verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Young: Shoh shtypjen ndaj gazetarëve por edhe guximin

on 24 - 10 - 2015       

Jeffrey Young është gazetar i Zërit të Amerikës, me përvojë shumëvjeçare në gazetari. Në një intervistë ekskluzive për Shërbimin për Verifikimin e Fakteve në gjuhën shqipe, ai rrëfen përvojën e tij të raportimit nga betejat e luftës në Irak, Afganistan dhe Kuvajt. Flet edhe për gjendjen e mediave dhe situatën e përgjithshme politike në Ballkan.

Si e shihni situatën e mediave në Ballkan dhe sidomos në Maqedoni?

Jeffrey Young: Është e qartë edhe prej këtij seminari por edhe prej gjithçka që kam parë se mediat në gjuhën shqipe jo vetëm se janë aktive por madje janë edhe në krye të ngjarjeve. Shoh shumë interesim, aktivizim, prani të fuqishme të gazetarëve shqiptarë në rajon. Ju keni një perspektivë shumë të rëndësishme që duhet ti’a sillni publikut, pasi që ju i shihni gjërat përmes prizmit historik. Shumë gjëra po ndodhin në rajon për një kohë të gjatë. Tani edhe me pavarësinë e Kosovës, rritja e një popullate të re, eksitimi për popullin shqiptar në Kosovë pasi tani ato kanë tokën e tyre, sikurse Shqipëria. Kjo pra është një mundësi e  prosperitetit për të dyja shtetet. Mundësi e ndërtimit të Ballkanit dhe lartësimi i shtetit që para 20 viteve ishte po aq i lartësuar, por që tani i duhet një rimëkëmbje nga pasojat e luftës që e shkatërruan.

Mediat në rajon përballen me trysni të madhe nga politika dhe biznesi. Si mundemi, nëse jo ta shmangim plotësisht, të paktën të zvogëlojmë ndikimin e politikës në media?

Jeffrey Young: Jemi me fat tani që kemi mjetet që si kemi pasur më parë. Për të drejtuar një televizion duhen shumë para, miliona e miliona para për të blerë pajisjet, për të angazhuar kuadrot e kështu me radhë, por ne kemi hyrë tashmë në një periudhë të ashtuquajtur “gazetaria qytetare”, që mundësohet me internetin i cili është thuajse falas, kushton vetëm lidhja me internet. Tani thuajse gjithkush ka internet në celularin e tij dhe kështu mund të shkruajë një informatë, ta rregullojë edhe me video dhe ta hedhë në internet, në ueb. Ka shumë mjete të cilat kanë hapur mundësitë alternative në qoftë se nuk mundeni ta plasoni lajmin tuaj nëpërmjet mënyrës tradicionale. Në qoftë se nuk dëshiron të jesh i varur nga biznesi apo politika e ke mundësinë alternative për të përdorur teknologjinë, internetin duke komunikuar kështu në nivel global me njerëzit.

Do ju rrëfej një tregim lidhur me këtë. Ishte viti 1965 dhe isha vetëm 12 vjeç, një filozof kanadez me emrin Marshal Mcluhan shkroi një libër të quajtur “Fshati Global”. Ai është Nostradamusi i kësaj epoke që po e jetojmë. Ky libër doli para 50 vitesh dhe unë si 12 vjeçar e lexova dhe më mahniti, dhe i thashë vetes unë dua të jem pjesë e kësaj që e përshkruan ky libër. Dua të jem pjesë e kësaj teknologjie të re. Dua të jem pjesë e fshatit global. Për mua kjo ka ndodhur gjatë jetës time, tani unë jam njeriu që kam privilegjin ta bëjë të mundur këtë lidhje. Unë jam njeriu që ka gjetur mënyrë për lidhur tërë botën, duke i bashkuar njerëzit. Në këtë epokë të gjithë njerëzit me celularët e tyre të mençur janë dëshmitarë të së vërtetës. Kjo për mua është e mahnitshme, ai njeri ishte Nostradamusi që parashikoi epokën tonë.

Kjo është një situatë shumë e rëndë. Unë shoh guximin që e keni ju gazetarët e këtij rajoni për të bërë storjen, dhe për t’i bërë pyetjet, përkundër shtypjes që keni. Presioni sigurisht paraqitet në dy mënyra. Njëra mënyrë është zyrtare e cila ndodh ndonjëherë, dhe tjetra është jozyrtare për të cilën kemi folur edhe më parë. Pushteti ka një kushtetutë, për shembull Kushtetuta juaj, e Maqedonisë, ku neni 16  garanton lirinë e shtypit dhe thotë se nuk do të ketë censurë. Kështu thonë në letër, por në mënyrë jozyrtare shkojnë dhe ju bëjnë presion kompanive që të mos reklamohen tek ju, dhe në këtë mënyrë ua mbyllin bizneset, ua ndalin punën. Unë e shoh këtë, është diçka reale. Por kjo nuk ekziston vetëm këtu, por në shumë shtete të tjera. Çfarë thonë zyrtarisht, dhe çfarë bëjnë është diçka tjetër. Nëse merrni ta shikoni Kushtetutën e re të Rusisë që ishte formuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik do t’i shihni të gjitha këto garanca për lirinë e shprehjes, shtypit, kundër censurës por nga ana tjetër do të shihni edhe sa zëra të lira ka në Rusi? Prandaj ajo që shkruhet në letër dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.

Në krahasim me pjesën tjetër të botës, cilat janë veçoritë e këtij rajoni të Ballkanit sa i përket gazetarisë dhe mediave?

Jeffrey Young: Unë shoh diçka në këtë rajon që premton shumë. Vitin e kaluar në Ohër, Maqedoni gjatë realizimit të seminarit me të njëjtën temë, kishim dy grupe të ndryshme me 23 gazetarë profesionistë që punojnë në mënyrë aktive sikur ne, kurse grupi tjetër ishin 23 student gazetarie. Ajo që pash gjatë diskutimeve dhe detyrave praktike ishte se studentët maqedonas dhe shqiptar formonin ekipe së bashku, punonin së bashku. Kjo gjë premton shumë. Nuk mund të ndryshosh njerëzit më të vjetër pasi që ato kanë mendimet e tyre, janë të drejtuar në mënyrën e vetë por ajo që më dha shpresë ishin këta të rinj që po i shembnin muret mes shqiptarëve, maqedonasve, serbëve… Nëse arrijmë që ta ruajmë këtë, t’i japim shtytje, ta kultivojmë këtë mënyrë të jetës, kjo do të ishte premtimi më i mirë për tërë rajonin.

inter2

Keni një bagazh shumë të pasur në profesionin e gazetarisë. Keni raportuar për vite me radhë nga betejat e luftrave në Lindjen e Mesme. A do t’i ndanit ca këshilla për gazetarët e rinj dhe ata që duan të merren me gazetari?

Jeffrey Young: Kjo punë është shumë e varur nga krijimi i rrjetit, kontakteve, lidhjeve. Unë nuk do të kisha mundësi ta bëja punën që e kam bërë pa pas krijuar një rrjet të tërë që arrin madje deri në Irak. Kam 25 vite përvojë punë në Lindjen e Mesme, në Irak. Kam filluar raportim në të ashtuquajturën Luftën e Golfit në Irak më 1990, më pas gjatë okupimit të Kuvajtit dhe çlirimit të tij në vitin 1991. Si gazetar e kisha patjetër të krijoj një rrjet të njerëzve që janë në terren, që mund ta analizonin situatën dhe të më ndihmonin. Ky ishte një rrjet që e kam filluar dhe e kam ndërtuar gjatë tërë kohës. Kjo më ndihmon çdoherë që shkoj në këto vende. Do të përmend rastin e fundit në vitin 2014, shkova në Irak. Atje kam mjaft kontakte me qeveritarët kurd, me ushtarët dhe prandaj isha i gatshëm të shkojë menjëherë. Kisha gjithçka që më duhet për të hyrë atje kur Zëri i Amerikës më angazhoi të shkojë në Kurdistan. Njihja shumë qeveritarë lokal, por më e rëndësishmja është që kisha kontakte lokale. Njerëz të cilët të udhëheqin në terren  dhe t’i i paguan ato për shërbimin. Ato i njohin të gjithë njerëzit dhe vendet ku je i angazhuar. Tani që ikam të gjitha kontaktet, gjatë shkuarjes time të fundit në Irak, gjithçka që duhet të bëja ishte që të hap kompjuterin tim dhe të dërgojë e-maila njerëzve të mi duke ju treguar se po vi. Më duhet kjo, më duhet ajo, më duhet kontakt me qeverinë e Kurdistanit, do të duhet mbrojtje, transport, të gjitha këto. Prandaj këshilla ime për të gjitha ata që duan të mbulojnë zona konflikti është që të ndërtojnë rrjet kontaktesh. Rrjet që do të ndihmojë dhe do të mbrojë. Unë nuk punësoj kompani të mëdha për të më siguruar mirë, siç bën CNN ose dikush tjetër. Kur ata shkojnë të bëjnë një storje nga Bagdadi, ju e shihni vetëm yllin e televizionit në kamerë teksa po bën një “stand up” para ndonjë ndërtese në Bagdad. Atë që nuk e shihni në kamerë është se ata angazhojnë kompani sigurimi që e paguajnë mbi 25 mijë dollarë në ditë për të rrethuar vendin e filmimit. Ata do të sjellin 3 ose 4 makina të blinduara, dhjetëra persona me automatik në dorë, e gjithë kjo vetëm që prezantuesi të ndalet para ndërtesës qeveritare për të bërë stand up-in. Ne nuk e kemi atë. Prej 4 herëve që kam shkuar në Irak, dy shkuarje kam qenë plotësisht i vetëm. Në vitin 2005 isha me një kameraman por gjithsesi ishim vetëm sepse nuk kishim roje, nuk kishim asgjë. Si ia dolëm? Pasi që kisha ndërtuar marrëdhënie në të gjithë atë pjesë. Prej ku e gjenim sigurimin tonë, i kishim “Peshmergat”(ushtria e rajonit autonom të Kurdistanit në Irak), shkova edhe deri tek partitë politike. E dini çfarë domethënë të mbijetosh? Nëse të duhet ushqim, të mendosh se ku mund të gjesh ushqim. Nëse të duhet mbështetje ku do të mund të gjejë mbështetje? Nëse të duhet strehim, ku do të mund të gjeje strehim? Ndonjëherë mund të mos jetë gjithçka në pajtim me ligjin. Nëse rregullat nuk po të japin rezultate, krijo rregulla të reja.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja