet në diasporë nga cilado parti politike, do të nevojiten së paku 6500 vota, dy deputetë – 13 000 vota, e kështu me radhë. Portali tetovasot.com, në bazë të numrit të votuesve të regjistruar, shqiptarë dhe maqedonas, ka dalë me një përfundim – se BDI fiton një deputet, ndërsa VMRO-DPMNE fiton dy deputetë. Çfarë gabimi! Jo vetëm gabim, por është edhe mashtrim, po edhe manipulim, propagandë, dezinformim….
Si ka mundësi të publikohen lajme të tilla vetëm se ke parë numrin e regjistruar të shtetasve në listën e votuesve? Me çfarë guximi dilet me këto informata tërësisht të pabaza? Numri i votuesve potencial, nuk përbën apriori numrin e votuesve real. Askush nuk mund ta dijë se sa prej këtyre votuesve do të dalin të votojnë, si dhe kush për kë do të votojë. Numri i fituar i deputetëve bëhet vetëm a posteriori, pasi të jenë numëruar votat. Metodë tjetër nuk ka. Mund t’i bësh bashkë të gjithë magjistarët e ngjarjes fanta-shkencë të Lord of The Rings dhe prapë të mos arrish t’ia qëllosh. Ndërkohë, në këtë tekst me lehtësinë më të madhe janë ndarë votuesit, janë përcaktuar deputetët… vetëm festa mungon!
Për asnjë moment nuk duhet lënë anësh edhe një fakt tjetër, që ky tekst nuk është lajm, por pretendon të jetë analizë. Një analizë e lodhur, në qoftë se e do. Nuk është problem, edhe në lajme mund të analizohet, por ajo bëhet ndryshe. Merren dy-tre burime relevante që do të ofrojnë kombinatorika të ndryshme mbi mundësitë, opsionet dhe shanset se cila nga partitë politike gëzon reputacion më të madh për të fituar deputetë në diasporë. Ndërsa, këtu është hedhur një lëmsh leshi për të luajtur macet me të, e hajde gjeje se ku e ka fillin.
INFOGRAPHIC
TRUTHFULNESS
nuk ka fakte
pohimet jo të sakta
deklarata jo të vërteta
SOURCES OF INFORMATION
nuk ka burime të evidentuara
nuk mund të përcaktohet
EXTENSIVENESS
jogjithëpërfshirës
informata të fshehura
BIAS
nuk mund të përcaktohet
ka shtrembërim të së vërtetës (spin)
informata të rrejshme
mban anën e një pale
anshmëri politike
COMMENTING
ka elemente të komentimit
të integruara me faktet
PLAGIARISM
vepër origjinale
TITLE QUALITY
dezinformon
jokreativ
senzacionalist
joadekuat
tendencioz
PHOTOGRAPH
ka
adekuate
as manipulon as informon - është vënë vetëm si ilustrim
nuk është theksuar autori (burimi)
HATE SPEECH
gjuhë ofenduese
nuk ka gjuhë të urrejtjes
nuk nxit për përdorimin e dhunës
nuk diskriminon
EDITED FOR THE WEB
i lexueshëm
nuk ka elemente multimediale
nuk ka linke kontekstuale
i rregulluar në aspekt stilistik
i palidhur me tag-e