Gazetari e gjunjëzuar para interesave partiake
Published in Recensione
on 3 - 03 - 2017 Author: Agron Vrangalla[Recension: Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi gjunjëzojnë Zoran Zaevin]
Sipas një grupi të portaleve shumë pak të njohur dhe tërësisht amatoresk, të krijohet një përshtypje sikur ke rënë në gjumë të thellë për një shekull të tërë. Dhe, pasi zgjohesh, kupton se sa shumë kanë ndryshuar gjërat, ndërsa ti ndjehesh tërësisht i desocializuar me gjithçfarë që të rrethon. Duket sikur atë dije modeste që e ke pasur nuk ekziston më, e ka përpirë dheu, ndërsa njerëzimi ka ecur në një drejtim tjetër dhe ka krijuar një kod të ri normash, tërësisht të panjohura për ty.
Linku për te artikulli origjinal: Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi gjunjëzojnë Zoran Zaevin
Data dhe koha e publikimit: 21.02.2017
Data e recensionit: 27.02.2017
Recensues: Agron Vrangalla
Mbase duken qesharake këto qasje, kur dëshiron të sqarosh me fjalë një lloj përjetimi të momentit kur përballesh me një tekst të tillë. Prandaj, shpesh dëgjojmë njerëzit tek thonë se “nuk kam koment”, apo “nuk mund ta përshkruaj me fjalë”. Kështu ndodh kur ndjen diçka por nuk di se si ta përcjellësh, gjuhën e ke të kufizuar nga përshtypja e ngjarjes.
Duket si tekst i zakonshëm, nëse nuk ke arritur të lexosh asnjë lajm tjetër përvec këtij. Dhe, në momentin që e lexon ndoshta edhe të bën të mendosh se sa i guximshëm qenka ky Musa Xhaferri. Por nuk kanë faj Musa Xhaferri, as Ali Ahmeti. Faji qëndron tek ai që ka rrotulluar këto emra për të treguar paaftësinë e tij për të bërë një lajm normal.
Lexojeni tekstin tek linku më lart dhe shikoni se çfarë fantazie e jashtëzakonshme është përdorur aty. Gjithçka që është thënë duket sikur buron nga dikush që është tërësisht i painformuar mbi rregullat e të bërit lajme. Nuk është ideja për të fyer dikë, por vërtetë që jemi lodhur duke parë e dëgjuar lajme të tilla që në vetvete nuk posedojnë asnjë burim të vetëm informacioni, e që thjeshtë janë produkt i një kulture defetiste, e cila flet për një kompleks të theksuar inferioriteti profesional.
Askush nuk do të ndjente kënaqësi të marrë përsipër tekste të kësaj natyre dhe të evidentonte gafat profesionale. Nuk është aspak e këndshme të merresh me shkrime, të cilët fund e krye janë të mbrapshtë. Por, meqenëse na ka rënë në hise, po sjellim disa momente, të cilat tregojnë se do të ishte më mirë sikur ky tekst të mos ekzistonte fare.
Aty thuhet se gjatë takimit të dy liderëve, atij të BDI-së dhe LSDM-së, Musa Xhaferri ka ndërhyrë në mënyrë të ashpër duke ia bërë me dije Zaevit se çfarë peshe kanë nënshkrimet e BDI-së. Poashtu, Zaevit i është thënë se BDI nuk do të ndryshojë asnjë presje nga kërkesat që ka. Dhe, kështu pra, Zaevin e ka kapluar një frikë e hatashme nga vendosmëria e paepur e krerëve të BDI-së dhe paska pranuar të shqyrtojë këto kërkesa në partinë e tij.
Kërkoj ndjesë, por këto spekulime, apo t’u themi shpifje të pakripura, vërtetë janë dëshpëruese. Imagjinoni, para selisë së BDI-së qëndronin me dhjetëra gazetarë profesionistë, të cilët gjithmonë arrijnë të sigurojnë lajmin e fundit, e asnjëri prej tyre nuk arriti të kuptojë për këtë “burrëri” të Musa Xhaferrit, vetëm portali pika.mk ka arritur të marrë informacione brenda mureve të bisedimeve! Duhet të jesh shumë i paditur për të besuar një gjë të tillë. Dyfish më i paditur duhet të jesh për ta shkruar të njejtën. Por, fantazia e shfrenuar në këtë artikull nuk përfundon me kaq. Kulminacionin e arrin kur tregon se pas takimit, gjatë prononcimit për media, në fytyrën e Zaevit është vërejtur një dëshpërim i madh, pasi që brenda në seli i është thënë se “një edhe një bëhen dy”!
A kanë arritur këta njerëz të dëgjojnë ndonjëherë diçka për gazetarinë? Së paku, a e dinë se ekziston një profesion që i mëson njerëzit apostafat se si të shkruajnë lajme? Këto pyetje nuk janë për të qeshur, as për t’u tallur, por lindin natyrshëm, menjëherë pasi të kesh lexuar tekstin e këtij portali. Blozë fare! Një sërë komentesh nga fillimi në fund. Asnjë pikë reference, asnjë burim të shfrytëzuar. Lëri burimet, në djall vafshin, por të paktën lajmi ashtu siç është i rremë, të kishte një lidhje me realitetin. Nuk ka. Është fantom, hije, një hije që të ngjall frikë, të bën të mendosh se sa larg ka vajtur shpikja e lajmeve imagjinare.
Akoma më e frikshme është kur të kujtohet se jemi duke jetuar në epokën e ekspansionit masiv të informacionit online, që edhe më i padituri apo më i painformuari, me një të hyrë në ueb, mund të njoftohet me të dhëna marramendëse për çdo lloj gjëje që është i interesuar të dijë. Gjithçka provuam si njerëzim, edhe truallin e Hënës e shkelëm, planetin Mars e kemi cakun e radhës. Vetëm një gjë nuk arritëm të kuptojmë, si të shkruajm një copë lajmi.
Ja edhe një kuriozitet, më 5 shtator të vitit 1977 një anije kozmike me emrin “Voyager 1” është lëshuar në hapësirë dhe ka arritur të udhëtojë deri në 18.8 miliard kilometra larg Tokës, duke dalë kështu jashtë sistemit tonë diellor. Për ndryshe, këtë informacion e mësova një minut përpara se të përfundoja tekstin. Google ma tregoi!
INFOGRAPHIC
TRUTHFULNESS
nuk ka fakte
pohimet jo të sakta
deklarata jo të vërteta
SOURCES OF INFORMATION
nuk ka burime të evidentuara
nuk mund të përcaktohet
një palë
EXTENSIVENESS
jogjithëpërfshirës
informata të fshehura
BIAS
Jo
ka shtrembërim të së vërtetës (spin)
informata të rrejshme
mban anën e një pale
anshmëri politike, anshmëri komerciale
COMMENTING
ka elemente të komentimit
të integruara me faktet
PLAGIARISM
vepër origjinale
TITLE QUALITY
dezinformon
jokreativ
senzacionalist
joadekuat
tendencioz
PHOTOGRAPH
ka
adekuate
as manipulon as informon - është vënë vetëm si ilustrim
nuk është theksuar autori (burimi)
HATE SPEECH
gjuhë ofenduese
nuk ka gjuhë të urrejtjes
Përdor gjuhë nxitëse etnocentrike
nuk diskriminon
EDITED FOR THE WEB
i lexueshëm
nuk aplikohet
nuk ka linke kontekstuale
i rregulluar në aspekt stilistik
i palidhur me tag-e