verifikimiifakteve.mksitemap
verifikimiifakteve.mksitemap

Shërbim për verifikim të fakteve në media

Projekt i USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni
USAID Logo

Jemi të etur për debat!

on 4 - 12 - 2016       
Këtë postim mund ta lexoni edhe në: Maqedonisht

18551004_401

Shkruan: Ferikan ILJAZI ARIFI

Kur do të vijë dita që partitë politike të presin rend për të dalë para cilitdo qoftë ekrani, kur do të ndodhë që partitë t’i lusin gazetarët, e jo gazetarët t’i lusin partitë?

Debat këtu, debat atje, gjithandej mes qytetarëve – debat politik. Politika në shtëpi, në punë, në shkollë, e madje edhe në çerdhe. Çudi si nuk na pëlcet truri. Por, atje ku duhet, në media, askund nuk duket debat i vërtetë, ashtu siç do t’i kishte hije një shoqërie demokratike. Në një periudhë specifike si kjo e këtyre muajve të fundit, popullata e Maqedonisë është skajshmërisht e lodhur nga ofertat, nga propagandat, dhe dëshiron të shohë përballje të vërtetë. Përballje idesh dhe ofertash mes opsioneve të ndryshme politike.

plaku-zgjedhje

Po hyjmë në javën e fundit të fushatës, jemi të ngopur nga politika, por ende nuk duket se qytetarët janë të ngopur me debat të vërtetë, i cili mungon me vite të tëra.

Edhe pse besoja se këto zgjedhje do ta ndryshonin edhe qasjen e partive politike ndaj mediave, se ato do t’i shfrytëzonin maksimalisht mediat për t’u promovuar, qoftë edhe nëse nuk janë media që i lavdërojnë, ndodhi e kundërta. Një pjesë e partive parlamentare vazhdojnë të refuzojnë pjesëmarrje në televizione që nuk u shkojnë për qejfi dhe nuk pranojnë të përballen me oponentët e tyre më të mëdhenj.

Sa e sa vite, nuk kemi parë debat liderësh.

ali-ahmeti-menduh-thaciAli Ahmeti dhe Menduh Thaçi, për sa kohë që janë kundërshtarë në skenën politike, iknin prej njëri tjetrit sa mundën – sa u përket debateve në media. Por, tani që kanë ndryshuar rrethanat, si duket po krijojnë terren për përballje mediatike në javën e fundit të zgjedhjeve. Nga ana tjetër, Ahmeti dhe Thaçi nuk debatojnë në ekranet televizive me liderët e tjerë të partive politike siç janë Bilall Kasami, Ziadin Sela, Gëzim Ostreni, Fadil Zendeli, Vesel Memedi…Duket si një tentativë për të minimizuar dhe për të mos faktorizuar ata që mund t’ua prishin hesapet me popullin.

Shpeshherë mendoj se cili është shkaku për këtë mospërballje, a është egoja e madhe, apo mungesa e ideve që nuk i ul këta persona në një tavolinë? Apo është frika nga dështimi, si pasojë e mungesës së argumenteve? Ose, mund të jetë edhe një opsion tjetër, Ahmeti dhe Thaçi ia mbrojnë interesin njëri – tjetrit. Ahmeti nuk ngacmon përjetësinë e Thaçit në opozitë, e Thaçi as që tenton t’ia prishë komoditetin e qëndrimit në pushtet Ahmetit.

Edhe tek kampi politik maqedonas situatë e njëjtë. Tashmë disa vite me radhë VMRO-DPMNE-ja nuk merr fare pjesë në asnjë debat në televizione që nuk i ka në kontroll, e në veçanti nuk shkon në televizione shqiptare. Ndoshta për të ruajtur epitetin e “patriotëve”. vmrologo-zname-500Nuk pranojnë ftesa për debat as deputetët, as drejtorët e institucioneve, e të mos flasim për liderin. Tekstualisht, askush nuk paraqitet në media, përveç ca përjashtimeve që numërohen në gishta, siç ishte ai i fundit që e bëri ministri i punëve të jashtme Nikolla Popovski me paraqitjen në Alsat M.

Besoj se truku i marketingut është që të mos shfaqen fare, në mënyrë që të shmangin ndonjë moment të sikletshëm, i cili do t’u kushtonte shumë. Në biseda joformale me njerëzit e kësaj partie, mund të kuptoni se atyre “nuk u intereson mendimi i popullatës shqiptare”, se ata e ruajnë rejtingun tek votuesit e tyre dhe se merren ekskluzivisht me ta, nëpërmjet kanaleve që i kontrollojnë.

Përse politikanët në Maqedoni ta kenë komoditetin e pushtetit dhe të mos japin llogari për të?

Në cilën demokraci të botës botës ekziston një situatë e tillë e territ propagandistik mediatik, ku llogaridhënia dhe komunikimi përmes mediave bëhet sipas dëshirës?

Vlerësimet e mia janë sa subjektive, pasi që përballem me mungesën e gatishmërisë së partive për të debatuar në emisionin që drejtoj, aq edhe objektive, pasi të gjithë jemi dëshmitarë të “thatësisë” së debatit nëpër media. Kur do të vijë dita që partitë politike do të presin rend për të dalë para cilitdo qoftë ekrani, kur do të ndodhë që partitë t’i lusin gazetarët, e jo gazetarët t’i lusin partitë?

Për atë se si zhvillohet debati në televizionet në gjuhën shqipe në Maqedoni elaboruam në analizën tonë “Si zhvillohet debati politik në TV ekranet në gjuhën shqipe?  , ku edhe statistikisht mund të shihet mungesa e debatit përmbajtjesor.

Sigurisht se do të vijnë kohëra më të mira për gazetarinë, por tani për tani, gazetaria është shkelur përtokë dhe tenton të ngrihet në këmbë me “mish e shpirt”. Mungesa e debatit dhe roli i politikanëve në këtë përdhosje të mediave është shumë i madh, si dhe përgjegjësia.


Kjo kolumnë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Kjo kolumnë është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e kolumnës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *