verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Tërmete mediatike gjatë raportimit për tërmetin

on 21 - 09 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Shkruan: Fatlume Dervishi

Një varg “tërmetesh” në media pasuan dridhjet e njëpasnjëshme të javës së kaluar në Shkup dhe rrethinë. Fjala është për mënyrën se si media shfrytëzoi rastin, shpeshherë jo për të informuar, por për të krijuar senzacion pa fund në favor të klikimeve dhe lexueshmërisë, sidomos nga masa e prekur ose masa që ndihej e rrezikuar. Pas leksionit që në pika të përgjithshme tregon se si raportohet në gjatë katastrofave natyrore, kjo analizë përfshin disa aspekte të raportimit të mediave, gjatë një fenomeni tjetër natyror, i cili fatmirësisht nuk përfundoi në katastrofë, por ia arriti që të frikësojë qytetarët e Shkupit.

Nga ajo që është vërejtur gjatë artikujve të 3-4 ditëve (prej 11 deri 14 shtator), kur intenziteti i lëkundjeve ishte më i shpeshtë, veçojmë disa aspekte të informimit mbi tërmetet, si më të zëshmet, sigurisht duke mos përjashtuar edhe aspekte të tjera të mundshme.

  • Nxitja e frikës dhe ndjenjës së ankthit në pritje të diçkaje më të madhe, më shkatrrimtare

Gjatë javës së kaluar, sizmologët pranuan se toka ka aktivitet sizmik dhe lëkundjet e tokës ishin të pritura dhe brenda normales. Ata vazhdimisht deklaruan se nuk besojnë që mund të ndodh diçka më shkatërrimtare, megjithatë, bënë me dije se shkenca nuk ka arritur të shpikë metoda për parashikimin e tërmeteve. Prononcimet e Dragana Çernih Atanasovska, nga Observatori Sizmologjik, u përcollën nga disa media. Nga ky institucion reflektonin qetësi dhe nuk dhanë asnjë tregues se mund të pritet ndonjë lëkundje më tronditëse.

Dragana Çernih Atanasovska, për Kanal 5, 11.09.2016

Gazetari: A mund të priten tërmete të tjera?

Atanasovska: “Atë nuk mund ta thotë asnjë me siguri. Sipas të gjithë hulumtimeve që janë bërë deri tani nga Observatori Sizmologjik, kemi të dhëna historike edhe para vitit 1900 kurse prej vitit 57 kur ka filluar të punojë stacioni sizmik në Shkup kemi të dhëna instrumentale, në bazë të këtyre të dhënave, të themi mijëvjeçare bashkë me tërmetet historike, në Shkup deri tani ka pasur tre tërmete katastrofike. Të gjithë këto janë me magnitudë mbi 6 shkallë. Ky ishte 5.3, larg tërmetit katastrofal në Shkup.”

Dragana Çernih Atanasovska, për Alsat M, 14.09.2016

 “Siç u tha disa herë, ky tërmet ishte pasojë e tërmetit të së dielës në 15:10 që është gjë normale për një tërmet me magnitudë prej 5.3 të jetë i ndjekur prej më shumë tërmeteve ndërmjet tre dhe katër, kuptohet tërmete më të dobëta. Mirëpo, edhe një herë theksoj se çdo rajon me një aktivitet të tillë, karakterizohet me vetitë e veta sizmike, gjegjësisht kohëzgjatje të aktiviteti pas lëkundjes paraprake”.

Prononcimet e këtilla u gjetën rrallë të publikuara në një numër të madh të portaleve. Sigurisht, sepse këto medie ishin në ndjekje të informacioneve më bombastike.

Nga frika, banorët e qytetit të Shkupit, kalonin ditën në ambient të hapur. Shumica po aty bënin edhe një sy gjumë gjatë natës, kurse kishte edhe shumë nga ata të cilët flenin në makina. Shtimi i kësaj frike, edhe përmes përmbajtjeve mediatike, aspak nuk e ndihmonte situatën. Numri më i madh i paciantëve që atyre ditëve kërkuan ndihmë mjekësore, sipas mjekëve, ishin persona të lënduar gjatë tentimit për të ikur, të pushtuar nga paniku.

Tani, nëse lexuesve u mbushet mendja me informacione se u kanoset rrezik i madh, ose se ndërtimet në Shkup janë bërë në atë mënyrë që rrezikojnë jetën e tyre qoftë edhe nga lëkundjet më të vogla, ky do të ishte burim shqetësimi dhe ankthi më të madh te ata. Shembull për artikuj që kanë trajtuar këtë temë janë Cilat pjesë të Maqedonisë janë më të rezikuara nga termetet!? dhe “Rripi i zi sizmik” paraqet rrezik të madh për Shkupin. Këto tekste janë shumë në rregull për vetëdijsimin e masës dhe ngritjen e ndërgjegjes te kompanitë e ndërtimit dhe te investitorët. Ky është një problem, të cilin qytetarët dhe artikuluesit e interesit publik duhet ta kundërshtojnë me ngulm. Por, në një gjendje normale, në një kohë pa dridhje, shpeshherë prezantohen plane të reja urbanistike me strategji të vjetra, të rrezikshme. Sigurisht, edhe ribotimi i tekstit të vitit 2010 të Dnevnik, me titullin aktual “Rripi i zi sizmik” paraqet rrezik të madh për Shkupin, është bërë për shkak të aktualitetit.

  • Senzacionalizëm me bazë religjioze

Besimi fetar vlerësohet si pikëpamje individuale dhe jo çdoherë racionale, prandaj nuk merret si fakt i pakontestueshëm nga mediat. Secili mund të ketë interpretime të ndryshme në këtë aspekt. Media është e obliguar të respektojë besimin e qytetarëve, e jo ta dirigjojë atë. Disa nga mediat që nuk publikuan prononcimin e sizmologëve të Observatorit Sizmologjik gjatë ditëve të tërmetit, nga ana tjetër, publikuan prognozën e disa predikuesve fetarë mbi fenomenin, duke i pasqyruar njëanshëm, me ton ‘ndëshkues’ ndaj masës, me akuza se kanë bërë mëkate dhe të ngjashme. Në vend të sizmologëve, predikuesit fetarë u lanë të flasin për arsyen e tërmetit (Panikë në Shkup – Hoxhë Bekir Halimi: Vdekjen nuk e sjell Tërmeti por Caktimi i Zotit!), për dyshimet nëse ai do të përdëritet (Hoxha Zekerija Bajrami: Tërmetet janë tërheqje e vërejtjes (Foto)) dhe për masat e mbrojtjes që duhet të ndërmerren (Këshilla praktike nga Hoxhë Bekir Halimi pas tërmeteve në Shkup).

I pyetur për të komentuar përhapjen e këtyre bindjeve në opinion, lidhjen e tyre me predikimin fetar dhe përhapjen e frikës, për këtë analizë, teologu Vullnet Iljazi, thotë:

“Nuk është në rregull t’u drejtohesh njerëzve ku 90% janë musliman se fatkeqësitë natyrore janë ndëshkim për ata, kur feja thonë qartë thotë se Zoti nuk e shkatërron botën derisa të mbetet edhe një besimtar i vetëm. Perse njerëzve t’u paraqesësh një Zot i cili vetëm ndëshkon?! Nëse këta njerëz janë mëkatarë dhe pas tyre toka do të jetë e pastruar nga mëkatet, këto njerëz do të jenë në zjarr. E ai i cili deshiron t’i dërgojë njerëzit në zjarr është Iblisi(shejtani), e jo Zoti. Sipas haditheve të Muhammedit a.s, kush digjet në zjarr dhe mbytet në ujë është dëshmor. Tani, këta njerëz, do të jenë dëshmorë të një fatkeqësie apo mëkatar të ndëshkuar!?”

Kodi Etik i gazetarit nuk parasheh rregulla mbi mënyrën e drejtë të përdorimit të predikimeve fetare. Por parasheh ndalesë për përdorimin e përmbajtjeve senzacionale, në të cilën bëjnë pjesë edhe artikujt e lartpërmendur.

Kodi etik:

Mënyra e informimit në raste të fatëkeqësive, katastrofave, luftrave, tregjedive familijare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizimi.

  • Shkelje gjatë shfrytëzimit të regjistrimeve nga kamerat e sigurisë

Vendosja e kamerave të sigurisë në objekte biznesesh ka disa rregulla. Ndër to është qëllimi i qartë (zakonisht për shkak të sigurisë së të punësuarve dhe klientëve), t’u bëhet me dije se janë nën vëzhgim dhe të dhënat të përdoren vetëm për qëllimet për të cilat janë vendosur kamerat.

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale

Neni 9 – b

Kontrollori mund të bëjë vëzhgim të punonjësve ose disa hapësirave me kamer nëse kjo nevojitet për:

  • Mbrojtjen e shëndetit ose të jetës së njerzve
  • Mbrojtjen e pronës,
  • Mrojtjen e shëndetit ose jetës së njerzve përshkak të natyrës së punës,
  • Sigurimin e kontrollit gjatë hyrjeve dhe daljeve të të punësuarve ose disa hapësirave.

Incizimet nuk ruhen më shumë se 30 ditë dhe nuk shfrytëzohen për qëllime të tjera pos këtyre. Në të kundërt, shfrytëzimi i të dhënave nga regjistrimet e kamerave të sigurisë për qëllime që nuk parashihen me ligj, mund të konsiderohen si shkelje e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale të individëve që paraqiten në pamjet e inçizuara. Nuk ishin të pakta edhe mediat që publikuan disa pamje nga kamerat e sigurisë, kryesisht brenda objekteve të hapësirave të tyre, në kohën që po ndodhte tërmeti kryesor prej 5.3 shkallëve. Në to, dukeshin qartë edhe njerëzit e punësuar në këto media.

“Sipas rregullativës ligjore të RM-së, mbrojtja e të dhënave personale i garantohet secilit person fizik pa dallim. Përdorimi i këtyre të dhënave personale lejohet nën kushte të caktuara me ligj. Në rastin konkret, ku janë publikuar video regjistrime, nuk ka pengesë ligjore vetëm nëse janë publikuar me lejen e personave të cilët janë paraqitur ne video dhe nëse permbajtja e video regjistrimit nuk është në kundërshtim me ligjin”, thotë për këtë analizë, juristi Abidin Trena.

Por, nëse shikojmë pamjet që janë shpërndarë masivisht në media, lind pyetja, sa ka të ngjarë që pronarët e bizneseve, ose vetë mediat, të kenë marrë leje nga personat që shfaqen aty, të punësuarit apo klientët, për publikimin e këtyre materialeve? Ndër më të zakonshmet, ishin materialet e inçizuara gjatë kohës së tërmetit në supermarket ku është kapur momenti i shqetësimit dhe ikjes së punonjësve dhe klientëve (shiko këtu, këtu dhe këtu) por kishte edhe pamje të ikjes së klientëve nga dritarja e një lokali në Gjorçe Petrov.

Kodi etik:

Në rast të personave që indirekt ndikohen nga ndonjë fatkeqësi ose që nuk kanë asgjë të përbashkët me krimin për të cilin raportohet, publikimi i emrave dhe fotografive të tyre paraqet shkelje fundamentale dhe të papranueshme.

  • Bestytnitë

Kronika me titull, “Një sërë tërmetesh në Shkup, në Creshevë ka qytetarë të lënduar”, e transmetuar në Tv 21, në parim respekton normat elementare, si shfrytëzimin e disa burimeve relevante, dhënies së sqarimit të ngjarjes dhe verifikimin e informatave në vendngjarje apo terren. Por, është një pjesë kontraverse, me të cilën përmbajtja mund të nxisë frikë, pa pasur të dhëna të mjaftueshme faktike.

“Duke biseduar për vërshimet, Serafimovski tha se e ka vërejtur që diku një javë para vërshimeve e ka vërejtur se derrat e tij po sillen çuditshëm. Tha se gjithë jetën është kujdesur për kafshët, por se kjo ka qenë hera e parë që derrat kanë lëshuar zëra të çuditshëm, disi si gomarë. Thotë se tërmete më të mëdha tek tani do të ketë.

„Me siguri do të ketë tërmet. Kjo ndihet. Le të thahet toka njëherë. Ky është vetëm fillimi. Nga përvoja e di këtë. Toka është si vakum, kur të thahet më shumë rrezik do të ketë”, shtoi Serafimovski”

Banori nuk flet në emër të fakteve, por nisur nga bindja e tij dhe bestytnitë në të cilat ai beson, por që shkenca nuk i njeh. Ky s’mund të jetë pjesë e lajmit sepse s’paraqet fakt. Nuk mund t’i sugjerosh publikut të besojë në aftësitë e kafshëve për të parashikuar katastrofat. Veç kësaj, ditën e tërmetit më të madh, shumë media raportuan edhe për “ujin e kuq”  që u duk të rridhte diku (siç u tha në një fshat në afërsi të Shkupit), i cili në fakt nuk kishte asgjë të përbashkët me ngjyrën e kuqe, por ishte uj i përzier me baltë. Sigurisht që një titull që tregon për ndotjen e ujit, nuk do të nxiste njësoj kurreshtjen si një titull që përafron ngjyrën e ujit me atë të gjakut, pa pasur një lidhje logjike të aergumentuar mes tyre.

Ashtu siç vlen parimi që nevoja për shpejtësi asnjëherë nuk duhet ta rrezikojë profesionalizmin, vërtetësinë dhe kredibilitetin e kontributit, në vazhdimësi vlen edhe parimi që tentativa për senzacion (nënkupto klikime, lexime dhe shikueshmëri) nuk guxon të anashkalojë përdorimin e fakteve dhe respektimin e parimeve të raportimit, të cilat nuk pushojnë të vlejnë – edhe në kohë fatkeqësish.


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja