verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Arta Tahiri: Cilësia dhe vlerat profesionale të jenë kriteri bazik për avancim në gazetari

on 22 - 06 - 2016       
Овој напис го има и на: Maqedonisht

Intervistoi: Benjamin Arifi


Arta Tahiri është një prej fytyrave me të spikatura mediatike në gazetarinë në gjuhën shqipe në Maqedoni.  Rrugëtimi i saj si gazetare zë periudhë prej më shumë se dy dekada dhe ngjitje të të gjitha shkallëve të profesionit, që nga viti 1993 me Zërin i Kumanovës, më pas edhe në TV FESTA deri në vitin 2000, angazhimi në servisin publik TVM deri në vitin 2006, bashkëpunimi me TV ABC News dhe TV Klan në Tiranë…Para një dekade ishte një prej fytyrave me të cilat identifikohej ekrani i TV Alsat M, atëherë televizion i ri në gjuhën shqipe në Maqedoni, të cilit iu rikthye pas një pauze disavjeçare, kësaj radhe si drejtuese e emisionit të debatit “Rruga drejt”.
Me Arta Tahirin bisedojmë për sfidat me të cilat ballafaqohet ajo vetë në përgatitjen e emisionit dhe gjatë angazhimeve profesionale, për të arriturat e deritanishme, si dhe në përgjithësi për situatën në profesion, politikë dhe në shoqëri.

Jeni në fund të sezonit të parë si drejtuese e emisionit “Rruga drejt…”. Si e vlerësoni kapitullin tuaj të parë në këtë rrafsh të ri të karrierës tuaj?

Arta Tahiri: Në gazetari jam nga viti 1995, që do të thotë më shumë se dy dekada, që nga koha e gjimnazit. Gjithsesi se në këto vite jam përballur me sfida të ndryshme profesionale, shpesh kam pasur edhe momente të vështira, por mbi të gjitha kam pasur periudha të mira, shumë intensive dhe me shumë pasion profesional. Në këtë rrugëtim të gjatë profesional, specializimi im ka qenë lajmi, përgatitja dhe kumtimi i tij, sado që shpesh ka mundur të jetë i hidhur për publikun, sepse në gazetari vlen edhe tani rregulli që “lajmi i keq është lajm i mirë”. Duke u nisur nga ky fakt që gjithmonë kam qenë afër ngjarjeve, shpesh duke e mësuar lajmin në kohë reale, debati politik që mu ofrua nga drejtuesit e TV Alsat-M më tepër ishte rrjedhë normale në karrierën time. Në përmbyllje të kapitullit të parë të debatit politik “Rruga drejt”, mund të them se ka qenë mbi pritjet e mia personale, e ajo që është e rëndësishme, mbi kuadrin e pritjeve të stafit menaxhues të Alsat M. Ka qenë një periudhë e bujshme, me shumë angazhime, por kur fundi i këtij kapitulli evidentohet me suksese, me arritje në aspektin e shikueshmërisë dhe ajo që është shumë e rëndësishme në dimensionin e besueshmërisë, atëherë duhet të them se hapat e parë në “Rruga drejt” kanë qenë të frytshëm. Kur hapi i parë bëhet i sigurt, i dyti dhe ato që vijnë më pas do jenë edhe më të sigurt dhe me më shumë efekte pozitive.

Ky është një emision politik me shikueshmëri të konsiderueshme, me peshë për audiencën e “Alsat-M” por edhe për politikën shqiptare në vend. A e ndjeni se kjo peshë po rëndon mbi ju tashmë?

Arta Tahiri: Ky është emision me shikueshmëri të madhe, madje të dhënat mbi matjen e audiencës tregojnë se “Rruga drejt” është bindshëm debati politik më i ndjekur në Maqedoni. Këtë rezultat ia përshkruaj më tepër faktit që ky debat që në fillim ka insistuar që të jetë përballje argumentesh e jo llafesh boshe. Sa ia ka arritur qëllimit e tregon publiku, sepse ky është ndër ata emisionet që interesin publik e ka parësor.

Patjetër duhet thënë se një pjesë të meritave për suksesin e arritur ka edhe ekipi dhe fryma ekipore që mbretëron në ALSAT M, sepse pa bashkëpunimin me kolegët nuk do ishim këtu ku jemi as si televizion, as si debat politik. Gjithsesi se bëhet fjalë për një peshë të madhe, por, e cila falë përvojës që kam në televizion, nuk rëndon edhe aq. Tentoj gjithmonë që midis peshës së pambukut dhe të hekurt kur është në pyetje puna në televizion të zgjedh të parën, pra punën ta bëj me lehtësi, pa ndonjë ngarkesë apo ndikim nga faktorë të jashtëm. Kuptohet se kur një punë e bën me dëshirë dhe vullnet, suksesi nuk mungon. Formulë tjetër nuk ka! Ky edhe mund të jetë apel edhe për gazetarët e rinj. Talenti po, është i rëndësishëm, por talenti pa punën mbetet vetëm talent i pashfrytëzuar.

 

Si e shihni të ardhmen e këtij emisioni? Planifikoni ndryshime në program në të ardhmen?

Arta Tahiri: E ardhmja e këtij emisioni pritet të jetë vazhdimësi e rrugëtimit të nisur drejt. Nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha sa i përket formatit. Analiza e ngjarjeve më të rëndësishme do të vazhdojë të jetë pjesë e emisionit, ngjashëm si edhe formati i deritanishëm, me pyetje të drejtpërdrejta. Jemi duke diskutuar me drejtuesit e TV Alsat M për kohëzgjatjen e tij, sepse kemi vënë re se shpesh ka nevojë për më tepër kohë në debat, para së gjithash për shkak të krizës së thellë politike, nëpër të cilën kalon Maqedonia.

13433999_10206559015559400_605380264_n

 

Kishte disa polemika se emisionet kryesore politike nuk po i përballin partitë parlamentare BDI-në dhe PDSH-në me partitë e reja opozitare. Është zgjedhja juaj apo kërkesë e partive?

Arta Tahiri:
Është fakt që “Rruga drejt” kanë marrë pjesë të gjithë aktorët politikë në Maqedoni, me përjashtim të VMRO-DPMNE-së. Ka marrë pjesë edhe PDSH-ja, pas bojkotit 10 vjeçar të Alsat M, ndërsa u intervistua edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ndërsa kanë qenë edhe liderët tjerë politikë të partive shqiptare.

Ka pasur disa komente se nuk ballafaqohen në “Rruga drejt” BDI dhe PDSH me partitë e reja të shqiptarëve në Maqedoni. “Rruga drejt” do të kishte dashur të ketë ballafaqime të hapura politike, por e vërteta është se BDI dhe PDSH kanë marrë vendime politike, të cilat ia kanë transmetuar TV Alsat M se nuk marrin pjesë në emisione debative me partitë e reja politike: Besa, LR – PDSH, Uniteti dhe RDK, pasi që, sipas tyre, këto katër parti nuk janë legjitimuar në zgjedhje. Pra BDI dhe PDSH pranojnë të ballafaqohen mes vete. Ndërkohë, ballafaqimi në kampin politik të subjekteve të reja nuk ishte shumë më i mirë. Besa nuk pranonte ballafaqim me LR PDSH-në, LR PDSH nuk pranonte të ulet në tryezën e debatit me RDK-në e Fadil Zendelit, ndërsa pajtohej të ulej me RDK-në e Vesel Memedit, ndërsa Uniteti nuk bënte kushtëzime të këtilla lidhur me debatin. E gjithë kjo tregon më së miri fragmentarizmin e skenës politike, prandaj disa përgjigje për mosgatishmërinë e partive politike për përballje politike, aktivistë të rinj dhe ambicioz politik, e kam thënë edhe në emision, nuk duhet t’i kërkojnë te “Rruga drejt”, por te partitë politike.

Emisioni do të vazhdojë të jetë i hapur, të jetë forum i hapur për të gjitha partitë politike. “Rruga drejt” do të vazhdojë të kultivojë debatin e hapur dhe demokratik në shoqërinë e Maqedonisë, do të ketë hapësirë për të gjitha subjektet politike, qoftë në pushtet apo në opozitë, qoftë maqedonase apo shqiptare, por do të ketë hapësirë të konsiderueshme edhe për pikëpamjet e ekspertëve dhe analistëve si dhe zërit të qytetarëve. Edhe në shtator debati do të fokusohet te kriza politike, te bisedimet, por kjo nuk do të thotë se nuk do të trajtohen edhe tema të tjera politike.  Në këtë emision dyert do të jenë të hapura për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të thonë mendimin e tyre publik për zhvillimet politike dhe shoqërore. Duke qenë të bindur se debati publik në Maqedoni ka qenë tepër inert, do të bëjmë përpjekje që të krijojmë ballafaqim mendimesh, por edhe opsionesh politike dhe në këtë mënyrë qytetarit t’i ofrojmë mundësinë që vetë ai të vendosë se kush është në rrugën e drejtë. Si drejtuese e emisionit do të bëjë përpjekje të sjellë të studio palë të ndryshme, njerëz të ndryshëm që kanë vizione dhe qëndrime të ndryshme, por e përbashkëta e këtij emisioni do të jetë debati i kultivuar, i argumentuar dhe pa fyerje mbi baza personale. Gjithmonë duhet të triumfojë ideja.

Nëse do të duhet të zgjidhnit mes prezantimit të lajmeve dhe moderimit të emisionit “Rruga drejt…” cila do të ishte zgjidhja juaj?

Arta Tahiri:
Në fakt unë asnjëherë nuk jam shkëputur nga lajmet, sepse konsideroj se lajmi është jo vetëm baza e gazetarisë, por kur bëhet fjalë për televizionin është shpirti i televizionit. Nuk bëj prezantimin e lajmeve, por jam redaktore e edicioneve informative, paralelisht me drejtimin e debatit. Pra, më shkurt, shkëputja nga lajmet për mua do të thotë shkëputje nga televizioni.

Si e shikoni faktin që po rritet numri i femrave që janë ngarkuar me përgjegjësi të mëdha në sferën e medias shqiptare në Maqedoni?

Arta Tahiri: Nuk e shoh si trend befasues, por tepër të natyrshëm. Gjithsesi se ky trend nuk është i mjaftueshëm, pra duhet të ketë edhe më shumë femra që kanë përgjegjësi editoriale, por edhe menaxheriale në mediat shqiptare në Maqedoni. Mbase nuk jam për të vendosur karar, pra nuk jam për barazi statistikore gjinore, por konsideroj se ky është trend pozitiv, sepse në gazetari femra ka pasur gjithmonë, konkretisht në raportim, por sipas një rregulle të pashkruar, redaktorët dhe kryeredaktorët kanë qenë burra, por fatmirësisht kjo praktikë diskriminuese ka ndryshuar. Kuptohet se nuk jam për barazi apo përfaqësimin e femrave sa për sy e faqe, por për përfaqësim cilësor, pra cilësia dhe vlerat profesionale të jenë kriteri bazik për avancim në gazetari. Si të femrave, ashtu edhe të meshkujve.

Si i shikoni zhvillimet e fundit politike në vend dhe rolin që luan media shqiptare në to?

Arta Tahiri: Fakti që mediat shqipare janë dygjuhësore, ka ndikimin e vet në ambientin jo vetëm mediatik, por edhe politik. Gjithsesi se transmetimi edhe në gjuhën maqedonase ka ndikuar që të ketë impakt edhe në kampin maqedonas. Të dhënat hulumtuese dhe matjet e ndryshme tregojnë se maqedonasit, duke mos pasur media të besueshme, shpesh pikë referencë për informimin e tyre e kanë TV Alsat M, gjë që është sinjal i mirë dhe pozitiv që tregon se mediat shqiptare avancojnë për sa i përket profesionalizmit.
Ju jeni bashkëshortja e një gazetari dhe njohësi të medias. Sa ka ndikuar bashkëshorti juaj në profesionin tuaj dhe sa ju në profesionin e tij?

Arta Tahiri: Po, është e vërtetë. Ne jemi një binom jo vetëm në jetë, por edhe në punë, duke qenë se jemi të të njëjtit profesion. Po të mos ishte gazetaria, nuk e di a do të njiheshim, pasi u njohëm në televizion, kështu që media është fati ynë. Sefer Tahiri, siç e dini, është gazetar dhe studiues i mediave në Maqedoni, me një përvojë gati se dy dekada në media, prandaj bashkëpunimi me të jep rezultate pozitive. E përbashkëta jonë është kritika e rreptë profesionale. Seferi merret shumë me detajet, ka qenë edhe vetë drejtues i debateve politike në Televizionin e Maqedonisë, merr pjesë në debatet televizive politike. Pjesa më e vështirë nuk është debati, por debati mbi debatin. Shpesh më duhet të pranoj kritikat, por jo gjithmonë!

Gjithsesi se ne plotësohemi njëri me tjetrin, ka qenë gjithmonë kështu, që nga momenti kur jemi njohur në televizion. Këmbejmë ide dhe mendime, duke qenë se bashkëpunimi është reciprok, tentoj që të kontribuoj që t’i lehtësoj angazhimet e shumta që ka në fakultet, në institut dhe në sfera tjera.

 

Si është raporti juaj profesional me mediat e Shqipërisë, pasi një periudhë keni qenë bashkëpunëtore e tyre/korrespondente për Maqedoninë?

Arta Tahiri: Kam raport shumë korrekt, shumë profesional dhe konsideroj se mediat në Shqipëri janë pjesa më e ndritshme, ndoshta më e mirë e letërnjoftimit të shtetit shqiptar në botë. Kanë ecur shumë përpara, janë kampione në rajon, ndjekin trendet evropiane teknologjike, por edhe preferencat e ndryshme të publikut. Pra, ndoshta në Shqipëri ka shumë dukuri negative, por media është pika e bardhë e zhvillimit të shoqërisë.


Kur për herë të parë e ndjetë peshën e të qenurit fytyrë publike?

Arta Tahiri: Kjo mbase ka ndodhur në vitin 2001, kur ka qenë periudha e konfliktit të armatosur në Maqedoni. Kam qenë moderatore e lajmeve në Programin në Gjuhën Shqipe të Televizionit të Maqedonisë. Është dashur të moderoj shumë lidhje të drejtpërdrejta nga terreni i konfliktit me gazetarët-reporterë dhe korrespondentët nga Tetova e Kumanova, shpesh të kem të ftuar në studio, politikanë, përfaqësues ndërkombëtarë, analistë e gazetarë dhe ky ambient vetvetiu të krijonte ndjesinë e rëndësisë së peshës publike të profesionit të gazetarit.

 


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja