verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Eliminimi ekonomik i gazetarëve e zëvendësoi atë fizik

on 18 - 06 - 2014       
Овој напис го има и на: Maqedonisht
7188089708_eff9541862_b

Mbulimi i protestës për shpenzimin e parave për projektin Shkupi 2014. Foto: vladmrk, 2012

 

Ata që akoma kanë punë nëpër redaksi ku debatet e mëparshme redaktuese janë zëvendësuar me një zinxhir vertikal komandues, që do të thotë “e publikon ose nuk e publikon atë që të thuhet dhe ashtu siç të thuhet”. Pavarësia redaktuese ose gazetareske janë terme që kanë status të krijesave mitologjike, askush në nuk beson në to.

 

Shkruan: Таmara Çausidis

 

Largimet e reja nga puna në televizionin ALFA janë edhe një vërtetim se procesi i vrasjes së gazetarisë maqedonase akoma është duke u zhvilluar. Në vend të eliminimit fizik, tani kemi eliminim ekonomik, në masë të njëjtë, e ndoshta edhe më efikas se ai fizik. E gjitha ndodh nën arsyetimin e “tepricave teknologjike” dhe “shkaqeve afariste” me një procedurë haptazi cinike dhe të rrejshme. Largimet nga puna praktikisht i zëvendësuan mbylljet e dhunshme të mediave.

Një pjesë e madhe e atyre që janë larguar ose do të largohen nga puna për shkak të integritetit profesional ballafaqohen me pothuajse asnjëfarë mundësie për ripunësim në industrinë e okupuar mediatike. Ata janë të etiketuar si të papërshtatshëm si kërcënim për manjatët politikë dhe financiarë dhe për ta më nuk ka vend.

Në këtë moment në Maqedoni kemi dhjetëra gazetarë me përvojë pune prej mbi dhjetë dhe njëzetë vjet të cilët janë pa punë ose u kërcënohet përjashtimi nga puna. Në mesin e tyre ka ish-redaktorë, udhëheqës të emisioneve të shikuara politike dhe gazetarë të shpërblyer për gazetari hulumtuese. Emërues i përbashkët për të gjithë ata është mbrojtja e vlerave dhe integritetit të profesionit të gazetarisë.

Për fat të keq, të gjithë në momentin kur do të jenë në shënjestër për t’u qëlluar ballafaqohen me një vetmi të pabesueshme. Kolegët në redaksi ua kthejnë kokën, heshtin, ose edhe më keq, e racionalizojnë dhe e arsyetojnë në mënyrë të pabazë dhe keqdashëse procedurën, e cila, është çështje kohe, se kur do t’i përfshijë edhe ata. “Të gjithëve do vijë radha”, në mënyrë dramatike përpiqeshin të porosisin kolegët nga TV A1 kur e mbyllën medien e tyre. A e kuptuam porosinë shumë vonë?

 

Mobingu – armë për neutralizimin e gazetarëve

 

Funksionojmë në një mjedis ku niveli elementar i solidaritetit, bashkëndjesisë, po edhe i ndërgjegjes janë zhdukur krejtësisht. Dhe kjo manifestohet vazhdimisht dhe në mënyrë shumë konkrete – kur gazetarët, raportuesit, redaktorët kamermanët ose kolumnistët largohen nga puna në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe gjatë kësaj nënçmohen në mënyrë plotësuese si “joprofesionalë”, “jopunëtorë”, “partiakisht të përcaktuar”, ndërsa komuniteti mediatik hesht, racionalizon dhe kërkon arsyetime.

Gjendja e këtillë nuk është e rastësishme, ajo është pasojë e ekspozimit afatgjatë të mobingut të ashpër nëpër redaksi. Mobingu, që sipas hulumtimit të sindikatës së gazetarëve, në media është e pranishme me 60%, i jep rezultatet e tij.

Si duket kjo në praktikë? Моbingu mund të fillojë ngadalë ose menjëherë, me dekret, me ndryshim të pronarit, me politikën “e rilindur” redaktuese ose nëpërmjet konfliktit me kryeredaktorin. Pa pasur asnjë arsye racionale, vëllimi i punës së gazetarëve të targetuar redukohet – u hiqen emisionet, nuk u pranohen temat, tekstet, edhe pse të shkruara dhe në shikim të parë të pranuara – nuk dalin në botimin e shtypur të gazetës ose në lajme, paralajmërohen me disa kërcënime të çuditshme dhe pa argumente të qarta “te kenë kujdes”, e gjithë kjo me qëllim që ata të dezorientohen në tërësi dhe ta humbin integritetin profesional.

Gazetarët e lodhur moralisht dhe psikikisht, që i nënshtrohen këtij tretmani, ose pranojnë të punojnë sipas rregullave të imponuara, joprofesionale të lojës ose heshtin, ndonjëherë edhe vetë japin dorëheqje vetëm e vetëm që t’i ikin këtij segregimi dhe ndjenjës se janë në një mjedis armiqësor, ku u matet çdo fjalë e thënë. Ndonjëherë paralajmërimin për largim nga puna e pranojnë me lehtësi!

Tretmani i këtillë le gjurmë psikologjike (stres, depresion, shqetësim ndjenjë të rraskapitjes, apati) dhe e shkatërron integritetin profesional dhe atë personal. Por, qëllimi i mobingut nuk është vetëm viktim, por edhe dëshmitarët. Maltretimi psikik dhe fizik shërben edhe si shmebull për të tjerët, për atë se çka mund t’u ndodhë në qoftë se vijnë në situatë të jenë të stigmatizuar si të papërshtatshëm.

Për pasojë, gazetarët dhe punëtorët mediatikë janë shndërruar në individë të deprimuar autistë, të paaftë për solidaritet dhe bashkëndjesi, të cilëve horizonti profesional u përfundon me çekun e rrogës dhe frikën se a do të vazhdojnë ta marrin atë.

Mobingu u bë armë e padhimbshme në duart e atyre që duan lehtë të lirohen oose t’i neutralizojnë gazetarët që akoma besojnë në vlerat e profesionit, në mosbindjen si virtyt themelor i gazetarëve.

 

Patjetër të bisedohet për kushtet e punës

 

Mungesa  e organizimit të mirëfilltë sindikal e ka dëmtuar deri në atë masë ndjenjën e solidaritetit sa që redaksitë thjesht ngulfaten në frikë nga humbja e punës. Ideja për të drejta kolektive dhe për përfaqësim të përbashkët është nën sulm të vazhdueshëm nga qendrat partiake dhe ato të biznesit. Anëtarësimi në sindikat tashmë dënohet haptazi, në shënjestër janë përfaqësuesit sindikalë, ndërsa institucionet (inspektorati i punës, gjykatat), si dhe garnitura në pushtet këtë e inkurajojnë intensivisht. Numri i anëtarëve të fshehtë rritet.

Ata që akoma kanë punë nëpër redaksi ku debatet e mëparshme redaktuese janë zëvendësuar me një zinxhir vertikal komandues, që do të thotë “e publikon ose nuk e publikon atë që të thuhet dhe ashtu siç të thuhet”. Pavarësia redaktuese ose gazetareske janë terme që kanë status të krijesave mitologjike, askush në nuk beson në to.

Në kushte të tilla, nuk është në rregull që të vetëakuzohemi ose t’i akuzojmë kolegët për mungesë solidariteti. Mu e kundërta, më në fund ka ardhur koha që në agjendën e komunitetit t’i vëmë – kushtet në të cilat punojmë! Vetëm një gazetar që nuk duhet të frikësohet se lehtë do të përjashtohet nga puna mund t’i lejojë vetes të jetë profesionist dhe solidar. Në të kundërtën do të na eliminojnë një nga një, pa përjashtim.


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Abonohuni për lajmet më të reja